Tregu më i madh i frutave dhe i perimeve në Pekin po funksionon normalisht pas rihapjes të dielën.
Tregu i shumicës "Xinfadi" në distriktin Fengtai u mbyll për 80 ditë pas zbulimit të rasteve të COVID-19 në qershor.
Tani në treg lejohet vetëm shitja me shumicë e produkteve bujqësore dhe ai nuk është hapur ende për konsumatorët individualë.
Të gjitha zonat e shitjes nëntokësore ose gjysmënëntokësore të tregut janë mbyllur përgjithmonë, për të shmangur çdo rrezik të fshehur për shpërthimin e mundshëm të virusit.
Një treg perimesh është hapur afër tregut kryesor "Xinfadi" për të plotësuar nevojat e blerjes me pakicë.
Zv.menaxheri i përgjithshëm i tregut Gu Zhaoxue vë në dukje:
"Pas rihapjes, tregu funksionon sipas modelit të regjistrimit të shitësve, të anëtarësimit të blerësve dhe të rezervimit për makinat. Shitësit dhe furnizuesit e frutave e të perimeve këtu duhet të regjistrohen para kohe me celularët e tyre."
Tregu po u jep mbështetje shitësve me shumicë dhe atyre me pakicë, për t'i ndihmuar të rifillojnë biznesin e të pakësojnë humbjet. Gu Zhaoxue tha:
"Ne kemi baza të kultivimit dhe të furnizimit të frutave e të perimeve me një sipërfaqe mbi 200 mijë hektarë në mbarë vendin dhe mund t'i organizojmë shpejt shitësit tanë me shumicë të kontaktojnë drejtpërdrejt me këto baza, për të siguruar furnizimin e tyre me produkte."
Që nga 11 qershori, në Pekin janë raportuar mbi 300 raste të konfirmuara të COVID-19 që kanë lidhje me vatrën e infeksionit në tregun "Xinfadi". Të gjithë pacientët janë shëruar. (Fani/Artan Goga)