Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme Zhao Lijian tha në një konferencë të rregullt për shtyp më 8 shtator se epidemia COVID-19 po përhapet globalisht. Kina është e gatshme të mbështesë konceptin e një bashkësie me të ardhme të përbashkët për njerëzimin, të vijojë përparimin e bashkëpunimit ndërkombëtar në parandalimin dhe kontrollin e epidemisë, të mbështesë OBSh-në në rolin udhëheqës në luftën globale kundër epidemisë, të ndajë përvojën e parandalimit, kontrollit dhe trajtimit me vendet e tjera dhe të vazhdojë të sigurojë ndihmë për vendet dhe rajonet që janë të dobëta në përgjigje të epidemisë për ta fituar së bashku këtë luftë botërore të mbrojtjes së shëndetit publik.
Sipas raporteve, Aylward, një këshilltar i lartë i Drejtorit të Përgjithshëm të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, tha më 7 shtator se suksesi i Kinës në kontrollimin e epidemisë ia vlen të festohet. Ai i bëri thirrje botës të mësojë nga tre masat kryesore që Kina ka marrë për të luftuar epideminë: ndërtimi në mënyrë gjithëpërfshirëse i infrastrukturës së shëndetit publik, kultivimi i një ndjenje të përgjegjësisë personale midis njerëzve dhe përmirësimi i vazhdueshëm i aftësisë gjithëpërfshirëse i trajtimit për t'u përgatitur plotësisht kundër kërcënimit të vazhdueshëm të epidemisë. Në këtë drejtim, Zhao Lijian theksoi:
"Përballë epidemisë COVID-19, Partia Komuniste e Kinës ka bashkuar dhe udhëhequr 1.4 miliardë kinezë, filloi një betejë sfiduese kundër epidemisë dhe arriti rezultate të mëdha strategjike në luftën kundër epidemisë. Kjo demonstroi plotësisht udhëheqjen jashtëzakonisht të fortë të Partisë Komuniste të Kinës dhe gjithashtu demonstroi një Kinë të vetëdijshme dhe të përgjegjshme".
Zhao Lijian tha se fjalimi i rëndësishëm i presidentit Xi Jinping në Konferecën Kombëtare të Dekorimit për Luftimin e Epidemisë në 8 shtator përmblodhi dhe shpjegoi frymën e madhe kineze anti-epidemike, pra "jeta është në vend të parë, i gjithë vendi është i një mendjeje, vetëmohimi për të tjerët, respekti për shkencën dhe fati i përbashkët". Kjo frymë jo vetëm që do të përshkojë të gjithë procesin e praktikës së madhe të luftës anti-epidemike të Kinës, por gjithashtu do të shndërrohet në një forcë të fuqishme për ndërtimin gjithëpërfshirës të një vendi modern socialist dhe realizimin e përtëritjes së madhe të kombit kinez.
Zhao Lijian tha se gjatë luftës së popullit kinez kundër epidemisë, komuniteti ndërkombëtar, duke përfshirë Organizatën Botërore të Shëndetësisë, i dhanë mbështetje të vlefshme Kinës në mënyra të ndryshme. Kina është gjithashtu nën një presion të jashtëzakonshëm për parandalimin dhe kontrollin e saj të epidemisë dhe ka bërë çmos për të ndihmuar bashkësinë ndërkombëtare, për të punuar krah për krah me vendet e tjera për të kapërcyer vështirësitë dhe për të ndihmuar në shpëtimin e mijëra jetëve në të gjithë botën me vepra konkrete. Kjo pasqyron dëshirën e sinqertë të Kinës për të nxitur ndërtimin e një bashkësie me të ardhme të përbashkët për njerëzimin.
"Siç theksoi presidenti Xi Jinping, përballë krizave të mëdha, asnjë vend nuk mund të qëndrojë i vetëm. Uniteti dhe bashkëpunimi janë mënyra e duhur në botë. Çdo egoizëm, fajësim i të tjerëve dhe ngatërrimi i së bardhës me të zezë do të sjellin fatkeqësi si për vendin ashtu edhe për njerëzit e tij. Po ashtu kjo do të sjellë dëm për njerëzit në të gjithë botën ". (Vera/Albana)