Të premten e kaluar NBC-ja u bë media e parë e huaj që u lejua të futet në Institutin e Virologjisë të Wuhan-it pas shpërthimit të epidemisë së COVID-19. Ky institut dhe punonjësit e tij janë bërë fokusi i spekulimeve dhe teorive konspirative nga Shtëpia e Bardhë.

Vizita dhe intervistimi zgjatën për afro 5 orë, duke përfshirë një vizitë në laboratorin BSL4. Drejtorja e institutit Wang Yanyi tha se ajo dhe kolegët ndihen se janë vënë në shënjestër në mënyrë të padrejtë. "Për fat të keq, jemi bërë 'dashi i kurbanit' për burimin e virusit,”u shpreh ajo.

Instituti i Virologjisë i Wuhan-it ka kapacitetet për të bërë studime mbi viruset dhe lëndët helmuese më të rrezikshme të botës dhe, për këtë arsye, është përfshirë në akuzat që kanë lidhje me epideminë.

Drejtoresha e tij Wang Yanyi dhe drejtori i degës së Wuhan-it të Akademisë së Shkencave të Kinës Yuan Zhiming dhanë një intervistë 50-minutëshe, duke mohuar fort që virusi ka buruar nga ky institut.

Yuan tha: “E kam theksuar shumë herë që, më 30 dhjetor 2019, kemi marrë mostrat e tipit SARS ose tipit të panjohur të pneunomisë nga spitalet. Para kësaj, ne nuk e kemi parë këtë lloj virusi. Pa e pasur këtë virus, është e pamundur që ai të ketë dalë jashtë laboratorit.” Wang u shpreh që asnjë shkencëtar i institutit nuk është infektuar nga ky virus dhe kjo provon që virusi nuk e ka burimin nga këtu.

Aleanca e Shëndetit dhe Mjedisit është një organizatë jofitimprurëse me seli në Nju-Jork, që merret me kërkimin dhe parandalimin e epidemive. Kryetari i saj Peter Dassack ka bashkëpunuar me Institutin e Virologjisë së Wuhan-it për 16 vjet, derisa qeveria amerikane shkurtoi fondet këtë vit. Ai e kundërshton idenë se virusi mund ta ketë prejardhjen nga laboratori. Dassack tha: "Sipas mendimit tim, fakti që ata publikuan renditjen e virusit aq shpejt tregon se nuk u përpoqën ta mbulonin." Më tej ai shtoi: "Nuk ka asnjë provë që virusi të ketë dalë nga laboratori".

Në maj të këtij viti, dr. Anthony Fauci, drejtor i Institutit Kombëtar të Alergjisë dhe Sëmundjeve Infektive të ShBA-së, i tha revistës "National Geographic" që nuk mendonte se ka pasur një dalje aksidentale të virusit nga laboratori.

OBSh-ja këmbëngul që koronavirusi i ri ka të ngjarë të ketë qarkulluar tek kafshët.

Yuan Zhiming tha: "Nuk dëshirojmë të shohim tensionimin e marrëdhënieve kino-amerikane, sepse kjo nuk është mirë për zhvillimin shkencor dhe për përparimin e stabilitetin botëror. (Çang Çuo)