Qysh nga shpërthimi i COVID-19, Kina ka bërë një "luftë popullore" në tërë vendin kundër virusit.

Nën drejtimin e vendosur të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Kinës, me shokun Xi Jinping në krye, Kina e ka vënë jetën dhe shëndetin e popullit në vendin e parë, duke shpërfaqur plotësisht filozofinë e vet të popullit në qendër.

Lufta gjithëpërfshirëse

Epidemia e COVID-19 është emergjenca e shëndetit publik me përhapjen më të shpejtë, shtrirjen më të gjerë dhe sfidat më të mëdha qysh nga themelimi i Republikës Popullore të Kinës.

"Mbyllja" e Wuhan-it

Bllokimi i qarkullimit dalës nga Wuhan-i, qyteti më i goditur nga virusi në provincën Hubei të Kinës Qendrore, më 23 janar, ishte një hap thelbësor për të frenuar shpërthimin e virusit.

"Mbyllja" e Wuhan-it, me një popullsi prej mbi 10 milionë banorësh, së bashku me masat e reagimit urgjent në zonat e tjera, ndihmoi në uljen me mbi 700 000 të numrit të të prekurve në Kinë, sipas analizës nga 15 institucione kërkimore globale.

Shumë shpejt filloi dërgimi i grupeve dhe materialeve mjekësore në Hubei.

346 grupe mjekësore dhe 42 600 punonjës mjekësorë u dërguan në Hubei, duke përfshirë grupet e drejtuara nga 10 akademikë dhe afro një të dhjetën e mjekëve dhe infermierëve të terapisë intensive më të mirë të vendit.

Burimet më të mira mjekësore u mblodhën së bashku për të shpëtuar jetë. Shpenzimet mjekësore për pacientët me COVID-19 të shtruar në spital u mbuluan plotësisht nga sigurimet mjekësore dhe fondet fiskale.

"Koncepti kolektivist i të drejtave të njeriut, i rrënjosur në kulturën tradicionale kineze, është një shkak i rëndësishëm për masat e parandalimit dhe kontrollit efektiv të epidemisë," tha Liu Huawen, drejtori ekzekutiv i Institutit të Studimit të të Drejtave të Njeriut pranë Akademisë Kineze të Shkencave Shoqërore.

Fu Zitang, rektori i Universitetit Jugperëndimor të Shkencave Politike dhe Drejtësisë, tha se Kina e ka vënë gjatë kësaj lufte jetën mbi gjithçka tjetër dhe ka marrë masa të jashtëzakonshme për të siguruar arritje strategjike në frenimin e COVID-19.

"Kjo luftë gjithëpërfshirëse kundër COVID-19 garanton të drejtat e njeriut," theksoi Fu.

Sigurimi i të drejtave të zhvillimit të njeriut

Gjatë frenimit të epidemisë, Kina mori gjithashtu masa për normalizimin e jetës së përditshme, sepse sigurimi i punësimit, i jetesës dhe arsimit të njerëzve është kyç për të garantuar të drejtat e tyre të zhvillimit.

Kompanitë u çliruan nga kontributet e sigurimeve shoqërore me një vlerë të përgjithshme prej mbi 340 miliardë juanësh (48.6 miliardë dollarë amerikanë) në periudhën nga shkurti në prill. Subvencione prej 46.5 miliardë juanësh iu dhanë 3.45 milionë kompanive për t'i ndihmuar të kapërcyejnë vështirësitë dhe të pakësojnë pushimet nga puna.

Kina e luftoi virusin ashtu siç lufton varfërinë. Zhdukja e varfërisë absolute është një aspekt i rëndësishëm për të promovuar të drejtat e njeriut.

Kina synon nxjerrjen nga varfëria brenda këtij viti të të gjithë banorëve të fshatit që jetojnë nën nivelin zyrtar të varfërisë.

Në arsim, qeveria ka nxitur shkollat që të ofrojnë kurse në internet gjatë epidemisë dhe ka dhënë ndihmë për nxënësit dhe studentët në nevojë.

Mbrojtja e të drejtave të ndryshme

Gjatë luftës kundër COVID-19, Kina nuk ka lënë mënjanë të drejtat e njerëzve me aftësi të kufizuara.

Komisioni Kombëtar i Shëndetësisë ka ndihmuar njerëzit me aftësi të kufizuara që të kenë më shumë informacione dhe shërbime më të mira.

Për njerëzit me vështirësi financiare janë ofruar subvencione dhe janë vënë në jetë politika mbështetëse.

Të drejtat e publikut për mbikëqyrje janë garantuar. Qeveria ka ngritur një platformë në internet për të mbledhur ankimet e njerëzve mbi problemet e zbuluara prej tyre gjatë përpjekjeve për kontrollin e epidemisë.

Duke filluar nga fundi i janarit, janë organizuar rregullisht konferenca shtypi nga mekanizmi i përbashkët i parandalimit dhe kontrollit të COVID-19 i Këshillit të Shtetit, për të garantuar informimin e publikut për çështje si trajtimi i pacientëve, shpërndarja e furnizimeve, rifillimi i punës e prodhimit dhe rihapja e shkollave.

Forcimi i bashkëpunimit ndërkombëtar

Në qershor, Këshilli i të Drejtave të Njeriut i OKB-së miratoi një rezolutë të paraqitur nga Kina mbi bashkëpunimin lidhur me të drejtat e njeriut.

Kjo rezolutë bën thirrje për të formuar një lloj të ri marrëdhëniesh ndërkombëtare në bazë të respektit reciprok, barazisë dhe bashkëpunimit me përfitime të ndërsjella, si dhe për ndërtimin e një bashkësie me një të ardhme të përbashkët të njerëzimit.

Me shpërthimin e pandemisë së COVID-19 në botë, më shumë vende e kanë njohur rëndësinë e bashkëpunimit, siç ilustrohet nga ajo që ka bërë Kina.

Kina ia raportoi me shpejtësi informacionet mbi COVID-19 Organizatës Botërore të Shëndetësisë dhe ndau renditjen e gjenomit në kohën më të hershme të mundshme, duke zhvilluar bashkëpunim ndërkombëtar mes ekspertëve të parandalimit dhe kontrollit të epidemisë shumë shpejt.

Kina u dha kohë të çmuar vendeve të tjera të botës, duke mbajtur përgjegjësinë e saj si një vend i madh.

Mbi 170 vende dhe më shumë se 40 organizata ndërkombëtare e rajonale shprehën simpati dhe mbështetje për Kinën.

Deri në fund të majit, Kina ndau përvojat e diagnostikimit, trajtimit, parandalimit dhe kontrollit të epidemisë me më shumë se 180 vende dhe mbi 10 organizata ndërkombëtare e rajonale, dërgoi grupe mjekësore në vendet në nevojë dhe u ofroi ndihmë urgjente afro 150 vendeve dhe katër organizatave ndërkombëtare.

Kina, si një vend i madh i përgjegjshëm, do të qëndrojë e përkushtuar në garantimin e të drejtave të ndryshme të njeriut dhe do të vazhdojë nxitjen e zhvillimit të shëndetshëm në fushën e të drejtave të njeriut.(Xu Guang)