Të martën pasdite u hap mbledhja e 5-të vjetore e Bankës Aziatike për Investimet Infrastrukturore (BAII) në formën e videokonferencës. Në përgjigje ndaj epidemisë së koronavirusit të ri, BAII-ja ka siguruar gati 6 miliardë dollarë ndihmë financiare për anëtarët e saj, gjë që është vlerësuar lart nga të gjitha palët. Këshilli i bankës zgjodhi Jin Liqun-in, presidentin e tanishëm, për një mandat të dytë pesëvjeçar në krye të BAII-së.
Që nga shpërthimi i epidemisë, BAII-ja ka vepruar shpejt dhe ka krijuar një fond urgjent për të mbështetur anëtarët e vet në përgjigjen ndaj epidemisë dhe në mëkëmbjen e ekonomisë. Në ceremoninë e hapjes së mbledhjes së 5-të vjetore, presidenti i BAII-së Jin Liqun theksoi:
"Si pjesë e përgjigjes së përbashkët ndërkombëtare ndaj epidemisë, BAII-ja reagoi shpejt dhe krijoi një fond të rimëkëmbjes nga kriza për t'u përballur me ndikimin e epidemisë. Fondi ka ofruar rreth 12 miliardë dollarë ndihmë financiare për 12 vende e rajone anëtare. Aktualisht, BAII-ja ka siguruar gati 20 miliardë dollarë amerikanë investime infrastrukturore për anëtarët e saj."
BAII-ja u themelua zyrtarisht më 16 janar 2016 dhe synon të promovojë ndërtimin e infrastrukturës dhe ndërlidhjes në Azi, thellimin e bashkëpunimit rajonal dhe arritjen e zhvillimit të përbashkët. Banka funksionon në përputhje me modelin dhe parimet e bankës shumëpalëshe të zhvillimit dhe ndjek standarde të larta ndërkombëtare. Ajo është rritur nga 57 vende e rajone themeluese në fillim në 102 të tilla, nga Azia, Evropa, Afrika, Amerika e Veriut, Amerika e Jugut dhe Oqeania. BAII-ja ka miratuar dhjetëra projekte, në fusha si energjia, transporti, financat, burimet ujore dhe zhvillimi urban.
U Soe Win, nënkryetar i Këshillit të Bankës Aziatike për Investimet Infrastrukturore dhe ministri i Planifikimit dhe Financave i Mianmarit, tha se përballë epidemisë, Mianmari ka marrë masa për të ulur taksat dhe për të siguruar mbështetje financiare për fermerët dhe ndërmarrjet e vogla e të mesme dhe mikrondërmarrjet. Falë mbështetjes së institucioneve ndërkombëtare shumëpalëshe të zhvillimit, përfshirë BAII-në, Mianmari ka qenë në gjendje t'i zbatojë këto masa.
"Ne e vlerësojmë propozimin e BAII-së për krijimin e një fondi të mëkëmbjes nga kriza për të përballuar epideminë e koronavirusit dhe përdorimin e një fondi të veçantë për të zbutur barrën financiare të anëtarëve," tha ai.