Gjatë situatës më serioze të epidemisë në Itali sivjet, infermierja Ilaria Marzotti ka punuar në një spital të përgjithshëm, duke u përpjekur të shpëtojë jetën e sa më shumë pacientëve të prekur nga COVID-19. Ajo ka mësuar gjuhën kineze dhe e ka kuptuar thellësisht konceptin konfucian "Mirësia është virtyti më i lartë", duke forcuar më tej bindjen profesionale se, si punonjëse mjekësore, ajo duhet të jetë një "ëngjëll i bardhë".
Ilaria Marzotti ka studiuar për infermieri. Sapo mori gradën “master” sivjet, ajo u përball me epideminë e COVID-19. Nga dhjetëditori i dytë i marsit deri në fund të qershorit, ajo punoi në një spital të madh të përgjithshëm në Firence të Toskanës, e cila ishte një ndër pesë rajonet me situatën epidemike më serioze në Itali. Numri i pacientëve në spital u shtua shumë gjatë kësaj periudhe dhe Ilaria Marzotti, që sapo kishte filluar punë, ndjeu një presion shumë të madh:
"Lodhesha shumë dhe djersitja kur mbaja maskë dhe veshje mbrojtëse. Puna e infermieres bëhej më e vështirë kur mbaja veshje mbrojtëse, dukej sikur mbaja një koracë. Kisha presion të madh gjatë turneve. Gjendja emocionale në punë më shoqëronte edhe në shtëpi. Ne punonjësit mjekësorë ishim shumë të lodhur, edhe sepse ngarkesën shpirtërore në punë e merrnim me vete në shtëpi."
Pacientët e prekur nga COVID-19 ishin të ndarë në dhoma të veçanta dhe nuk mund të kontaktonin me botën e jashtme. Ilaria dhe punonjësit e tjerë mjekësore u jepnin atyre pandërprerë nxitje shpirtërore. Në prill, epidemia në Itali u vu nën kontroll dhe numri i pacientëve në spital erdhi duke u pakësuar. Me njohjen e mëtejshme të këtij virusi, punonjësit mjekësorë mund të bënin trajtim më efektiv. Ilaria Marzotti, që kishte studiuar gjuhën kineze për katër vjet, e kuptoi edhe më thellësisht konceptin e Konfucit "Mirësia është virtyti më i lartë" nëpërmjet përvojës së punës në këtë periudhë.
Ilaria Marzotti ka lindur në qytetin Prato, ku gjendet një nga bashkësitë më të mëdha të kinezëve në Evropë. Ajo e mësoi gjuhën kineze në Institutin “Konfuci” pranë Universitetit të Firences dhe më pas shkoi për të studiuar në Universitetin Tongji të Shangait të Kinës për gjysmë viti. Ajo mori pjesë edhe në orë të mësimit të mjekësisë tradicionale kineze gjatë studimit në këtë universitet:
"Aty ndoqa një kurs të veçanë, ku mësohej akupunktura, moksibustioni etj. Ky ishte një kurs interesant. Mjekësia tradicionale kineze ka shumë trashëgime të çmuara dhe shumë përfitime për shëndetin. Përvoja mësimore në Kinë më la përshtypje të thellë. Do t’i njoh më tej gjuhën e kulturën kineze dhe do të jap kontributin tim për kinezët që jetojnë në Itali, si pjesë e shkëmbimeve mes Kinës e Italisë."
Edhe Florence Nightingale, që njihet si themeluesja e infermierisë moderne, ka lindur në Firence. Ilaria Marzotti e sheh Nightingale-n si model dhe është krenare për profesionin e vet. Për shkak të përvojës së mësimit të gjuhës kineze, Ilaria e kupton thellësisht nevojën e shkëmbimeve ndërmjet punonjësve mjekësorë kinezë dhe italianë. Ajo shpreson se do të japë ndihmesë për forcimin e shkëmbimeve mjekësore ndërmjet dy vendeve. (Xu Guang)