Të dhënat nga autoritetet doganore të Kinës tregojnë se prej muajit prill, importi i Kinës ka shënuar rritje për tre muaj, ndërsa në qershor import-eksportet patën rritje përkatësisht 4.3% dhe 6.2%, gjë që vërteton rezultatet e përpjekjeve të qeverisë kineze në mbajtjen e qëndrueshmërisë së tregtisë së jashtme.

Lidhur me këtë, Grupi Mediatik i Kinës botoi një koment, ku shtjellohen arsyet e rritjes.

Sipas komentit, diversifikimi i partnerëve tregtarë ka luajtur një rol të rëndësishëm mbështetës, në veçanti vendet e Azisë Juglindore. Të dhënat tregojnë se në gjysmëvitin e parë, vëllimi tregtar me vendet e këtij rajoni zuri 14.7% e totalit të import-eksportit të Kinës, gjë që e bën ASEAN-in të tejkalojë Bashkimin Europian si partneri më i madh tregtar i Kinës.

Sipërmarrjet private po ngrenë peshën e tyre në strukturën e tregtisë së jashtme të Kinës. Në gjashtë muajt e parë të këtij viti, vëllimi i tregtisë ndërkufitare i ndërmarrjeve private kineze zuri 45.1% e totalit të vendit, shifër kjo 3.5 pikëpërqindje më e lartë në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Tani, operatorët privatë të tregut kanë kaluar ata të huaj, duke u bërë forca më e madhe e tregtisë së jashtme të Kinës.

Arsyet e tjera që kanë kontribuuar në rikuperimin e tregtisë së jashtme të Kinës janë vënia në kontroll të shpejtë të epidemisë dhe politikat e favorshme qeveritare. Meqë Kina rinisi e para punën dhe prodhimin, kjo ka stimuluar rritjen e kërkesave të tregut të brendshëm për mallrat e jashtme. Ndërsa, eksporti i produkteve vetëmbrojtëse mjekësore është një faktor i pamohueshëm. Në të njëjtën kohë, qeveria kineze ka nxjerrë një sërë politikash për të mbështetur ndërmarrjet që merren me tregtinë e jashtme. Të dhënat nga Drejtoria Tatimore e Kinës tregojnë se në pesë muajt e parë të sivjetshëm, ndërmarrjet kanë marrë ribursim prej 632.4 miliardë juanësh të tarifave doganore.

Në fund të komentit vihet në dukje se në kushtet e gjendjes serioze kur pandemia vijon të përhapet në vende të ndryshme dhe ekonomia globale po ngadalësohet, tregtia e jashtme e Kinës po përballet me më shumë paqëndrueshmëri dhe duhet të mbahet qëndrimi i matur për paraqitjen e tregtisë së jashtme në gjysmëvitin e dytë.

"Megjithatë, Kina është e vendosur të bëjë përpjekje për të stabilizuar tregtinë e jashtme, duke shtuar besim te zinxhiri global i furnizimit për të dhënë kontribut për rritjen ekonomike globale dhe thellimin e globalizimit ekonomik", thuhet në komentin e CMG-së.