Hong-Kongu do të forcojë përsëri masat antipandemike, në sfondin e një numri rekord të rasteve të reja të raportuara aty.
Kryeekzekutivja Carrie Lam thotë se masat kryesore kanë të bëjnë me distancimin shoqëror, duke përfshirë mbylljen e vendeve të argëtimit.
Do të shpallet edhe një rregullore e re për ta bërë të detyrueshme që qytetarët të mbajnë maska kur udhëtojnë me transportin publik.
Restorantet gjithashtu nuk do të lejohen të shërbejnë nga ora 6 e mbrëmjes deri në 5 të mëngjesit, por mund të ofrojnë shërbime të marrjes me vete të ushqimit.
Aktualisht atyre u lejohet t’u shërbejnë deri në katër klientëve për tryezë.
Lam thotë se kontrollet kufitare gjithashtu do të bëhen më të rrepta për të parandaluar rastet e virusit nga jashtë.
Vizitorët që kanë udhëtuar në zona me rrezik të lartë gjatë 14 ditëve të fundit duhet të dalin negativë në testin për COVID-19 para se të hyjnë në Hong-Kong.
Në qytet ka pasur një shtim të rasteve të koronavirusit të ri në javët e fundit, pas zbutjes së disa masave të kontrollit.
Hong-Kongu raportoi 41 infeksione të reja të brendshme të hënën, një numër i lartë për sa i përket numrit ditor të rasteve të konfirmuara.