Më 9 korrik, revista e njohur britanike “The Lancet” publikoi një artikull të disa studiuesve amerikanë, ku thuhet që tërheqja e ShBA-së nga OBSh-ja jo vetëm është e paligjshme, por edhe kërcënon sigurinë shëndetësore të ShBA-së dhe tërë botës.
Studiues nga universitete si “Georgetown” dhe “Yale”, Kolegji Kombëtar Mjekësor dhe Shoqata e Shëndetit Publik e ShBA-së kanë theksuar në këtë artikull se ShBA-ja është futur në OBSh pas miratimit nga Kongresi amerikan të rezolutës së OKB-së të vitit 1948. Kjo rezolutë është mbështetur nga administratat e ndryshme amerikane.
Ish-presidenti Harry Truman e ka pohuar qartë që kjo rezolutë është baza ligjore për anëtarësimin e ShBA-së në OBSh. Shpallja e njëanshme nga qeveria amerikane e largimit nga OBSh-ja është kundër ligjit amerikan, sepse nuk është miratuar nga Kongresi.
Krahas kësaj, sipas ligjit përkatës, SHBA-ja duhet medoemos të zbatojë detyrimet financiare dhe të bëjë pagesat e detyrueshme për OBSh-në para fundit të vitit 2021.
Sipas artikullit, tërheqja e ShBA-së nga OBSh-ja do të shkaktojë pasoja të rënda për sigurinë, diplomacinë dhe rolin e ShBA-së në mbarë botën. Për arsye që OBSh-ja ka ndikim jashtëzakonisht të madh në botë, qeveria amerikane do ta ketë të vështirë një largim të vërtetë.
P. sh., në Qendrën e Kontrollit dhe Parandalimit të Sëmundjeve të ShBA-së ka 21 nënqendra që kanë bashkëpunim me OBSh-në. Krahas kësaj, ShBA-ja është vendi nismëtar i dy marrëveshjeve të OBSh-së dhe shumë institucione amerikane kanë bashkëpunim studimor me OBSh-në. Nëse ndërpriten lidhjet mes dy palëve, këto projekte do të cenohen dhe ShBA-ja do të pësojë dëme të rënda lidhur me reagimin ndaj pandemive.
Në artikull thuhet gjithashtu që, pas largimit nga OBSh-ja, ShBA-ja do të jetë vetëm një spektatore e reformave kyçe me efekt global. Projektet e pavarura amerikane nuk mund të zëvendësojnë institucionet botërore. Në këtë botë shumëpolare, mungesa e marrëveshjeve do të thotë që ShBA-ja vetë do të humbasë rastin e bashkëpunimit me vendet e tjera.
Për sigurinë shëndetësore, ShBA-ja dhe e gjithë bota duhet të bashkëpunojnë me OBSH-në dhe ndërprerja e lidhjeve me këtë organizatë ndërkombëtare do të shkaktojë dëme gjigante, duke ulur nivelin e sigurisë së amerikanë. Kjo është gjëja e fundit që dëshiron sot bota, e cila po përballon një emergjencë shëndetësore historike, përfundon artikulli i “The Lancet”.
(Jiang Lei)