Në mbrëmjen e 5 dhjetorit, në teatrin “Poly” të Qendrës së Kulturës dhe Artit të Kunshan-it në provincës Jiangsu të Kinës Lindore, u mbajt Galaja e Vitit të Ri të Bashkëpunimit Kinë- Vendet e Europës Qendrore dhe Lindore. Artistët nga Kina dhe vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore prezantuan një "festë arti" ku u ndërthurën Lindja dhe Perëndimi, tradita dhe moderniteti. Ishin të pranishëm zv.ministri i Punëve të Jashtme të Kinës dhe Sekretari i Përgjithshëm i Sekretariatit të Bashkëpunimit Kinë-Vendet e EQL-së Çin Gang dhe titullarë diplomatikë të vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore në Kinë.
Qyteti Kunshan është vendlindja e operës Kunqu, një thesar i operës tradicionale kineze, kështu që Kunqu nuk kishte si të mungonte në këtë shfaqje gala. Fragmentet nga opera Kunqu "Lufta e Malit të Artë" dhe "Shiu i Wutong-ut" e magjepsën publikun. Përveç operës tradicionale kineze, akrobacisë, muzikës popullore dhe arteve të tjera tradicionale me karakteristika kineze, të pranishmit shijuan gjithashtu valle popullore, simfoni dhe opera klasike nga 17 vende të Evropës Qendrore dhe Lindore, përfshirë Shqipërinë. Pjesë e shfaqjes ishin vallja tradicionale bullgare "Horo", "Shpirt me shpirt" nga valltarët e Maqedonisë së Veriut, pjesa për piano e Shopenit "Nokturn në Do diezis minor", "Rapsodi kroate", aria e Rusalkës nga opera me të njëjtin emër e kompozitorit çek Antonin Dvorak, kënga lituaneze "Ruta"etj. Në më shumë se dy orë, qindra artistë kinezë dhe të huaj paraqitën me interpretimet e tyre kulturën e shkëlqyer të Kinës dhe të vendeve të Evropës Qendrore e Lindore.
Ambasadori shqiptar në Kinë, z. Selim Belortaja, u shpreh: ”Jam shumë i impresionuar me performancën e galasë sot dhe mendoj që me këtë gala plotësojmë plotësisht tablonë e ‘17+1’ në të gjitha aspektet e shkëmbimeve ekonomike, sociale e kulturore. Paraditen e sotme ne patëm mundësi të njohim vlerat, bukurinë dhe zhvillimin e Kunshan-it si një model i zhvillimit të shpejtë të bazuar në inovacion, dhe në bisedat e ditës shkëmbyem shumë mendime për bashkëpunimin ekonomik midis vendeve tona. Ndërsa në këtë gala, në mbrëmjen me rastin e fundvitit për platformën e ‘17+1’, mendoj që plotësojmë dhe një dimension tjetër, që është dimensioni kulturor dhe shpirtëror i vendeve tona. Kjo gala na tregon se sa potencial, sa fuqi kanë vendet kur bashkëpunojnë.”
Kjo është hera e parë sivjet që zhvillohet në Kinë një veprimtari e përmasave të mëdha për nxitjen e shkëmbimeve njerëzore në kuadër të mekanizmit “17+1” ndërmjet Kinës dhe vendeve të Europës Qendrore e Lindore (EQL). Para shfaqjes, të ftuarit vizituan dy ekspozita për rezultatet e bashkëpunimit në fushat e botimeve dhe bujqësisë.
Të dielën, ata bënë vizita në kompani teknologjike dhe zhvilluan diskutime me autoritetet vendore për mundësinë e biznesit, tregtisë dhe investimeve me palën kineze.
Mekanizmi i bashkëpunimit “17 +1”, që u krijua në vitin 2012, është një nismë e propozuar nga Kina për të forcuar shkëmbimet e gjithanshme me vendet e Europës Qendrore e Lindore. Vëllimi i tregtisë midis Kinës dhe vendeve të EQL-së i kalon tani 95 miliardë dollarët amerikanë. Infrastruktura, energjia, bujqësia, tregtia ndërkufitare, turizmi dhe teknologjia janë fushat kryesore të bashkëpunimit.(Zhan Dian/Artan)