Gjergji Doka ka përfunduar studimet në Fakultetin e Mjekësisë për logopedi dhe tashmë ushtron profesionin e pedagogut në Universitetin e Tiranës dhe atë të Elbasanit. Ai gjithashtu ka marrë pjesë në shumë trajnime dhe konferenca kombëtare dhe ndërkombëtare të logopedisë, si dhe ka realizuar një dokumentar sensibilizues në këtë fushë.
Në një intervistë për Grupin Mediatik të Kinës (CMG) Z.Doka tregon për eksperiencën e tij si logoped si dhe të veçantat që ka zbuluar në këtë fushë.
Gjergji Doka (Foto personale)
CMG: Ju keni pëfunduar studimet në degën e logopedisë, por si e zgjodhët këtë fushë për të vijuar me karrierën si logoped?
Gjergji Doka: Është shumë interesante, sepse në kohën kur unë kam zgjedhur logopedinë, kjo degë nuk njihej fare dhe unë doja ta zbuloja se çfarë ishte. Realisht e dija që merret me fëmijët, por nuk e dija specifikisht se ku mund të qëndronte puna e këtij profesionisti nesër. E zgjodha për ta zbuluar dhe kisha dëshirë që të isha i pari tek një degë që e njihja dhe ta shtroja vetë rrugën. Ishte një degë e re dhe nuk njihja asnjë profesionist tjetër të kësaj fushe, mendova që ta zbuloja vetë.
CMG: Si rezultoi si degë në vitin e parë të studimeve dhe a zbuluat atë që ju donit te kjo degë?
Gjergji Doka: Kanë qenë momente të vështira për këtë degë sepse duke mos pasur profesionistë, pra nuk kishe as pedagogë apo lektorë që të na jepnin mësimet në këtë fushë. Pedagogët kanë qenë kryesisht mjekë ose të një profesioni tjetër që mund të ishte i përafërt, dhe realisht kjo gjë më mërziste pak, por lumturohesha me faktin që ne do të ishim brezi i parë.
Gjergji Doka gjate nje aktiviteti (Foto personale)
Logopedia është një fushë e gjerë sepse nuk merret vetëm me fëmijët siç e dija unë, por merret dhe me të rriturit. Çrregullimet dhe patologjitë e të folurit ishin në një prejardhje aq të ndryshme saqë puna e logopedit do të ishte shumë intuitive, dhe kjo gjë më pëlqeu sepse do të vija intuitën time në punë bashkë me aftësitë profesionale, gjë që u ndërtua dhe u zbulua gradualisht ndër vite.
CMG: Ka studentë që përzgjedhin degë që janë të reja në mënyrë që të punësohen më lehtë. Ka qenë kjo gjë në mendjen tuaj në fillim të zgjedhjes së kësaj dege?
Gjergji Doka: Dikur në kohën time, se po flas për para 13 viteve, ka qenë një mendësi e tillë por unë nuk kisha në fokus punësimin sepse e dija se kjo fushë edhe sot e ka të vështirë punësimin, por kisha në fokus të zbuloja diçka. Ndërkohë që në ditët e sotme nuk është më kështu, sepse njerëzit zgjedhin degët që kanë emër për t’u larguar jashtë shtetit, siç është mjekësia apo infermieria. Dikur ka qenë kjo gjë, mbase tek unë nuk ka ndikuar shumë sepse profesioni im nuk kishte punë dhe që nuk dija se ku do punoja dhe si do punoja. Perspektiva në mendjen time ka qenë që edhe pse kjo degë nuk ka vende pune tani, por do të ketë një ditë dhe realisht kush ka pasur dëshirë dhe vullnet për të punuar në këtë degë ka punuar, pavarësisht pozicioneve të punës që ka ofruar tregu dhe shteti shqiptar.
CMG: Ju i jeni përkushtuar maksimalisht këtij profesioni, duke organizuar dhe mjaft aktivitete sensibilizuese. Flasim për aktivitetet e organizuara deri tani në këtë fushë.
Gjergji Doka gjate nje konference (Foto personale)
Gjergji Doka: Unë kam qenë pjesë e takimeve që bëhen për logopedinë, por mbi të gjitha kam realizuar në bashkëpunim me disa miqtë e mi një dokumentar mbi fushën e logopedisë në Shqipëri. Për fatin e keq terreni është pak i vështirë nga instancat dhe politikbërësit për degën tone, sepse nuk gjetëm ndonjë përkrahje shumë të madhe, mbase dhe nga kolegët ose profesionistët e tjerë, duke ditur që ne jemi pak në numër, sot diçka më tepër por dhe të pa organizuar ku dhe bashkëpunimi nuk është i madh për aktivitete të tilla. Unë do të doja të kisha pasur shumë më tepër sesa kaq aktivitete. Gjithashtu kemi pasur aktivitete dhe me studentët ngaqë unë jam dhe në universitet, dhe me brezin e ri jam munduar që të bëj diçka që kam dashur të bëja dikur, por gjithësesi terreni për t’i zhvilluar aktivitetet mbetet akoma i paeksploruar. Pra është gjithmonë e vështirë që të çash rrugën.
CMG: Cili ishte impakti i këtij dokumentari për publikun e gjerë?
Gjergji Doka ne studio gjate nje emisioni (Foto personale)
Gjergji Doka: Dokumentari ishte parashikuar për të sensibilizuar politikëbërësit për degën e logopedisë, pra për vendet e punës, për shkollimin dhe shumëçka që i takon kësaj fushe. Impakti më i madh nuk ishte tek këta që ne i adresoheshim, ishte te studentët dhe përfituesit e këtij shërbimi, por edhe te kolegët e tjerë që i përkasin profesioneve të ndryshme. Ishte një përkrahje që unë nuk e prisja nga këta të fundit dhe shpresoja që të ndodhte ky impakt tek ata të cilët i hartojnë politikat për këtë profesion.
CMG: Prej disa vitesh ju ushtroni dhe profesionin e pedagogut në universitet. Si ka qenë interesi i studentëve që zgjedhin për të studiuar në këtë degë?
Gjergji Doka: Me këtë degë e kanë të vështirë të punësohen, gjithashtu dhe largimi jashtë vendit nuk është shumë famoz për këtë fushë, dhe është vështirë njësimi i liçenses së diplomës jo vetëm në Gjermani por dhe në shtete të tjera. Gjermania është më e thjeshtë sepse na njihet diploma pa njësim. Duke qenë mungesa e vendeve të punës në Shqipëri dhe vështirësitë për të ikur jashtë, sigurisht që bie interesimi dhe fatkeqësisht edhe niveli i studentëve që përzgjedhin logopedinë.
Logopedia kërkon vend të mirë ashtu si dega e mjekësisë sepse ne duhet të kemi intuitë jo vetëm në vlerësimet diagnostike për qarkullimin e gjuhës së të folurit, por edhe në trajtimin. Njeriu është ndryshe në momente të ndryshme se futen emocione dhe gjëra psikologjike, shoqëria dhe gjithçka që mund të ndikojë, ndikon tek e folura. Fatkeqsisht interesi nuk është aty ku duhet ose diçka që mua do më kënaqte si pedagog në këtë fushë.
CMG: Keni menduar ndonjëherë që të largoheni nga Shqipëria dhe të investoni në karrierën tuaj jashtë shtetit?
Gjergji Doka, (Foto personale)
Gjergji Doka: Një ndër arsyet pse unë jam akoma këtu është që gjithmonë kam dashur të zhvillohem në aspektin profesional dhe ta ndërtoj karrierën këtu në Shqipëri, sepse kam parë një fushë ta pa eksploruar. Në imagjinatën time, intuitë dhe dëshirë me këtë punë mund të arrinim larg në bashkëpunime në këtë fushë, por po shikoj vështirësi që nuk kanë të bëjnë vetëm me profesionin, por dhe me jetën që është bërë shumë dinamike dhe e vështirë.
Unë kam qenë nëpër trajnime dhe konferenca jashtë dhe kam parë se sa interesant është ta zhvillosh profesionin diku tjetër kur infrastruktura për këtë profesion është goxha e ndërtuar, dhe ishte shumë e thejshtë ta zhvilloje dhe të ecje edhe në aspektin akademik apo shkëncor të këtij profesioni. Kjo është gjëja që do të më bënte të ikja, por sigurisht me kokën pas, jam ende kështu në një moment të turbullt për këtë gjë. Unë shpresoj që gjithçka të rregullohet në vendin tonë, ta rregullojmë bashkarisht që askush të mos ikë më, sepse është një ikje shumë e madhe profesionistësh që po ndodh dhe Shqipëria po vuan për këtë gjë.
CMG: Si janë marrëdhëniet tuaja me studentët në universitet?
Gjergji Doka: Do të thoja që të jesh mes rinisë, qëndron gjithmonë i ri. Unë jam përpjekur që gjithmonë ta kuptoj këtë moshë sepse kam qenë jo shumë vite larg në atë pozicion dhe në atë moshë, kështu që jam munduar që marrëdhëniet e mira t’i kuptoj në të gjitha aspektet dhe mendësitë që ata kanë, dëshirat për mësimin, dëshirat për të qenurit student. Mendoj që kam marrëdhënie të mira, nuk e di nëse ka ndonjë student që mund të lobojë për të kundërtën, por nuk besoj.
CMG: Çfarë ju ka ofruar Elbasani, qyteti juaj i lindjes, që nuk jeni larguar prej tij?
Gjergji Doka: Unë këtu kam familjen dhe një ndër arsyet ka qenë familja që jam afruar, por edhe mundësia që ky qytet mbase më ka dashur vërtetë, më ofroi mundësinë e parë për punë parpara kryeqytetit. Gjatë kohës që unë isha në studimet master, kam qenë nga të paktët studentë të logopedisë që u punësova. Këtu kam krijuar njëfarë rutine dhe stabiliteti dhe nuk e di se çfarë mund të më sjellë e ardhmja, por dhe meqë Elbasani është shumë afër me Tiranën ku shkoj për arsye pune në Tiranë dhe rikthehem për të jetuar në Elbasan.
CMG: Së fundi një përshëndetje për dëgjuesit dhe miqtë tuaj.
Gjergji Doka: Dua t’i përshëndes të gjithë dhe t’ju them që kushdo që dëgjon emisionet tuaja dhe radion tuaj, unë shikoj që ka akoma atë shpirtin magjik që radio të ofron, kështu që shpresoj që ta bëjnë gjatë dhe sa më shumë njerëz këtë gjë sepse radio është ushqim për shpirtin dhe ndryshe nga televizioni apo çdo lloj rrjeti social që është sot. Ju uroj të gjithëve një verë të këndshme dhe pushime sa më të mbara.
CMG: Faleminderit për intervistën dhe ju uroj shëndet dhe suksese!
Intervistoi: Gazmend Agaj