Ndryshimet klimatike do të nxisin kalimin e mijëra viruse mes specieve të ndryshme gjatë 50 viteve të ardhshme. Sipas një studimi të fundit, disa nga këto transmetime do të ndodhin midis kafshëve dhe njerëzve, duke rritur gjasat e pandemive të ardhshme.

Udhëtarët e veshur me maska ecin brenda aeroportit John F. Kennedy në New York City më 19 Prill 2022.

Udhëtarët e veshur me maska ecin brenda aeroportit John F. Kennedy në New York City më 19 Prill 2022.


Transmetimi viral midis kafshëve dhe njerëzve nuk është i pazakontë dhe ka çuar në shpërthime të shumta të rënda të sëmundjeve, duke përfshirë Ebolën, gripin e shpendëve dhe Covid 19, që mendohet se ka origjinën te kafshët.
Në një studim të botuar në revistën “Nature”, shkencëtarët në universitetin “Georgetown” thonë se efektet e ngrohjes globale do të çojnë mijëra specie në habitate dhe rajone të reja, duke krijuar kushte ku ngjarjet zoonotike bëhen shumë më të zakonshme.
Duke përdorur modelimin gjeografik, studiuesit parashikojnë se ndryshimi i klimës do të detyrojë më shumë se 3,100 lloje gjitarësh të zhvendosen në habitate të reja deri në vitin 2070, duke nxitur rreth 4,000 herë transmetimin e viruseve mes specieve.
Në disa raste, vetëm një virus do të kërcejë nga një specie në tjetrën, ndërsa në të tjera, viruse të shumta mund të transmetohen nga një specie.
Disa prej këtyre specieve do të lëvizin në zona me popullsi të dendur, duke rritur rrezikun që një virus i ri të përfshihet në një komunitet njerëzor dhe ndoshta të shkaktojë një pandemi.
Colin Carlson, një biolog i ndryshimeve globale në universitetin “Georgetown” dhe autori kryesor i punimit, tha se tregtia e kafshëve të egra prodhon kushte me rrezik të lartë për zoonozën, pasi njerëzit bien kontakt me kafshët.
"Por tregjet nuk janë më raste të veçanta. Në një klimë në ndryshim, ky lloj procesi do të jetë realiteti në natyrë pothuajse kudo",- tha Carlson.
Për shkak të aftësisë së tyre për t'u shpërndarë në diapazon të gjerë, studiuesit thanë se lakuriqët e natës do të përbëjnë pjesën më të madhe të ndarjes së re virale.
"Kur një lakuriq brazilian me bisht të lirë arrin deri në Appalachia, ne duhet të investohemi për të mësuar se çfarë virusesh ka marrë me vete”,- thotë Carlson. "Përpjekja për të dalluar këto kërcime të pritësve në kohë reale është e vetmja mënyrë se si do të jemi në gjendje të parandalojmë që ky proces të çojë në më shumë përhapje dhe më shumë pandemi".
Drejtori i programit në Fondacionin Kombëtar të Shkencës së Shteteve të Bashkuara, Sam Scheiner, tha se pandemia e Covid 19 dhe përhapja e mëparshme e SARS-it, Ebolës dhe Zikës, tregojnë se si një virus që kërcen nga kafshët te njerëzit mund të ketë efekte masive.
"Për të parashikuar kërcimin e tyre te njerëzit, ne duhet të dimë për përhapjen e tyre midis kafshëve të tjera",- tha Scheiner. "Ky hulumtim tregon se si lëvizjet dhe ndërveprimet e kafshëve për shkak të një klime që shkon drejt ngrohjes mund të rrisin numrin e viruseve që transmetohen mes specieve të ndryshme".

VCG

VCG


Shkrimtari David Quammen, autor i disa librave mbi viruset, duke përfshirë “Spillover: Animal Infections and the Next Human Pandemic”, është shprehur se komuniteti global duhet të bashkohet dhe të sigurojë investime të konsiderueshme për mbikëqyrjen e sëmundjeve në mbarë botën.
"Ka gjëra që mund të bëhen dhe duhet të bëhen dhe ato janë të shtrenjta, por nuk janë aq të shtrenjta sa një pandemi",- ka thënë Quammen për “China Daily” në një intervistë të mëparshme. "Ne kemi nevojë për një ushtri të tërë të gatshme për t'u marrë me çështjen se si bota natyrore dhe njerëzimi mund të përshtaten së bashku në një mënyrë që nuk duhet të përfshijë urgjencat e sëmundjeve infektive".