Fëmijët deri në moshën 8 vjeç duhet të kontrollohen për gjendjen e ankthit, sipas ekspertëve të qeverisë amerikane, për shkak të ndikimit të pandemisë dyvjeçare të koronavirusit në shëndetin e tyre mendor.
Drafti udhëzues, i lëshuar nga Task-Forca e Shërbimeve Parandaluese të SHBA-së (USPSTF), rekomandon gjithashtu që fëmijët midis moshës 12 dhe 18 vjeç duhet të kontrollohen për çrregullime të mëdha depresive.
Fëmijët lëvizin në një korridor në shkollën fillore tradicionale Carter më 24 janar 2022 në Louisville, Kentucky(Photo/Agencies)
Task-forca rekomandon kontrollin te të gjithë adoleshentët për depresion, simptoma që zgjasin të paktën dy javë, ku përfshihen ndjenja të lehta dhe të rënda të vazhdueshme trishtimi ose mungesë interesi për aktivitetet e përditshme
Sipas Task-forcës, disa faktorë rreziku mund të ndihmojnë në identifikimin e pacientëve me rrezik më të lartë. Ato përfshijnë një kombinim të faktorëve gjenetikë, biologjikë dhe mjedisorë, të tillë si historia familjare e depresionit, episodi i mëparshëm i depresionit dhe probleme të tjera të shëndetit mendor ose të sjelljes.
Faktorë të tjerë të rrezikut psiko-social mund të shkaktojnë gjithashtu depresion, duke përfshirë abuzimin në fëmijëri, ekspozimin ndaj ngjarjeve traumatike, ngacmimet, ngjarjet e pafavorshme të jetës, ekspozimin e hershëm ndaj stresit, keqtrajtimin dhe një marrëdhënie të pasigurt prindërore.
Dr. Bradley Klontz, një profesor i asociuar i psikologjisë financiare në Kolegjin Heider të Biznesit, Universiteti Creighton në Omaha, Nebraska, tha për “China Daily”: "Sa më gjatë të zgjasë kjo pandemi, aq më i lartë është rreziku i dëmtimit afatgjatë".
Klontz beson se bilanci i ndikimit të pandemisë, veçanërisht te fëmijët, nuk do të shihet për shumë kohë. Ai tha se izolimi social, i shkaktuar nga distancimi social në ditët e para të pandemisë, ishte më i keqi për ata që kishin çrregullime ekzistuese sociale ose probleme të shëndetit mendor pasi duhej të qëndronin vetëm për periudha të gjata kohore.
Pandemia mund të ketë përkeqësuar depresionin te të rinjtë, por edhe para fillimit të pandemisë në vitin 2020, më shumë fëmijë dhe adoleshentë në SHBA po identifikoheshin me çrregullime të shëndetit mendor ose kishin shëndet të dobët mendor.
Përqindja e fëmijëve të moshës 6 deri në 17 vjeç që ishin diagnostikuar me ankth ose depresion u rrit nga 5.4 për qind në vitin 2003 në 8.4 për qind në vitet 2011-2012, sipas hulumtimit të botuar në “Journal of Developmental and Behavioral Pediatrics”.
Michi Fu, një psikologe klinike në Los Anxhelos, e specializuar në punën me fëmijët, gratë dhe familjet aziatike-amerikane, thotë se koronavirusi ktheu përmbys jetën e njerëzve dhe shumë nuk dinin se si ta përballonin.
"Ata [pacientët e mi] më thoshin: Nuk di çfarë të bëj me veten time, nuk di çfarë të bëj me fëmijët e mi", - tha Fu për “China Daily”.
"Së pari, nëse dikush vuan vërtet, kërkoni ndihmë! Mos u izoloni! Sigurohuni që të keni të paktën një person të cilit mund t'i përgjigjeni shpesh sipas nevojës"- tha ajo.
Mijëra fëmijë në SHBA humbën prindërit, kujdestarët dhe miqtë në mes të pandemisë, e cila shtoi nivelet e tyre të stresit.
Prindërit dhe disa mësues të shkollave besojnë se mësimi në distancë për gati dy vjet gjithashtu shkaktoi probleme, sepse shkolla është vendi ku fëmijët kanë marrëdhënie ndërpersonale, që janë vendimtare për zhvillimin.
Një sondazh nga Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) me 7,700 studentë në gjashtë muajt e parë të vitit 2021 zbuloi se më shumë se një në tre nxënës të shkollave të mesme raportuan se kishin një shëndet të dobët mendor gjatë pandemisë deri në qershor 2021.
Të paktën 20 për qind e të intervistuarve për sondazhin pranuan se kishin menduar seriozisht të tentonin vetëvrasjen në 12 muajt para sondazhit. 44 për qind thanë se ndiheshin të trishtuar ose të pashpresë vazhdimisht në 12 muajt para sondazhit.
Task-Forca e Shërbimeve Parandaluese të SHBA-së rekomandon që opsionet më të mira të trajtimit të depresionit te fëmijët dhe adoleshentët duhet të përfshijnë farmakoterapinë, psikoterapinë, kujdesin bashkëpunues, ndërhyrjet e mbështetjes psikosociale dhe qasjet e mjekësisë plotësuese dhe alternative.
Për fëmijët dhe adoleshentët me depresion, terapia konjitive e sjelljes dhe terapia ndërpersonale janë efektive.
Për më tepër, Task-Forca thotë se “Fluoxetine” është i vetmi medikament i aprovuar nga Administrata e Ushqimit dhe Barnave e SHBA-së (FDA) për të trajtuar depresionin te fëmijët e moshës 8 vjeç e lart dhe “Escitalopram” është miratuar për trajtimin e depresionit tek adoleshentët e moshës 12 deri në 17 vjeç.
Shumë mjekë në SHBA pajtohen me udhëzimet e përcaktuara nga Task – Forca. Në anketën e saj me mjekët, ajo zbuloi se 76 për qind besojnë se duhet të flasin me pacientët adoleshentë për shëndetin mendor.