Një nga shqetësimet e opinionit publik shqiptar ditët e fundit ka qenë dhe lajmi për zbulimin e vatrave të gripit të shpendëve në disa pulari, apo subjekte familjare me një gjeografi në rritje. Pas një takimi me shpendrritësit e stabilimenteve për mish në Shqipëri Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca, ka garantuar se aktualisht nuk ka pasur asnjë rast të infektuar dhe situata rezulton e pastër, pa asnjë gjendje klinike, vërtetuar dhe nga kampionimet e shtuara për analiza të kryera, si edhe rritja e vigjilencës ndaj masave të bio sigurisë.
Shqetësimit qytetar ajo i është përgjigjur se Agjencia Kombëtare e Veterinarisë dhe ajo e Ushqimit po mbajnë në monitorim tregjet ushqimore ku shiten pula për konsum duke siguruar se produktet e shpendëve dhe nënproduktet e tyre kanë gjurmueshmëri dhe janë të garantuara në plotësimin e standardeve.
Duke iu referuar Organizatës Botërore të Shëndetësisë dhe Organizatës Ndërkombëtare të Ushqimit dhe Bujqësisë, ministrja Krifca tha se konsumi i mishit të pulës dhe vezëve nuk përbën rrezik për konsumatorin nese ndjek në mënyrë rigoroze higjienën dhe gatimin e produkteve me temperaturë mbi 70 gradë celcius.
Sipas ministres “Aktualisht Sektori i Shpendarisë është ndër sektorët më të rëndësishëm për furnizimin me produkte shtazore jo vetëm të kërkesave të vendit por edhe në eksporte. Vetëm në 10 vitet e fundit niveli i prodhimit të mishit nga shpendët është trefishuar, ndërsa prodhimi i vezëve ka arritur të plotësojë kushtet e eksportit në vendet e BE-së për 6 prej stabilimenteve shqiptare”.
Në daljet e përditëshme para medieve, qysh nga njoftimi për zbulimin e rasteve të gripit të shpendëve, zëvendësministrja e Bujqësisë, Ermira Gjeci raportuar rreth gjendjes aktuale:
Në lidhje me situatën e gripit të shpendëve në Shqipëri, gjatë ditës së djeshme nuk ka pasur asnjë rast të dyshimtë të konstatuar në kontrollet tona apo raportuar në numrin e gjelbër. Aktualisht:· po respektohen procedurat e shuarjes së vatrës,· po kryhet tamponimi i zonës sipas niveleve të rrezes, po komunikohet risku për fermerët dhe veterinerët e zonës, është siguruar baza materiale e ajo mbrojtëse për veterinerët. Në të gjithë territorin e vendit deri mbrëmë në darkë kemi 382, 672 shpendë të ngordhur. Vazhdon procesi për eliminimin dhe asgjësimin e kafshëve që po ngordhin. Veterinerët zyrtarë të AKVMB kanë kryer vizita e kontrolle në të gjithë 63 stabilimentet shpendrritëse dhe deri tani nuk ka raste të dyshuara. Nga kontrollet zyrtare në komplekset intensive të mbarështimit të shpendëve me drejtim për prodhimtarinë e mishit, rezultatët tregojnë se janë të pastra. Është e rëndësishme për tregtarët dhe publikun që të dihet se është në fuqi Urdhri për marrjen e masave kufizuese për parandalimin e sëmundjes së influencës aviare në shpendë në mjediset e hapura dhe tregjet e kafshëve të gjalla”.
Sipas zëvendësministres Gjeci “Urdhri ndalon shitjen dhe tregtimin e shpendëve të gjalla në mjediset e hapura dhe tregjet e kafshëve të gjalla në këto qarqe si dhe lëvizjen e shpendëve të gjallë nga ferma në fermë dhe nga ferma në tregjet e kafshëve të gjalla. Nga kontrollet e ushtruara nga AKU në të gjithë territorin e vendit deri tani nuk janë evituar shkelje. Më lejoni të shfrytëzoj ekranet tuaja dhe këtë komunikim për tju drejtuar konsumatorëve se nuk ka asnjë rrezik si për mishin ashtu dhe për vezët të cilat i blini nga operatorët e licensuar dhe produktet janë të kontrolluara. Nuk ka asnjë rrezik nga konsumi i mishit dhe vezëve të gatuara me temperature më të larta se 70 gradë Celsius.
Garanci për konsumimin e produkteve të shpendëve ka dhënë dhe Drejtoresha e Autoritetit Kombëtar të Veterinarisë, Tana Kika. Sipas saj konsumimi i produkteve të shpendëve nuk është i rrezikshëm për shëndetin e njerëzv dhe ka sugjeruar . që produktet të gatuhen mbi 75 gradë Celsius.
“Më 12 mars erdhën njoftimet e para. Pavarësisht se rezultatet e analizave dilnin negative, ne nuk reshtëm marrjen e mostrave më datë 19 mars ne arritëm ta izolonim gripin e shpendëve duke marrë të gjitha masat. Ne e kaluam në qershor-gusht 2021 gripin e shpendëve. Ky rast që është konstatuar, është i rrallë sepse normalisht përhapet tek shpendët e oborrit që kanë kontakte me shpendët migratore. Atëherë ne arritëm ta mbanim jashtë këtyre komplekseve. Sëmundja nuk sjell probleme të produktet që konsumohen nga njerëzit”, tha Kika.
Veterinerët zyrtarë të Agjencisë Kombëtare të Veterinarisë kanë kryer vizita e kontrolle në të gjithë 63 stabilimentet shpendrritëse dhe deri tani nuk ka raste të dyshuara. Nga kontrollet zyrtare në komplekset intensive të mbarështimit të shpendëve me drejtim për prodhimtarinë e mishit, rezultatet tregojnë se janë të pastra.Deri tani rreth 600 mijë pula janë asgjësuar në vend për shkak të gripit të shpendëve. Vatrat e përhapjes së gripit të shpendëve janë në Durrës, Divjakë, Korçë, Devoll dhe Korçë.
Mësohet se raste të gripit të shpendëve janë shfaqur dhe në vende të tjera evropiane. Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca zhvilloi para disa ditësh një vizitë në Kopenhagë, ku pati një takim me ministrin e Ushqimit, Bujqësisë, dhe Peshkimit të Danimarkës, Rasmus Prehn. Sipas ministres ajo ka diskutuar me homologun danez dhe ekipin e tij eksperiencat e shumta që ata kanë pasur në trajtimin e gripit të shpendëve dhe ka siguruar asistencë me njohuri dhe mbështetje për menaxhimin e këtij procesi.
Gripi i shpendëve është një sëmundje e shpendëve të egër, por prek gjithashtu shumë lloje shpendësh shtëpiake, përfshirë pulat, rosat, gjelat dhe patat. Shkaktohet nga viruset e gripit të tipit A dhe ka disa nëntipe të viruseve të gripit që mund të infektojnë zogjtë.
Masat parandaluese që duhen ndjekur në prani të shpërthimeve të gripit të shpendëve janë si më poshtë:
Në vendet në rrezik shmangni kalimin dhe ndalimin në tregje ose ferma ku ka kafshë të gjalla
Shmangni kontaktin me sipërfaqet e ndotura nga jashtëqitjet e shpendëve ose nga aktivitetet e mishit
Shmangni kontaktin me zogjtë, të ngordhur apo të gjallë
Mos hani mish shpendësh ose vezë të pa gatuara mirë
Përdorni enë të ndryshme për mishin e gatuar dhe të papërpunuar në përgatitjen e ushqimit
Lani duart shpesh me një detergjent.
Eda Merepeza