Në përgjigje të situatës pandemike gati 3 vjeçare të Covid 19, në Shqipëri po rriten kapacitetet laboratorike në sistemin shëndetësor public, krahas atij privat.

Ditët e fundit falë investimit në aparatura të reja të teknologjisë së fundit është shënuar një rritje me 30 % e kapaciteteve testuese në laboratorin e referencës së Institutit të Shëndetit Publik. Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu gjatë një vizite në këtët institucion të rëndësishëm shëndetësor tha se këto pajisje janë pjesë e planit për përgjigjen ndaj pandemisë dhe emergjencave të shëndetit publik.

Kemi investuar për Institutin e Shëndetit Publik në raport me rritjen e kapaciteteve, të cilat vijnë të rritura me rreth 30 % krahasuar me ato më parë, duke rinovuar dhe shtuar flotën e pajisjeve përsa i përket aparaturave dhe gjithashtu duke kontribuar në përballimin më të mirë të situatës. I vlejnë Institutit të Shëndetit Publik, jo vetëm për PCR dhe evidentimin e koronavirusit por gjithashtu edhe për një seri agjentësh. Kjo është e rëndësishme sepse hap një gamë të analizimit të viruseve të tjera. Që do të thotë që përgatitemi dhe forcojmë kapacitetet tona, jo vetëm për t’iu përgjigjur situatës aktuale për fuqizimin e kapaciteteve, por edhe për t’i paraprirë asaj që gjithë bota sot po synon, emergjencave që mund të ndodhin në të ardhmen. Pra, të përballemi dhe të kemi një përgjigjie ndaj emergjencave të shëndetit publik”, tha Manastirliu.

Lidhur me situatën aktuale epidemiologjike në vend, kreu i bluzave të bardha Manatirliu tha se në 95 % të rasteve të identifikuara me COVID-19, mbizotëron varianti Omicron, duke shtuar që janë 330 pika në të gjithë vendin për kryerjen e testit të antigenit.

Jemi në një situatë ku incidenca vlerësohet e rritur. Përpara dy ditësh kemi patur pikun më të lartë ndonjëherë të rasteve të infektimeve, ku siç është konfirmuar nga Instituti i Shëndetit Publik, mbi 95 % e rasteve sot paraqiten me variantin Omicron. Për të përballuar këtë situatë është e nevojshme testimi i shpejtë, testimi i sigurt. Ne nuk kemi ndalur në asnjë moment përpjekjet tona qoftë përsa i përket testimit të shpejtë dhe testimit nëpërmjet PCR, ndaj po rrisim kapacitetet. Kemi 330 pika në të gjithë Shqipërinë ku kryhet testi i shpejtë falas në qendrat tona shëndetësore”, tha Manastirliu.

Ndër të tjera ajo garantoi se do të vijojë forcimi i kapaciteteve spitalore, për të pasur projektin e zbatimit për forcimin e mëtejshëm të kapaciteteve të Institutit të Shëndetit Publik.

Drejtoresha e ISHP, dr. Eugena Tomini vlerësoi investimin e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale për rritjen e kapaciteteve.

Ky është një moment shumë i rëndësishëm sepse në pikun kur kemi një rritje të numrit të rasteve, ne na shtohen kapacitetet laboratorike përkundrejt diagnozës së shpejtë, përgjigjies në kohë të rezultatit, sigurisht triazhimit të pacientëve dhe izolimit të tyre në kohë. Kjo është shumë e rëndësishme jo vetëm për laboratorin në drejtim të kapaciteteve të ngritura por edhe në drejtim të ngritjes së burimeve njerëzore”, tha Tomini.

Gjatë vizitës në laboratorin e virologjisë në Institutin e Shëndetit Publik, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale tha se po punohet për forcimin e kapaciteteve spitalore, duke bërë me dije se shumë shpejt do të hapen punimet për rindërtimin e Spitalit Infektiv, ndërsa apeloi sërish qytetarët për kryerjen e vaksinës anti-Covid, duke theksuar rëndësinë e dozës përforcuese për uljen e shtrimeve në spitale dhe formave të rënda të sëmundjes.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu zhvilloi ditët e fundit një takim me drejtuesit e Operatorit të Kujdesit Shëndetësor, Institutit të Shëndetit Publik dhe të qendrave shëndetësore të Tiranë.

Ajo kërkoi intensifikimin e procesit të vaksinimit anti-COVID “derë më derë”, për shkak të rritjes së rasteve të reja gjatë ditëve të fundit. Manastirliu tha se, “në kushtet e rritjes së rasteve të qytetarëve të prekur nga virusi i rrezikshëm, është domosdoshmëri forcimi i programit kombëtar të vaksinimit ndaj COVID-19”.

Eda Merepeza