Dy ilaçe antivirale kineze për Covid-19 të zhvilluara nga instituti “Materia Medica” në Shangai, nën Akademinë Kineze të Shkencave (CAS), kanë hyrë në fazën e eksperimentimit njerëzor jashtë vendit.
Njëri nga të dy, i identifikuar me kodin Vv116, është një ilaç nukleozid oral anti-Covid-19 që ka dhënë rezultate inkurajuese në testet te kafshët, citon “Xinhua”.
Instituti bëri të ditur se ilaçi tregoi një aktivitet të rëndësishëm frenues kundër llojit origjinal të virusit dhe varianteve të tij, si Delta, në testet in vitro.
"Vv116 u miratua fillimisht për provat klinike në Uzbekistan", - shpjegoi Shen Jingshan, studiues i institutit, duke shtuar se provat njerëzore tani janë duke u zhvilluar edhe në Kinë.
Ilaçi tjetër quhet Fb2001 dhe është një medikament i ri i krijuar dhe sintetizuar në bazë të proteazës kryesore të koronavirusit, një enzimë që luan një rol themelor në riprodhimin viral. Studiuesi kryesor Liu Hong shpjegoi se sipas hulumtimit paraklinik, ky përbërës gjithashtu demonstroi aktivitet të fuqishëm frenues kundër virusit në kulturën e qelizave.
Shkencëtarët kryen studime të fazës 1 në Shtetet e Bashkuara në mars, pas publikimit të rezultateve të kërkimit paraklinik në revistën “Science” në qershor 2020.
Ilaçi u zhvillua së bashku nga instituti “Materia Medica” i Shangait, universiteti “ShanghaiTech” dhe Instituti i Virologjisë Wuhan i CAS. (Elona)