Paraqitja e Kinës në Paralimpiadën e Tokios të vitit 2021 ishte jashtëzakonisht e mirë. Sportistët kinezë fituan 207 medalje, 96 prej të cilave ari, shumë më mirë se Britania e Madhe e renditur e dyta (124 medalje, 41 të arta). Këto rezultate të Kinës në Lojërat Paralimpike të bëjnë të mendosh lidhur me jetën e njerëzve me aftësi të kufizuara në Kinë dhe përparimin që po bën Kina në këtë drejtim. Medaljet e arta janë sigurisht arritje të jashtëzakonshme, dhe sportistët duhet të përgëzohen për suksesin e tyre. Por nën magjinë e Lojërave Olimpike ka një histori të rëndësishme mbi përparimin e gjithanshëm shoqëror.
Një pjesë e rëndësishme e promovimit të të drejtave të njerëzve me aftësi të kufizuara është kuadri ligjor dhe kjo fillon që nga kulmi i sistemit ligjor të Kinës. Kina është një ndër vendet e botës, ku të drejtat e njerëzve me aftësi të kufizuara janë pjesë e kushtetutës, e cila u hartua në vitin 1982. Neni 45 i Kushtetutës së Republikës Popullore të Kinës pohon: "Shteti dhe shoqëria do të ndihmojnë në çështjet lidhur me punën, jetesën dhe arsimimin e qytetarëve që nuk mund të shohin, të dëgjojnë, të flasin ose kanë paaftësi të tjera."
Kjo u pasua nga Ligji i Republikës Popullore të Kinës mbi Mbrojtjen e Njerëzve me Aftësi të Kufizuara, i cili u miratua në vitin 1990 dhe ofron kornizën bazë për politikat mbi njerëzit me aftësi të kufizuara në Kinë. Ajo ofron një angazhim të fortë që shteti dhe shoqëria kanë një numër përgjegjësish ndaj njerëzve me aftësi të kufizuara.
Kjo përfshin rehabilitimin e njerëzve me aftësi të kufizuara të shkaktuar pas lindjes, dhe promovimin e arsimit dhe të punësimit, masat e mirëqenies, dhe një mjedis të favorshëm për pjesëmarrjen aktive të njerëzve me aftësi të kufizuara në jetën kombëtare. Në korrik të këtij viti, një libër i bardhë nga Zyra e Informacionit e Këshillit të Shtetit vuri në dukje se Kina ka nxjerrë afro 90 ligje dhe 50 rregullore administrative mbi mbrojtjen e të drejtave dhe interesave të njerëzve me aftësi të kufizuar.
Ia vlen që të merret parasysh shkalla dhe shtrirja e këtyre qëllimeve ambicioze. Sondazhi më i fundit për njerëzit me aftësi të kufizuara në Kinë u krye në vitin 2007, që vlerësoi se Kina kishte afro 82.96 milionë njerëz me aftësi të kufizuara. Me fjalë të tjera, është e arsyeshme që të hamendësohet se Kina e sotme ka të paktën 100 milionë veta me aftësi të kufizuara.
Për të trajtuar në mënyrë të përshtatshme sfidat lidhur me politikat për aftësitë e kufizuara, Kina siguroi tre gjëra themelore: së pari, një bazë ekonomike që mund t’i ofronte shtetit dhe shoqërisë burimet për të përballuar këto probleme; së dyti, një qasje ideologjike të aftë për ta vënë njeriun përpara fitimit; së treti, planifikimin institucional për të nxitur dhe për të zbatuar politikat në ndihmë të njerëzve me aftësi të kufizuara.
Ndërsa Kina e ka pasur gjithmonë vendosmërinë ideologjike për ta trajtuar problemet e përfshirjes shoqërore dhe ka grupe të rëndësishme në sistemin e saj politik që janë të përkushtuara ndaj çështjes së njerëzve me aftësi të kufizuara, nuk ka çudi që përparimet e kohëve të fundit në këtë çështje përkojnë me pjekurinë e rritjes ekonomike të Kinës.
Një ndër arritjet më të fundit të Kinës ka qenë lufta kundër varfërisë. Një pjesë kryesore e kësaj lufte ishte ndihma e shënjestruar ndaj njerëzve me aftësi të kufizuara, që përfshin ndihmën dhe subvencionet e jetesës dhe garantimin e arsimit falas për 15 vjet. Masat e politikave si këto shërbejnë për të garantuar pavarësinë dhe përfshirjen shoqërore, dhe vlerësohet se këto masa kanë nxjerrë afro 7 milionë njerëz me aftësi të kufizuara nga varfëria, duke i çuar drejt mirëqenies relative që gëzojnë tani qytetarët e Kinës.
Kjo nuk do të thotë se nuk ka sfida. Komuniteti i politikave i Kinës e pranon se promovimi i të drejtave të njerëzve me aftësi të kufizuara mbetet një sfidë dhe ekzistojnë shumë pika që duhet të përmirësohen. Kina i sheh në përgjithësi të drejtat si një grup produktesh që duhet të zgjerohen vazhdimisht bashkë me zhvillimin e shoqërisë, në kundërshtim nga metoda perëndimore që i shikon të drejtat si ide abstrakte absolute.
Ekzistojnë shembuj të përdorimit shoqëror të gjuhës për njerëzit me aftësi të kufizuara që tregojnë si përparimin e arritur, ashtu edhe sfidat e drejtimet lidhur me edukimin e shoqërisë drejt objektivit të përfshirjes shoqërore. Përdorimi historik i fjalës 残废 cán fèi (sakat) u zëvendësua nga 残疾 cán jí (invalid), që është në përdorim relativisht të zakonshëm shoqëror tani.
Federata e Njerëzve me Aftësi të Kufizuara e Kinës ka debatuar shumë për të përdorur më shumë fjalën me ngjyrim më asnjanës 残障 cán zhànɡ (me aftësi të kufizuara) për të treguar natyrën shoqërore të aftësisë së kufizuar dhe që eksperienca dhe lumturia e përgjithshme e njerëzve me aftësi të kufizuara përcaktohen më shumë nga konteksti shoqëror sesa nga pasojat mjekësore të vetë aftësisë së kufizuar.
Problemet si këto në sferën gjuhësore pasqyrojnë sfidat në një shkallë më të gjerë në shoqëri. Megjithatë, duhet të pranohet përparimi që ka bërë Kina në fushën e të drejtave të njerëzve me aftësi të kufizuara. Suksesi i fundit i Kinës në Lojërat Paralimpike të Tokios është një pjesë e vogël e një historie të gjatë përparimesh.
Artikulli nga Timothy Kerswell