Në Pekin po organizohet Panairi Ndërkombëtar i Tregtisë së Shërbimeve i Kinës, i cili është panairi më i madh ndërkombëtar i shërbimeve të tregtisë në botë.
Në këtë panair është vendosur një zonë ekspozimi për shërbimet shëndetësore, ku janë shfaqur produktet e kompanive të pajisjeve mjekësore dhe kompanive farmaceutike.
Kur gazetarja hyri në këtë zonë, asaj i tërhoqi vëmendjen pavijoni i Grupit “Sinopharm Biotech” të Kinës, ku ishte vendosur një model i madh i vaksinës së çaktivizuar të virusit të COVID-19 të prodhuar nga ky grup.
Punonjësi i Grupit “Sinophfarm” i tregoi gazetares se në këtë panair ata kanë sjellë një ilaç me efekte speciale ndaj sëmundjes së COVID-19. Ky ilaç është krijuar nga imunoglobulina specifike e koronavirusit të ri, e cila është studiuar dhe marrë nga plazma e gjakut e personave të imunizuar pas vaksinimit. Përveç kësaj, grupi “Sinophfarm” ka studiuar një ilaç tjetër shënjestrues me antitrupa monoklonalë kundër virusit të COVID-19, i cili ka efekte mjekësore të mira dhe efekte anësore të ulëta. Punonjësi i Grupit “Sinophfarm” e përshkroi atë si një “raketë biologjike”.
Përveç kësaj, një filial i Grupit “Sinophfarm” të Kinës po studion vaksinën e vet mRNA me pronësi intelektuale të pavarur.
Në pavijonin e Spitalit “Jishuitan” të Pekinit, shumë vizitorë u tërhoqën nga një robot i kirurgjisë invazive minimale. Nëndrejtori i Spitalit “Jishuitan” Wu Xinbao thotë se në të kaluarën, për rregullimin e kockave të thyera nevojitej kirurgjia tradicionale, që mund t’i shkaktonte pacientit plagë relativisht të madhe dhe dhimbje të mëdha. Tani, me ndihmën e këtij roboti, mund të realizohet kirurgjia me një hapje më të vogël. Deri tani ky robot ka kryer 5 operacione reale dhe 10 testime klinike.
Afër robotit të kirurgjisë invazive minimale, është vendosur një "klinikë Xiaotong" nga grupi "General Technology". Kjo klinikë minimale mund të ofrojë 16 shërbime të analizave shëndetësore, si oksigjeni në gjak, tensioni i gjakut, acidi urik, kolesteroli, sheqeri në gjak etj. Në këtë klinikë minimale, janë vendosur dhoma e mbledhjes të gjakut, dhoma e ultratingujve etj. Këtu mund të realizohet komunikimi me video me mjekët e tjerë.
Këto teknologji dhe shërbime shëndetësore ku janë grumbulluar urtësia dhe sinqeriteti i studiuesve, mund të japin më shumë kontribut për luftën antiepidemike dhe shëndetin e njerëzve. (Xu Guang)