Marsela Lekli është psikologe e njohur dhe në çdo kohë është e pranishme në median shqiptare, për të dhënë këshilla për ata që kanë nevojë. Pasioni për profesionin e bën atë që të jetë e gatshme dhe e kudondodhur për të gjithë njerëzit që duan mbështetje nga psikologu. Në një intervistë për CMG Marsela Lekli na tregon për pasionin e punës si psikologe dhe synimet që ka për të arritur në nivelet më të larta të këtij profesioni.
CMG: Marsela faleminderit për pjesëmarrjen tuaj në rubrikën “Autostradë” në Radio Ejani.
Marsela Lekli: Faleminderit për ftesën dhe është kënaqësi e imja.
CMG: Muaji gusht është periudha e pushimeve dhe ju besoj keni pasur më pak aktivitet në këtë periudhë.
Marsela Lekli: Praktikisht java e parë e gushtit ka qenë pak relaksuese sepse kam qenë larg mediave dhe larg punës, por e ndjej dhe e kam të nevojshme që duhet të jem pranë personave në nevojë. Kështu jemi mësuar që t’ju japim ndihmë njëri- tjetrit ose t’i mbështesim njerëzit duke ditur që edhe vapa kërkon seanca psikologjike nga më të ndryshmet si dhe disa këshilla psikologjike se si të përjetojmë pushimet dhe si ta kalojmë vapën, sepse vapa e tepërt është dhe një ndikim psikologjik.
CMG: Si kanë qenë fillimet tuaja në këtë profesion dhe ka qenë kjo një zgjedhje e juaja?
Marsela Lekli: Normalisht që ishte zgjedhja ime dhe kam që në vitin 2014 që kam qenë pjesë e mediave dhe psikologe njëkohësisht. Ndërkohë drejtoj dhe një organizatë që merret me trajtimin e fëmijëve dhe grave në nevojë, të dhunuara kryesisht dhe të abuzuara e të braktisura. Kjo është diçka që unë e bëj me tepër pasion, duke ditur se është një punë vullnetare që bëhet, nuk është diçka e paguar dhe unë nuk e bëj punën se jam e paguar dhe e detyruar, por thjesht e bëj sepse ndjehem mirë dhe më pëlqen të ndihmoj njerëz.
CMG: Sa e vështirë është të ushtrosh profesionin e psikologes në Shqipëri, duke ditur se ka njerëz dhe familje me probleme nga më të ndryshmet?
Marsela Lekli: Çdo profesion realisht ka vështirësitë e veta, por dhe puna e psikologes normalisht që ka vështirësitë e veta, duke parë që shoqëria jonë është bërë tepër e dhunshme dhe diskriminuese. Kjo është shumë e vështirë edhe për ne si ekspertë, që të japim këshillat ose alternativat e duhura. Unë mendoj që po ja dalim pak nga pak duke ditur që po kthehet në kulturë në familjet dhe shoqërinë shqiptare komunikimi dhe vajtja tek psikologu dhe kjo gjë është tepër e mirë për çdo familje dhe çdo individ.
CMG: Ndoshta në këtë periudhë të pandemisë dhe koha kur ishim në karantinë, njerëzit kanë pasur më shumë nevojë për psikologun ku dhe ju duhet të keni pasur më shumë kërkesa.
Marsela Lekli: Sigurisht që kërkesat kanë qenë të shumta dhe sidomos kanë qenë kryesisht te moshat e reja që kanë pasur një jetë më shumë jashtë familjes dhe në momentin që kanë qenë të izoluar dhe të kufizuar në çdo drejtim kanë qenë personat që e kanë përjetuar më keq, por në komunikim dhe diskutime të vazhdueshme e kanë kaluar dhe shpresoj që mos të kemi më një mbyllje të dytë.
CMG: Cilat janë moshat që kanë më tepër nevojë për këshillat e psikologut?
Marsela Lekli: Moshat më problematike janë nga 16 deri në 25 vjeç. Kjo është mosha që unë kam arritur të nxjerr një analizë sipas rasteve që unë kam pasur. Kjo është mosha që kap problemet e adoleshencës dhe më pas janë rastet ku krijojnë një ndjesi dhe një lidhje dashurie, varësia e ndjenjave që ato krijojnë. Rastet janë ndarë në probleme të ndryshme, por këto janë kryesisht problemet që mund të kenë këto grupmosha.
CMG: Jemi në muajin gusht që këtë vit është shumë i nxehtë. Cilat janë këshillat që mund t’i jepni njerëzve?
Marsela Lekli: Shpresoj që gjithkush me aq sa ka mundësi të bëjë pushime, qoftë të vogla sa mund të jenë, dy apo tre ditore sepse është një anë pozitive për çdo individ dhe rikthimi në jetën e përditëshme është një motivacion tepër i madh për ne.
CMG: Keni menduar ndonjëherë që të ndërroni profesion?
Marsela Lekli: Nuk e kam menduar asnjëherë, por thjesht mendoj që të rritem në gradat e profesionit tim, jo të ulem, pra kërkoj diçka më lart akoma. Grada më e lartë e një psikologu në botë që kam lexuar dhe po bëj një zbulim kohët e fundit, është përfshirja nëpër seancat gjyqësore të çështjeve të penalitetit të personave me çëshjte penale. Psikologu ka rolin e një gjyqtari, që do të thotë se psikologu ka një vendim dhe jo siç e kemi ne këtu psikologun për një zgjidhje martese ose eksperte e seksionit të të miturve, por eksperte për të parë që prokurorët dhe gjyqtarët janë të denjë dhe të drejtë apo kanë lëkundje vendimesh.
Kjo është diçka shumë e bukur dhe shpresoj që të futet dhe në vendin tonë sepse do të ishte një gjë shumë e mirë që të shihnim vendimet që japin avokatët në mbrojtje të dikujt ose gjyqtari që mund të ketë anësi vendimi. Pra mund të jetë ekspert psikolog brenda një seance gjyqësore, dhe ti e ndan që një gjyqtar po jep një vendim të drejtë apo ka një lëkundje nga faktorë të jashtëm. Kjo është diçka që unë dua ta arrij, por duhet futur tek ne kjo pjesë dhe pastaj mendoj se shkallët mund t’i kemi më të lehta.
CMG: Keni menduar që këtë profesion ta ushtroni edhe në një vend të huaj, ku mund të keni më tepër arritje dhe mund të jeni më e vlerësuar?
Marsela Lekli: Nëse do të më krijohej një mundësi, pse jo edhe mund ta provoja, por më duket një gradë tepër e lartë që të arrish në një sallë gjyqësore të analizosh dhe të psikologjisësh gjyqtarët apo prokurorët. Është një arritje tepër e madhe. Kjo do ishte diçka shumë e mirë për mua.
CMG: Ju jeni e pranishme në media me këshillat tuaja, pra kjo është një ndihmë për ato persona që ndoshta nuk kanë mundësi t’ju takojnë fizikisht.
Marsela Lekli: Unë kam në dispozicion edhe rrjetet e mia sociale dhe shumë persona që kanë gjetur sigurinë dhe besimin tek unë më shkruajnë dhe kërkojnë mendime të ndryshme dhe unë ua kam dhënë me shumë kënaqësi. Shpresoj që të paktën këshillat apo arsyetimet që ju kam shprehur nëpër rrejtet sociale por edhe nëpërmjet medias, të jenë të vlefshme për çdo familje që nga pamundësia për të qenë afër një psikologu ose nga pamundësia e shumë gjërave të tjera, arrin të marrë një përgjigje të caktuar qoftë në një klikim në një rrjet social ose në median vizive.
CMG: Së fundi një këshillë për dëgjuesit e Radio Ejani.
Marsela Lekli: Këshilla ime është që të duan dhe respektojnë veten dhe të bëjnë çdo gjë që ndjehen mirë me veten e tyre.
Intervistoi: Gazmend Agaj