Intervistë me psikiatren Alma Hasalami
CMG: Pandemia u shoqërua që në nisje të saj me çrregullime të shëndetit mendor të individit. Kemi mësuar se shumë prej të prekurve rëndë nga koronavirusi kanë patur ankth, panik e çrregullime të tjera, Përvoja juaj për këtë.
Dr. Alma Hasalami: Situata filloi me panikun siç e përmende dhe ky panic duke qenë i zgjatur në kohë dhe duke munguar zgjidhja immediate, apo një zgjidhje më e lehtë dhe më e përballueshme, që nuk shkaktonte kaq shumë ndryshime në stilin e jetës sonë. Këto rrethana e zgjatën panikun në kohë dhe gjithashtu lëmshi i informacionit i ndanë njerëzit në pro dhe kundër ekzistencës në pandemisë. Të gjitha këto paqartësi kanë krijuar konfuzion dhe kanë shtuar panikun, duke agravuar të gjitha pasojat që mund të sillte paniku fillestar. Kështu paniku mbeti gati constant.
CMG: Kishte njerëz immune ndaj panikut?
Dr. Alma Hasalami: Ndoshta ata që dinin më shumë, apo që kishin një informacion më të saktë. Ndoshta mjekët, por ka patur dhe mjekë që nga paniku bënin thirrje të ekzagjeruara për të mos dale nga shtëpia.
CMG: Izolimi social mendoni se e ka shkaktuar panikun, apo dhe situate më të rënda, deri në vetëvrasje?
Dr. Alma Hasalami: Izolimi social ka në lidhje të ngushtë me depresionin sepse ky i fundit fillon me izolim social. Mungesa e shkëmbimit të afektit mes njerëzve, ruajtja e distances dhe mes familjarëve ndikon. Për fëmijët është shumë i rëndësishëm afekti, përqafimi, puthja dhe kur fëmijës i mungon kjo gjë nga prindi, ai vë në dyshim vetë prindin, duke menduar a më do ky mua. Mendoj se izolimi social ka patur pasoja më të rënda te fëmijët se sa te të rriturit.
CMG: Në punën tuaj si mjeke e keni konstatuar këtë situate te fëmijët?
Dr. Alma Hasalami: Ka prindër që referojnë se fëmijët e tyre janë bërë hiperaktivë. Gjatë karantinës mbyllja nuk i lejoi fëmijëve që të eksplorojnë apo të krijojnë. Pra i kemi deprivuar fëmijët nga të gjitha karakteristikat e një fëmijërie normale dhe kjo ka ndikuar në stres dhe hiperaktivitet. Plus ankthi i prindërve transmetohet te fëmija, i cili nuk është në gjendje ta kuptojë apo të arrijë në konkluzione se si ta luftojë.
CMG: Si një mjeke psikiatre me eksperiencë pune si mendoni, cili do të ishte modeli për ta mbajtur larg ankthin, panikun?
Dr. Alma Hasalami: Duke qenë se kjo ishte diçka globale unë e kam pare me një sy ndoshta radikale mënyrën se si mund të përballohej. Unë jam simpatizante e ushtrimeve dhe jo e ilaçeve, sepse ilaçi të krijon varësi, duke të krijuar komoditetin që po kalon menjëherë. Ndërkohë që kemi shumë mënyra dhe më e mira është kontrolli i frymëmarrjes, pra të fitojmë një lloj ndërgjegjësimi mbi frymëmarrjen dhe aftësitë që kemi për ta kontrolluar. Frymëmarrja e thellë, e plotë, e zgjatur është gjithmonë e rekomandueshme sepse është një frymëmarrje që gati-gati i bën një reset sistemit kardiorespirator dhe qetëson zemrën dhe mushkërinë. Kjo frymëmarrje është mirë të bëhet edhe çdo ditë në një minutazh të shkurtër për njerëzit që kanë ankth të shtrirë gati gjatë gjithë ditës. Por dhe personat që kanë panik ndaj një faktori të jashtëm, në ato momente apo para panikut mund ta relaksojnë frymëmarrjen, pa e lënë të kalojë në përshpejtim dhe humbje të konntrollit. Këshilla tjetër është komunikimi sepse kemi nevojë të komunikojmë më shumë. Pas izolimit të karantinës vumë re se kishim nevojë të flisnim pafund, madje dhe me të panjohur, sepse është nevojë fondamentale e njeriut të komunikojë.
CMG: Mendoni se në kushtet e teknologjisë dhe lidhjes në rrjete sociale në izolim komunikimi virtuar ka ndikuar në shkarkimin e stresit?
Dr. Alma Hasalami: Patjetër. Komunikimi virtual ka ndihmuar shumë. Por është dhe komunikimi fizik, shprehja e afektit i domosdoshëm.
CMG: Gjatë izolimit kemi vënë re se artistët, pavarësisht humbjes financiare, kanë patur produktivitet të lartë në artet e tyre. A e kanë kaluar më lehtë se të tjerët artistët izolimin?
Dr. Alma Hasalama: Është e vërtetë. Madje artistët kanë prirje për ta shndërruar në humor ankthin apo stresin, për ta ulur gjithë atë presion. Ata e kanë këtë dhunti. Do të ishte mire të mbështeteshin artistët nga ana financiare, por dhe me forma të tjera që ta mbanin publikun larg stresit dhe t’i jepnin shpresë për të nesërmen.
Intervistoi Eda Merepeza