Organizata Botërore e Shëndetësisë ka dhënë miratimin për vaksinën kineze Sinopharm dhe është në përfundim të procedurës për miratimin e përdorimit të vaksinës tjetër kineze Sinovak. Këto janë vaksinat e para të suksesshme të zhvilluara nga pjesa jo perëndimore e botës, që në fakt tashmë u janë dhënë në mbrojtje të jetës dhe shëndetit miliona qytetarëve në shumë vende të globit. Pavarësisht procedurave burokratike të OBSH-së, BE-së, etj, rregullatorët individual të barnave në pothuajse të tëra vendet e botës që janë në zhvillim i kanë miratuar për përdorim vaksinat e zhvilluara nga shkencëtarët dhe mjekët kinezë, si të sigurta, efektive dhe që shpëtojnë jetë.
OBSH deklaroi se kishte vërtetuar “sigurinë, efikasitetin dhe cilësinë” e Sinopharm, zhvilluar nga Instituti i Produkteve Biologjike i Pekinit dhe se kjo synon përshpejtimin e aksesit për vaksina anti-Covid-19 për vendet që kërkojnë të mbrojnë punonjësit e shërbimit shëndetës dhe popullatat në rrezik”. Tashmë pritet që edhe vaksina tjetër kineze Sinovac të marrë aprovimin si një vaksinë e sigurt, efektive dhe cilësore.
Qeveria kineze dhe prodhuesi i vaksinave kineze, janë treguar shumë të kujdesshëm në zhvillimin e këtyre vaksinave sepse vunë në dispozicion për autoritetet ndërkombëtare në një kohë të përshtatshme të dhënat e provës klinike të fazës së vonë të zhvillimit të vaksinave, si një ndër pjesët më të rëndësishme të procedurave për aprovimin e përdorimit të tyre.
Ky miratim ka një vlerë shumë të madhe pasi jepet mundësia që këto vaksina të përdoren edhe në programin global Covax, krijuar në si përpjekje për të siguruar qasje të drejtë në vaksina midis kombeve të pasura dhe të varfra.
Nëse mund të bëjmë disa krahasime midis vaksinave të prodhuara nga operatorë të ndryshëm në botë, mund të themi se një nga avantazhet kryesore të vaksinave kineze është se ato mund të ruhen në një frigorifer standard në 2-8 gradë Celsius, gjë që sipas OBSH-së “kjo kërkesë e lehtë për ruajtje” i bën vaksinat kineze “shumë të përshtatshme për vende me pak mundësi e pak burime financiare”.
Nga një këndvështrim tjetër, vaksinat kineze janë zhvilluar në mënyrën tradicionale, me virus të dobësuar apo të çaktivizuar, që është një mënyrë e provuar e zhvillimit të vaksinave dhe më eficiente dhe shumë më pak e rrezikshme se sa mënyrat e tjera të zhvillimit të vaksinave që e ekspozojnë më shumë sistemin imunitar të njeriut ndaj virusit.
Sipas Wellcome Trust dhe BBC, Vaksinat e zhvilluara me ARN – acid ribonukleik janë Biontech dhe Moderna. Kjo do të thotë që një pjesë e kodit gjenetik të koronavirusit injektohet në trup, duke trajnuar sistemin imunitar se si t'i përgjigjet asaj. Vaksina e Pfizer, Biontech merret në dy doza dhe ruhen në temperaturë -80 ° ~ -60 ° për një periudhë deri në 6 muaj dhe në temperaturë 2° ~ 8° për pesë ditë. Edhe vaksina Moderna e zhvilluar po me ARN, ruhet në temperatura -20 ° ~ -25 ° për 6 muaj dhe në temperaturë 8° për 30 ditë në botë.
Vaksinat e zhvilluara me vektorë virusi janë Oxford – Astra Zeneka, Sputnik V dhe Johnson & Johnson. Kjo do të thotë se një version i një virusi që zakonisht merret nga shimpanzetë, modifikohet për të përmbajtur material gjenetik të marrë nga koronavirusi. Pasi të injektohet, ai mëson sistemin imunitar se si të luftojë virusin e vërtetë.
Vaksina Oksford - Astra Zeneca mund të ruhet rreth 6 muaj në temperaturë 2 ~ 8 °, merret në dy doza.
Sputnik V (Gameleya) mund të ruhet në forme të lëngshme në temperaturë -18.5 ° dhe në formë të ngurtë në 2 ~ 8 °. Merret në dy doza.
Johnson & Johnson mund të ruhet në temperaturë 2 ~ 8 ° dhe merret me një dozë.
Vaksinat me virus të çaktivizuar janë Sinopharm, Sinovac dhe Bharat Biotech. Kjo do të thotë se këto vaksina përftohen duke dobësuar virusin, në atë masë sa që kur të injektohet në trupin e njeriut të bëjë të mundur forcimin e sistemit imunitar ndaj virusit aktiv.
Sinopharm dhe Sinovac mund të ruhen në temperaturë 2 ~ 8° dhe merren në dy doza.
Vaksina Bharat Biotech mund të ruhet në temperaturë 2 ~ 8° dhe merret në dy doza.
Në rastin e Sinopharm është hera e parë në historinë botërore që OBSH jep miratimin e përdorimit emergjent të një vaksine kineze.
Kjo ngjarje ka një efekt shumë pozitiv sepse “zgjeron listën e vaksinave COVID-19 që COVAX mund të përdorë dhe u jep vendeve besim për të përshpejtuar procesin e miratimin të këtyre vaksinave nga ana e rregullatorëve kombëtarë dhe përmirëson dukshëm procedurat për të importuar dhe administruar një vaksinë”, tha Drejtori i Përgjithshëm i OBSH Tedros Adhanom Ghebreyesus.
OBSH pak javë më parë kishte dhënë miratimin edhe për Pfizer-BioNTech, AstraZeneca, Johnson & Johnson dhe Moderna.
Është mjaft e dukshme se vaksinat kineze janë shumë të përshtatshme për vendet me burime të pakta dhe pa teknologji të përshtatshme ruajtje e magazinimi të produkteve farmaceutike dhe këto vende përbëjnë pjesën më të madhe të shteteve dhe popullsisë së botës.
Deri tani me këto dy vaksina janë vaksinuar më shumë se 250 milionë qytetarë në Kinë dhe rreth 350 milionë qytetarë në shumë vende të botës si në Emiratet e Bashkuara Araben Hungari, Serbi, Shqipëri, Turqi, Indonezi, Kili, etj.
Kjo nuk është çështje diplomacie, por thjesht fuqia e padiskutueshme e një kombi që me burimet e brendshme dhe forcën e mendimit më të përparuar shkencor dhe me mbështetjen e përshtatshme qeveritare, arrin suksese të vazhdueshme. Është e dukshme se reputacioni i Kinës si një superfuqi shkencore është në rritje.
Prodhuesi kinez i këtyre vaksinave mendon se mund të prodhojë deri në pesë miliardë doza deri në fund të këtij viti, në mënyrë që të arrihet që të prodhohen doza të mjaftueshme për popullsinë kineze dhe për të ndihmuar dhe mbështetur vendet e tjera në luftën kundër Covid – 19. Deri në fund të muajit qershor do arrihet që në Kinë të vaksinohet më shumë se 40% e popullsisë prej 1.4 miliardë banorësh e Kinës dhe të eksportohet një sasi e konsiderueshme e këtyre vaksinave rreth 500 milionë doza për COVAX dhe qeveritë e vendeve të ndryshme të botës.
Tashmë vaksinat e Kinës janë shpërndarë në më shumë se 80 vende. Bota po përdor me sukses, efikasitet dhe cilësi vaksinat kineze në luftën globale kundër sëmundjes së shekullit.
Nga: Dr. Enriko Ceko