Mjeku i njohur imunolog shqiptar, Genc Sulçebe, u bëri thirrje qytetarëve që të respektojnë masat e diktuara nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale kundër Covid 19. Në një intervistë televizive, mjeku Sulçebe, duke renditur shenjat që tregojnë se një pacient është i prekur me koronavirus, tha se shenjat e Covid-it janë të qarta e të njohura. Nëse një person ka temperaturë dhe dhembje koke, sipas mjekut, më shumë mundësi ka që të jetë me Covid. Pacienti mund të ketë diarre, këputje, anoreksi, por temperatura mbizotëron.
Sipas tij, duhet një testim i plotë që të kapësh asimptomatikët, pasi gjysmat e rasteve janë pa shenja dhe për këtë arsye është një infektim kapilar që është vështirë ta kontrollosh.
Lidhur me testimet e shpejta, Sulçebe u shpreh se janë efikase për studimet epidemiologjike, pasi nuk kanë efektin e testimit molekular.
“Testimet e shpejta janë efikase, janë të lira dhe e kapin virusin me shpejtësi. Kanë një mangësi se ato nuk e kanë ndjeshmërinë e testimit molekular, por janë të dobishme për studime epidemiologjike në vatra, p.sh. në shkolla”, -tha mjeku.
Mjeku shtoi se medikamentet antivirale janë të pakta dhe jo efikase në rastin e Covid 19 dhe vetëm vaksina do të jetë zgjidhja.
“Është një infeksion që parandalohet, mjafton të rrimë larg ndaj njëri-tjetrit, mjafton të ruhemi dhe kështu e kalojmë derisa të vijë vaksina”, -nënvizoi Sulçebe, duke shtuar se Covid 19 ngjason me një grip të zakonshëm, por shkalla e vdekshmërisë është shumë më e lartë. (Elona)