20 marsi është Dita Botërore e Shëndetit Oral. Departamenti i Shëndetit në rajonin e Hong-Kongut, Fakulteti i Stomatologjisë i Universitetit të Hong-Kongut dhe organe të tjera u përgjigjën pozitivisht për propozimet e Federatës Dentare Botërore, duke organizuar aktivitete të ndryshme për inkurajimin e popullatës që të formojë zakone të shëndetshme të ruajtjes së gojës, të bëjë kontrolle rutinë në kohë për të parandaluar problemet orale.
Prej vitit 2007, Federata Dentare Botërore (FDB) e përcaktoi 20 marsin si "Ditën Botërore të Shëndetit të Gojës", në shenjë mobilizimi për organizatat e fushës që të aktivizohen për të rritur ndërgjegjësimin e qytetarëve për shëndetin oral dhe kontrollin e gojës. Pas vitit 2013, Departamenti i Shëndetit i Hong-Kongut organizoi çdo vit aktivitete në kuadër të ruajtjes së shëndetit të gojës. Sivjet, tema e aktivitetit në këtë datë është "marrja e masave për shëndetin e gojës", si larja e pastrimi i dhëmbëve, kontrolli i dhëmbëve, formimi i zakoneve të shëndetshme të ushqimit, shmangia e pirjes së duhanit dhe e pijeve alkoolike etj.
Në këtë ditë, Fakulteti i Stomatologjisë i Universitetit të Hong-Kongut u bëri thirrje masave popullore të bëjnë kontroll të rregullt të gojës për të parandaluar kancerin e gojës. Sipas kirurgut Peter Thomson, në shekullin e 21-të, përqindja e kancerit të gojës u rrit. Çdo vit pati një shtim prej afro 300 mijë pacientë të rinj të prekur nga ky kancer. Sipas të dhënave statistikore, në Hong-Kong, po shtohet në mënyrë të pandërprerë numri i pacientëve të prekur nga kanceri i gojës. Në vitin 1996 ishte 394, ndërsa në vitin 2016 ky numër arriti në 700, një shtim mbi 70%.
Sipas profesorit Peter Thomson, në fazën fillestare të tumorit të gojës, shfaqen simptoma si ulçer e gojës që nuk shërohet për një kohë të gjatë, të pllakës mukozale në gjyrën e kuqe dhe të bardhë, të enjtjes në qafë etj. Gjatë kontrollit të gojës këto simptoma janë lehtësisht të zbulueshme dhe pacienti ka shansin për parandalimin dhe mjekimin e duhur.
"Këto simptoma mund të zbulohen lehtësisht përmes kontrolllit të gojës. E dimë se po shtohet numri i pacientëve të prekur nga kanceri i gojës. E dimë se kanceri i gojës po vret shumë njerëz. E besojmë se zbulimi i fenomeneve të kancerit në fazë të parë mund ta japë mundësinë e mjekimit dhe shanset e çmuara të trajtimit."
Por sipas të dhënave të vitit 2014, më pak se 50% e hongkongasve kryenin kontrolle të gojës. Ndër njerëzit mbi 45 vjeç me rrezik më të madh të kancerit, vetëm 37% e tyre bënë kontrolle rutinë. Sipas Peter Thomson-it, shumica e pacientëve të prekur nga kanceri i gojës që po pranojnë mjekim, ndodhet në fazën e vonshme të kancerit, e cila është periudha më e vështirë e trajtimit.
Profesori Thomson kreu studime të shumta për parandalimin e kancerit të gojës dhe analizën e fazës së hershme të këtij tumori. Ai përdori teknikën e ndërhyrjes së parakohshme ndaj sëmundjeve potenciale gojore që mund të jenë kanceri i fazës së parë. Ai u shpreh se në fazën fillestare të kancerit të gojës, nëse pacientët pranojnë ndërhyrjen kirurgjike, ata mund të kenë 80% shanse për t'u shëruar.
"Për shumë vite, kemi bërë kirurgjitë e lazerit në Hong-Kong, Britaninë e Madhe, Australi etj, të cilat kanë efekte shumë të dukshme për asgjësimin e kancerit të fazës fillestare. Këto kirurgji mikro-invazive kanë shkallë të lartë kurimi. Nëse asgjësojmë qelizat e tumorit në fazën fillestare, besojmë se mund të shmangim përkeqësimin e sëmundjes tek kanceri fatal. Kemi bërë kirurgji ndaj 590 pacientëve dhe studime për 20 vjet mbi situatën e tyre. Zbuluam që shumica e tyre ishin shëruar dhe shkalla e kurimit arriti në afro 86%."
Sipas profesori, pirja e duhanit, konsumi i pijeve alkoolike, dieta e pashëndetshme, gjendja e dobët e shëndetit të gojës etj., mund të shtojnë rreziqet e kancerit të gojës. Prandaj, ai sugjeron që banorët të ruajnë zakone të shëndetshme dhe të kryejnë kontrolle rutinë të gojës.
"Nëse mund të zbulohen në fazat e hershme simptomat e kancerit mund të marrim masat e duhura për eleminimin e tyre. Si sugjerime shëndetësore nga ana jonë përfshijmë lënien e duhanit, konsumin e pijeve alkoolike në sasi të moderuar, dietë të shëndetshme, konsum të më shumë frutave dhe perimeve të freskta. Nëse keni parehati gojore, duhet të bëni kontroll të gojës tek dentisti, pasi ky kontroll është shumë i rëndësishëm për shëndetin tonë, meqenëse goja është pasqyra e shëndetit të trupit. Përmes kontrollit të gojës, mund të zbulojmë kancerin në fazën e parë." (Xu Guang)