Imunoterapia është një nga mënyrat më të reja me të cilën mjekësia po përpiqet të luftojë kancerin. Imunoterapia është një metodë që e ndihmon pacientin të luftojë kancerin përmes sistemit të mbrojtjes natyrore të trupit. Kjo metodë është shpresëdhënëse dhe ka dhënë rezultate, por nuk është funksionale për të gjithë.
Më 17 prill, profesori i Spitalit Popullor të Provincës së Guangdong-ut Wu Yilong shpalli suksesin e parë në provën klinike për një pacient të prekur me tumorin e mushkërisë në fazën e vonshme.
"Në krahasim me kimioterapinë, ilaçi i imunologjisë kundër kancerit 'Nivolumab' mund të përmirësojë më shumë kushtet fizike të pacientit, duke përfshirë zgjatjen e jetës. Prandaj, imunoterapia kundër kancerit mund të bëhet një zgjedhje e re e trajtimit mjekësor për pacientin e prekur nga kanceri i mushkërisë."
Më 28 gusht, ilaçi i parë i imunologjisë kundër kancerit në Kinë "Opdivo" u miratua për shitje në mbi 50 qytete të Kinës, duke simbolizuar trokitjen e fazës klinike të imunoterapisë në Kinë.
Si funksionon kjo imunoterapi?
Në trupin e një individ të zakonshëm lindin në mënyrë të pandërprerë qeliza tumoriale. Po përse "njerëzit e zakonshëm" nuk ndikohen nga to? Përse këto qeliza tumoriale nuk janë zhvilluar në kancer?
Çdo lloj i kancerit shfaqet si rezultat i ndryshimit (mutacionit) apo dëmtimit të një apo më shumë gjeneve. Gjenet janë të pranishme në çdo qelizë të njeriut, dhe janë përgjegjëse për zhvillimin, funksionimin dhe ndarjen e qelizave. Mutacioni i gjeneve mund të ketë efekt të ndryshëm. Efekti varet nga vendi ku kanë ndodhur ndryshimet dhe nëse mutacioni ka shkaktuar ndryshimin e funksionit të proteinave të rëndësishme të qelizës. Falë sistemit imunitar, qelizat kanë aftësinë për të regjistruar ndryshimet në ADN, dhe t'i korrigjojnë ato para se këto pronësi 'të këqija' të transferohen në qeliza të tjera. Në rast se qelizat nuk janë në gjendje për ta korrigjuar atë, ndryshimi transferohet edhe tek qelizat e tjera. Këto qeliza me ADN të ndryshuar, kanë shumë mundësi të shndërrohen në kancerogjene.
Në fakt, kjo është teoria e imunologjisë, shfrytëzimi i sistemit imunitar për asgjësimin e qelizave kancerogjene.
Profesori Wu Yilong e shpjegoi sistemin e imunoterapisë në këtë mënyrë: sistemi imunitar ka aftësi të sulmojë qelizat e jashtme dhe qelizat abnormale. Por qelizat kancerogjene mund ta "mashtrojnë" sistemin imunitar në disa mënyra, për të shmangur mbikëqyrjen dhe asgjësimin e tyre. Kur gjenet dhe sistemi imunitar ynë janë ndryshuar dhe s'mund ta njohin qelizat e kancerit, tumori rritet. Prej viteve 70 të shekullit të kaluar, specialistët e fushës së kancerit kanë filluar studimin e metodave të reja për ta ndihmuar sistemin imunitar që të njohë dhe të sulmojë qelizat kanceroze.
Kur këto qeliza ndryshojnë, ato do të "mashtrojnë" sistemin imunitar dhe njihen si "qeliza të mira" nga sistemi imunitar. Ndërmarrim masat përkatëse për ta riparuar sistemin imunitar, i cili mund të rifillojë sulmet ndaj qelizave kanceroze. Kjo terapi e re quhet imunoterapi, që mund ta ndihmojë sistemin imunitar të asgjësojë qelizat kanceroze. Imunoterapia synon aktivizimin e sistemit imunitar të trupit dhe asgjësimin e qelizave kanceroze nëpërmjet funksioneve imunitare të vetë organizmit. Nga metoda e kirurgjisë, kimioterapisë dhe radiologjisë dhe e terapisë së shënjestruar, imunoterapia nuk synon sulmet për qelizat kanceroze, por aktivizon sistemin imunitar të trupit.
Rëndësia e qelizave T
Qelizat T ndodhen në sistemin vaskular dhe janë jashtëzakonisht të rëndësishme në njohjen dhe shkatërrimin e infeksionit. Qelizat e kancerit sillen si qeliza normale, kështu që sistemi imunitar nuk kupton se ato janë të parregullta. Shkencëtarët i kanë modifikuar qelizat T që ato t'i njohin dhe sulmojnë qelizat e kancerit.
Temperatura e lartë është një shenjë që qelizat T po e bëjnë punën e tyre. Nëse mjekët nuk mund të arrijnë ta ulin temperaturën e trupit tuaj, ata duhet ta zvogëlojnë nivelin e qelizave T me ilaçe të tjera dhe ta përfundojnë trajtimin e kancerit.
Në vitin 2018, dy ilaçet e imunologjisë të miratuara në tregjet kineze janë "frena" të pikave të kontrollit. Këto ilaçe mund të përdoren përmes injektimit intravenoz.
Avantazhet dhe disavantazhet e imunoterapisë
Sipas profesorit Wu Yilong, imunoterapia është revolucioni i dytë i terapisë kundër kancerit. Revolucioni i parë është terapia në shënjestër . Imunoterapia ka dy avantazhe: së pari, kjo terapi është efektiv jo vetëm për kancerin e mushkërisë, por edhe për shumë lloje të tjera. Në krahasim me terapinë në shënjestër, imunoterapia mbulon më shumë probleme. Së dyti, nëse efekteti i kësaj terapie konfirmohet tek pacienti, vitet e jetës tek ai mund të zgjaten shumë. Për shembull, sipas të dhënave aktuale, 20% e pacientëve që i nënshtrohen imunoterapisë, mund të mbijetojnë për mbi 5 vjet, disa madje mund ta kurojnë kancerin dhe të mbijetojnë për një kohë të gjatë.
Për shkak të advantazheve aq të dukshme, imunologjia e tumorit është bërë fokusi i studimeve mjekësore kohët e fundit. Si çdo gjë që ka dy anë, imunoterapia ka 3 disavantazhe përveç avantazheve:
1. Përqindja e efikasitetit të imunoterapisë është e ulët. Pacientët e favorizuar nga imunoterapia janë të paktë, me një përqindje prej 20%. Dmth, 1 ndër 5 persona mund të favorizohen nga kjo metodë. Terapia në shënjestër është efektive për 70-80% të pacientëve.
2. Koha e shfaqjes së efikasitetit të imunoterapisë është më e gjatë. Pas mjekimit me terapi në shënjestër për një muaj, mund të shikojmë efektet e dukshme ose jo. Por, imunoterapisë i nevojitet 3 muaj deri në 4 muaj për të gjykuar nëse ka qenë efektive ose jo. Koha e gjatë e gjykimit u sjell mjekëve sfidën e kontrollit të tumorit në fazën tjetër.
3. Disavantazhi i tretë i imunoterapisë është efektet anësore të veçanta. Sipas Wu Yilong-ut, efektet anësore vjen kryesisht nga aktivizimi i tepërt i sistemit imunitar. Këto efekte anësore mund të shfaqen në fenomenet e rritjes së temperaturës, të drithërimës, të lodhjes, të daljes së puçrrave, të diarresë, të dhimbjeve të kyçeve dhe të muskujve, të përziera etj. Reagimet më të ashpra përshijnë pezmatimet në organet e brendshme, çrregullimet e sistemit imunitar etj. Disa efekte anësore të imunoterapisë janë të reja për mjekët. Prandaj, specialistët e fushës duhet të grumbullojnë më shumë përvojat klinike.
Profesori Wu Yilong na prezantoi se specialistët e shëndetit po eksplorojnë metoda të ndryshme për të zgjedhur pacientë të përshtatshëm për imunoterapinë. Tani, mjekët po përpiqen të studiojnë nivelin e TMB-së tek pacientët. Nëse ky nivel është i lartë atëherë efekti i imunoterapisë do të jetë më i dukshëm.
Zoti Wu Yilong theksoi se në dhjetë vitet e ardhme, imunoterapia mund të jetë terapia kundër kancerit të mushkërisë me perspektivën më të mirë. Qarqet mjekësore shpresojnë se kjo terapi mund të bëhet armë efektive për kancerin e mushkërisë. (Xu Guang)