Duke mos pasur dhembje, gruaja shtatzënë është shumë më e relaksuar, është më bashkëpunuese dhe procesi i lindjes realizohet në kushte shumë më të favorshme si për nënën, për beben e gjithashtu edhe për stafin gjinekologjik që udhëheq lindjen.
Për këtë, Kina do të nisë një program pilot që synon lindje natyrale pa dhimbje me ilaçe për të ulur ndjeshëm numrin e lindjeve me operacion.
Komisioni Kombëtar i Shëndetit njoftoi të marten se programi pilot do të zbatohet në disa spitale në mbarë vendin dhe do të zgjasë deri në fund të vitit 2020.
Nisja e programit që do të mundësojë lindjet natyrale pa dhimbje ishte në gushtin e vitit të kaluar, kur 26-vjeçarja shtatzënë, Ma Rongrong, të cilës i kishte mbetur një javë nga lindja u hodh nga kati i pestë i një spitali në Yulin të provincës Shaanxi, sepse nuk duronte dot dhimbjet e mëdha.
Spitalet pjesëmarrëse në këtë program pilot do të përmirësojnë praktikat dhe menaxhimin e tyre të lindjeve natyrale me ndërhyrjen e anstezisë dhe duke shtuar trajnimet e stafit mjekësor, përfshi anestezistët, dhe mamitë, shkruhet në planin e Komisionit.
Në prag të përfundimit të programit pilot, Komisioni do të ndajë të dhënat në të gjithë vendin. Deri në fund të vitit 2020, mbi 40 për qind e të gjitha lindjeve në spitalet pilot do të kryhen me anestezi epidurale.
Kjo nënkupton vendosjen e një kateteri në hapësirën epidurale në regjionin lumbar, përmes të cilit administrohen anestetikë lokal, me anë të cilëve bllokohet dhembja pa e ndaluar procesin e kontraksioneve të mitrës që janë të domosdoshme për procesin e lindjes.
Vendosja e kateterit epidural bëhen në hapësirën epidurale në nivel L2-L3 ose L3-L4, pra rreth 2 nivele më poshtë se sa niveli ku mbaron palca e kurrizit, pra në nivelin më të ulët të shpinës, çka e bënë të parrezikshme për lëndimin e palcës së kurrizit.
Edhe pse shumë popullore në disa vende të botës, anestezia epidurale mungon në përgjithësi në Kinë për shkak se mungojnë anestezistët e kualifikuar. Disa ekspertë vlerësojnë se vetëm 10% e grave që duan të kenë fëmijë në Kinë mund ta përdorin teknikën e lindjeve pa dhimbje.
Si rezultat, shumë gra duhet të vendosin ose të lindin me dhimbje, ose të bëjnë operacion me anestezi. Shifra e rreth 35 për qind e bebeve që kanë lindur me operacion në Kinë, është shumë më e lartë se standardi i rekomanduar ndërkombëtarisht për më pak se 15 për qind.
Huang Yuguang, shefi i Departamentit të Anestezisë pranë Spitalit "Peking Union Medical College" dhe kryetar bordi i specialistëve të programit pilot, tha se spitalet pilot do të jenë spitale të mëdha ose shumë të specializuara, ndërkohë që lista e tyre do të bëhet publike së shpejti.
Për të promovuar anestezinë epidurale në Kinë do të nevojitet një punë e madhe përfshi trajnim më të mire të anestezistëve dhe rregullave të procedurave kundër rrezikut të sigurisë, tha Huang.
"Spitale të ndryshme mund të kenë profesionistë të ndryshëm," tha ai. "Ne duhet të hartojmë një udhëzues të unifikuar që mund të ndiqet nga të gjitha spitalet për të siguruar shërbim me cilësi të lartë dhe minimizuar rrezikun e pacientëve."
Mungesa e anestezistëve në Kinë shkakton një pengesë të madhe në nxitjen e lindjeve natyrale pa dhimbje, tha ai. Në shumë spitale, departamentet me pakicë anestezistësh merren me operime. Aty ku nevojitet anestezia ata nuk kanë kohë për lindjet natyrale pasi numri i grave që lindin është tepër i lartë gjatë një dite.
Çfarë duhet për të realizuar një lindje pa dhembje?
1. Anesteziologu që e ka njohurinë dhe përvojën e duhur për administrimin e kateterit epidural dhe menaxhimin e lindjeve pa dhembje.
2. Gjinekologu që ka përvojën e duhur në menaxhimin e lindjeve pa dhembje.
3. Mjetet e nevojshme për vendosjen e kateterit epidural.
4. Barërat e nevojshme për realizimin e lindjes pa dhembje.
5. Monitorimi i domosdoshëm i nënës dhe fetusit.
Çfarë duhet bërë para se të realizohet një lindje pa dhembje?
1. Është e domosdoshme që disa ditë para lindjes të konsultohet anesteziologu, i cili merr informata nga shtatzëna për gjendjen e saj shëndetësore, për problemet e mundshme të mëhershme dhe dhënia e sqarimeve lidhur me procedurën e vendosjes së kateterit epidural.
2. Bërja e analizave të domosdoshme paraprake për të eliminuar ndonjë problem të mundshëm që do ta pamundësonte apo do ta bënte të rrezikshëm vendosjen e kateterit epidural.
3. Informimi për çdo hap që shoqëron vendosjen e kateterit dhe menaxhimin e mëtejshëm të lindjes pa dhembje.
4. Vendosja e besimit reciprok pacient-mjek.
Teknika e vendosjes së kateterit epidural
1. Pozicioni ulur dhe shumë rrallë lateral
2. Gjetja e hapësirës interspinoze L2/L3 ose L3/L4
3. Dezinfektimi i lëkurës me Betadinë
4. Vendosja e mbulesës sterile me vrimë
5. Infiltrimi i lëkurës dhe hapësirës interspinoze me anestetik lokal
6. Gjetja e hapësirës epidurale me metodën e humbjes së rezistencës (shiringë me rezistencë të ulët e mbushur me aqua destilata)
7. Pas gjetjes së hapësirës, vendosja e kateterit 3-4 cm në hapësirën epidurale.
8. Fiksimi i kateterit
9. Testi i aspirimit dhe dhënia e test dozës me Lidokainë me Adrenalinë.
10. Fillimi i administrimit të anestetikut për ta realizuar lindjen pa dhembje.
Kateteri epidural hiqet sapo të përfundoj procesi i lindjes