Me zhvillimin ekonomiko-shoqëror të Kinës, numri i banorëve të punësuar në provinca të ndryshme të vendit ka ardhur në rritje, duke shtuar kërkesat në fushën shëndetësore në këto zona.
Më 24 gusht, përgjegjësi i Administratës Kombëtare të Sigurimeve Shëndetësore të Kinës (AKSSHK) u shpreh se Kina do të lehtësojë procedurat e rimbursimit të sigurimeve shëndetësore bazë ndër-provinciale, duke u dhënë mundësi banorëve të marrin shërbim shëndetësor në rajone të ndryshme.
Sistemi ndër-provincial i sigurimeve shëndetësore në Kinë zbatohet në këtë mënyrë: Në momentin kur banorët, të cilët janë të përfshirë në skemën e sigurimeve shëndetësore bëjnë vizita mjekësore në provinca të ndryshme të Kinës, ata paguajnë vetëm pjesën e tyre të shpenzimeve shëndetësore, shpenzimet e tjera rimbursohen përmes agjencive të sigurimeve shëndetësore dhe organeve shëndetësore. Sot në Kinë është formuar sistemi i rimbursimeve të sigurimeve shëndetësore ndër-provinciale, që lidh të gjitha sistemet provinciale të sigurimeve, duke mbuluar ato për punonjësit në zonat urbane dhe rurale.
Zv-drejtorja e AKSSHK-së Li Tao u shpreh se deri në gjysmën e parë të vitit 2018, 486 mijë persona morën rimbursim përmes sistemit kombëtar të shpenzimeve shëndetësore. Nga këto shpenzime, 11.83 miliardë juanë, fondi i sigurimeve shëndetësore rimbursoi 7 miliardë juanë, shifër mbi dyfishin e vitit 2017.
"Deri në fund të qershorit të këtij viti në këtë sistem kombëtar janë regjistruar mbi 2.67 milionë vetë, 10,015 institucione shëndetësore dhe 95% të spitaleve të nivelit 3A-së kombëtar (spitalet e përgjithshme publike). Ky sistem ka lehtësuar shumë sfidat e rimbursimit të shpenzimeve shëndetësore ndër-provinciale, përfshi largësinë nga provinca në provincë, kohëzgjatja e rimbursimit, procedura e ndërlikuar etj."
Megjithëse ky lloj rimbursim ka pasur suksese, nuk përjashtohen problemet. Për shembull, shumë të punësuar në krahina të ndryshme të vendit kanë vështirësi në plotësimin e dokumenteve përkatëse dhe ata ndryshojnë shpesh vendet e punës, prandaj ky sistem nuk mbulon përqindjen e mjaftueshme të të punësuarve në krahinat e ndryshme. Përveç kësaj, për shkak të kohës së shkurtër të funksionimit të këtij sistemit, institucioneve të kufizuara shëndetësore të mbuluar nga sistemi, mungesa e njohjes së procedurave dhe politikave përkatëse nga banorët etj, shumë pacientë që iu nënshtruan shërbimeve shëndetësore jashtë krahinës së tyre, u rimbursuan pas rikthimit në provincën e tyre ku ishin regjistruar për sigurimet.
Duke marr shkas nga problemet e tanishme, Këshilli i Shtetit i Kinës organizoi më 22 gusht mbledhjen ekzekutive, për ta shtrirë rimbursimin ndaj shpenzimeve shëndetësore mes provincave, duke lehtësuar më tej procedurat e rimbursimeve. Pra një banor, edhe pse i regjistruar në një provincë specifike, ai gëzon të drejtën të tërheqë rimbursimin në një krahinë tjetër, njësoj si mund të vepronte në provincën e tij.
"Të gjithë fshatarët që kanë punuar në qyete të tjera, të punësuarit në krahina të tjera, ata që ushtrojnë karrierën në provinca të tjera mund të marrin rimbursim nga sigurimet shëndetësore në provincën ku punojnë apo jetojnë. Duhet të garantohet vendosja e organeve shëndetësore që ofron rimbursimin e shpenzimeve shëndetësore ndër-provinciale në rajonet e nivelit bazë. Në fund të këtij viti, në çdo distrikt administrativ të qytezave, duhet të këtë të paktën një organ shëndetësor që përgjigjet për këtë rimbursim. Do të shpejtohet përfshirja e të gjitha organeve shëndetësore në sistemin unik të rimbursimit kombëtar dhe do të nxitet procesi i rimbursimit përmes internetit."
Prej zbatimit të reformës së re në shëndetësi, Kina ka bërë shumë përpjekje për formimin e sistemit që garanton shërbime shëndetësore. Deri tani, janë formuar sigurime shëndetësore baze për pothuajse të gjithë banorët. Deri në fillim të këtij viti, mbi 1.35 miliardë kinezë u përfshinë në skemën bazë të sigurimeve shëndetësore, pra mbi 95% e popullsisë së përgjithshme. Me zgjerimin e mëtejshëm të rimbursimit të shpenzimeve shëndetësore përmes sigurimeve shëndetësore ndër-provinciale, çdo i regjistruar në sigurime mund të gëzojë rimbursim në çdo organ shëndetësor të Kinës.(Xu Guang)