Plakja është një fazë e pashmangshme e jetës sonë. Çdokush do të përballet me venitjen e fytyrës dhe lëkurës. Por shumë njerëz, sidomos femrat duan që të plaken sa më vonë. Po nga se vjen plakja e lëkurës. Së pari, plakja e lëkurës është një "proces i oksidimit" i trupit. Në fakt, hekuri i ndryshkur dhe ngjyra që merr molla pas qërimit të lëkurës janë gjithashtu reagime të zakonshme kimike. Prandaj, nëse duam të kemi lëkurë të bukur, masat e ndryshme për mbrojtjen e lëkurës janë në fakt masat anti-oksiduese.
Antioksidantë për të eleminuar radikalet e lira
Oksidimi i lëkurës vjen kryesisht nga ndikimi i radikaleve të lira, të cilat janë mbetjet e aktivitetit fizik të trupit që grumbullohen brenda qelizave. Tani, produktet kozmetike për lëkurën synojnë kryesisht pakësimin e radikaleve të lira të cilat janë përgjegjëse për rrudhat.
Radikalet e lira kanë rol transformues të energjisë brenda trupit. Kur ka shumë prej tyre, mund të shpejtojë harxhimi i energjisë dhe procesi i plakjes së trupit.
Duke folur për problemet e plakjes, shumë persona, veçanërisht femrat do të kenë një ndjenjë meraku. Prandaj, ato janë më të kujdesshme ndaj ruajtjes së rinisë së lëkurës dhe përdorin shumë produkte për mbojtjen e saj. Këto produkte ndihmojnë në pakësimin e radikaleve të tepërta në lëkurë, duke i shndërruar në ujë ose në materiale të tjera të padëmshme, të cilat do të dalin nga trupi me anë të djersës apo mënyrave të tjera.
Me studimin e mëtejshëm për dëmtimin e lëkurës nga drita e diellit, shkencëtarët zbuluan se kremërat kundër diellit parandalojnë dhe lehtësojnë dëmtimet dhe plakjen e lëkurës që vjen si pasojë e rrezeve të diellit. Disa specialistë thonë se një krem i mirë mbrojtës kundër diellit mund të pengojë 55% të radikaleve të lira. Efektiviteti i mbrojtësve kundër diellit varet nga niveli i përthithjes nga lëkura e trupit.
Radikalet e tepërta që shkaktojnë ndikim të fortë oksidimi, mund të helmojnë organet e qelizave dhe dëmtojnë funksionet fizike normale, duke shkaktuar sëmundje dhe plakje. Por radikalet e lira në nivel të ulët mund të luajnë rol të rëndësishëm në rregullimin e sistemit imunitar, kundër infeksioneve etj, duke ruajtur shëndetin e trupit. Prandaj, objektivi anti-oksidant nuk synon asgjësimin e plotë të radikaleve të lira, por mbajtjen e tyre në një nivel të ulët që mund të garantojë ekuilibrin mes shëndetit dhe lehtësimit të plakjes.
Ushqimet që përmbajnë antioksidantë
Në organizmin e njeriut ekzistojnë elemente të ndryshme të antioksidantëve që mund të mbajnë në nivel radikalet e lira, ndërsa një sasi e mirë e antioksidantëve mund të merren përmes ushqimeve. Antioksidantët më të lartë gjenden tek perimeve dhe disa fruta.
1. Vitamina E
Kjo është një vitaminë e rëndësishëm dhe antioksidant që ul nivelin e radikaleve të lira dhe shmang dëmtimet e membranës qelizore duke mbrojtur enët e gjakut, zemrën, mëlçinë, gjirin, sytë, lëkurën etj. Kjo vitaminë pakëson plakjen dhe parandalon sëmundjet e ndryshme kronike. Trupi ynë s'mund të prodhojë vitaminën E, prandaj ajo duhet të merret përmes ushqimeve. Disa nga ushqimet që përmbajnë vitaminën E janë farat e lulediellit, arrat, lajthia, kikirikët etj. Këto ushqime mund të ndihmojnë në riparimin e qelizave të lëkurës. Por nuk duhet të konsumojmë tepër nga këto ushqime, për shkak të nivelit të lartë të yndyrës, që mund të shkaktojë mbipeshë.
2.Vitamina C:
Vitamica C shpesh është cilësuar si vitamina e mrekullive, pasi ajo ndihmon të gjithë trupin. Marrja e suplementeve të vitaminës C mund të pakësojë dukshëm reaksionet e oksidimit. Sasia e sugjeruar e saj është 0.5-3 gramë në ditë. Vitamina C mund të ruajë shumë organe të trupit nga plakja dhe ka efekt të zbardhjes së lëkurës.
3. Astaxanthin
Astaxanthin është një pigment i kuq dhe ka një strukturë të ngjashme si β-karotene. Ajo ekziston gjerësisht në natyrë, kryesisht brenda algave të detit, salmoni, karkalec, gocë deti etj. Një nga arsyet më të mëdha të plakjes dhe kancerit të lëkurës është rrezatimi i rrezeve ultravjollcë.
Ky antioksidant i fuqishëm mund të mbrojë nga rrezatimi ultraviolet, duke eleminuar efektivisht radikalet e lira në lëkurë.
4. Çaji
Çaji është një pije e rëndësishme për mbrojtjen e shëndetit në kulturën e Lindjes. Ai ka shumë funksione si në kozmetikë, për rënien e peshës dhe ruajtjen e shëndetit. Katekina që pëmban çaji është një antioksidant shumë i fuqishëm. Sipas studimeve përkatëse, kremërat me çaj ulin me afro 1/3 të peroksidëve të lëkurës, të cilat mund të shkaktojnë dëmtimin dhe plakjen e lëkurës.
5. Farat e rrushit
Antocianina , antioksidant tek farat e rrushit është shumë e fuqishme. Farat e rrushit mund të parandalojnë dhe reduktojnë dëmtimin e lëkurës nga rrezatimi ultravjollcë, mund të riparojnë kolagjenin e dëmtuar dhe fibrat elastike. Ato mund të parandalojnë shfaqjen e rrudhave në lëkurë, të eleminojnë radikalet e lira dhe të reduktojnë pezmatimin e lëkurës.
6. Isoflavonet tek kokrrat e sojës
Isoflavonet tek kokrrat e sojës mundësojnë një lëkurë të butë dhe delikate për femrat. Ato ndihmojnë gjithashtu në zbukurimin e gjinjve. Isoflavonet kanë aftësi të heqin radikalet e lira të tepërta.
7. Likopeni
Likopeni është një ndër antioksidantët më të fortë, që është zbuluar vitet e fundit. Ky antioksidant përfshihet në shumicën e frutave dhe perimeve, sidomos tek domatja. Struktura e veçantë kimike e tij mund të asgjësojë radikalet e lira.
Konsumi i ushqimeve që përfshijnë shumë antioksidantë është një garanci për shëndetin e lëkurës. Përveç ushqimeve duhet të krijoni dhe disa shprehi të shëndetshme si mos flini vonë, ulni konsumin e ushqimeve pikante, ruani humor të mirë dhe merruni me aktivitet sportiv. Këto janë disa nga sekretet për një lëkurë të magjishme dhe të shëndetshme. (Xu Guang)