31 maji është Dita Botërore Pa Duhan. Tema e këtij viti është duhani dhe sëmundjet e zemrës. Sipas të dhënave, Kina, prodhuesja dhe konsumatorja më e madhe në botë e duhanit, ka mbi 300 milionë duhanpirës ose 44 për qind të totalit botëror. Më 11 maj, Qendra e Kontrollit dhe Parandalimit të Sëmundjeve të Kinës dha shumë informacione dhe mesazhe sensibilizuese për një jetë të shëndetshme pa duhan. Në to theksohet se duhanpirja aktive dhe pasive shkaktojnë sëmundje kardiovaskulare dhe cerebrovaskulare. Specialistët e shëndetit publik kanë bërë thirrje që të shtohet kontrolli dhe të lihet duhani.
Në Kinë çdo vit humbasin jetën mbi 1 milion vetë për shkak të duhanit. Më 11 maj, Qendra e Parandalimit dhe Kontrollit të Sëmundjeve dhe 8 sektorë të tjerë publikuan informacione sensibilizuese për kontrollin e duhanit
Zv-drejtori i Qendrës së Kontrollit të Sëmundjeve Li Xinhua:
"Sëmundjet kardiovaskulare dhe cerebrovaskulare janë shkaqet kryesore të vdekshmërisë në botë. Në Kinë, mbi 40% pacientëve vdesin për shkak të sëmundjeve kardiovaskulare dhe cerebrovaskulare. Pirja e duhanit dhe duhanpirja pasive duhet të shmangen për të parandaluar sëmundjet kardiovaskulare dhe cerebrovaskulare. Duhanpirja mund të shkaktojë dëmtime në zemër, duke rritur rrezikun për sëmundje koronare; sipas studimeve, pirja e një cigare në ditë mund ta shtojë me 74% rrezikun për sëmundje zemre tek meshkujt dhe me 119% tek femrat. Këto janë disa statistika të rëndësishme."
Zv.shefi i Spitalit të Anzhen-it, specialisti i sëmundjeve kardiovaskulare dhe cerebrovaskulare Zhou Yujie u shpreh se pirja e duhanit dëmton arteriet cerebrovaskulare dhe të qafës, duke rritur rreziqet e apopleksisë. Konsumi i duhanit për një kohë të gjatë shton riskun për sëmundje zemre dhe shkalla e vdekshmërisë do të jetë më e lartë. Përveç kësaj, pirja pasive e duhanit mund të dëmtojë me shpjetësi arteriet kardiovaskulare dhe cerebrovaskulare, duke shkaktuar gjithashtu sëmundje zemre dhe apopleksi.
"Tymi i duhanit dëmton endotheliumin (Veshja e butë dhe delikate e enëve të gjakut). Kolesteroli i lartë, pirja e duhanit, tensioni i lartë, ose diabeti mund të dëmtojë endotheliumin duke krijuar një vend për kolesterolin që të hyjë në murin e arteries. Kjo mund të shkaktojnë plakjen e arterieve dhe arteriosklerozë të parakohshme. Këto fenomene mund të shkaktojnë sëmundjet koronare të zemrës. Prandaj, duhanpirja është shumë e dëmshme. Përveç kësaj, duhanpirja pasive shkakton edhe më shumë dëme. Femrat kanë rezistencë më të ulët nga duhani, sistemi i tyre endokrin është më i paqëndrueshëm. Gjatë adoleshencës, femrat janë të forta, por gjatë menopauzës duhanpirja mund t'u sjellë dëme të mëdha."
Në vitin 2003, Kina nënshkroi Konventën Kornizë për Kontrollin e Duhanit të OBSH-së, e cila u zyrtarizua në vitin 2006. Deri tani, në mbi 10 qytete si Pekin, Shangai, Shenzhen etj, është miratuar ligji pa duhan, që mbulon 1/10 të popullsisë së përgjithshme kineze. Përfaqësuesi i OBSH-së në Kinë Gauden Galea tha se Kina ka bërë arritje të mëdha në luftën kundër duhanit.
"Në vitet e fundit, Kina ka bërë shumë progres në kontrollin e duhanit. Sivjet është viti i 3-të i zbatimit të rregullave të kontrollit të duhanit në Pekin. Janë zbatuar rregullat e kontrollit të duhanit në Shangai për 1 vit. Në qytetin e Shenzhenit, janë shpallur rregullat e ndalimit të përgjithshëm të duhanit. Në qytetet e tjera, si Xi'an, Hangzhou etj, është hartuar ose planifikuar ligji pa duhan."
Megjithatë ende ekzistojnë shumë sfida në masat e ndalimit të duhanit në Kinë. Një prej tyre është se nuk janë hartuar rregullat e kontrollit të duhanit në nivelin kombëtar, ekzistojnë ende reklama promovuese për shitjen e duhanit, tarifat e duhanit nuk janë rritur në nivelin e kërkuar nga OBSH-ja etj. (Xu Guang)