Nëse dikush do tju pyeste përse e përdorni pastën e dhëmbëve, ju me siguri do ti përgjigjeshit "Për të larë dhëmbët". Por përveç këtij funksioni të njohur nga të gjithë dhe kudo, pasta e dhëmbëve ka dhe disa veçori të tjera, pastruese.
Ju nuk e imagjinoni dot se sa i dobishëm është një tubet me pastë dhëmbësh. Le të shohim përdorimet e tij mjaft efikase dhe pa shpenzime.
-Pastron sendet prej argjendi
Sendet prej argjendi, bizhuteritë por edhe enët e ndryshme prej argjendi me kalimin e kohës oksidohen, gjë që shfaqet në njollat e ndryshme. Pikërisht këto njolla bëjnë që sendet prej argjendi të duket të vjetra dhe madje shumë vetë i kanë hedhur, duke menduar se nuk vlejnë më. Kjo është e gabuar. Mjafton të vendosni pak pastë dhëmbësh në një leckë të pastër dhe të fërkoni me të sipërfaqen e sendit, apo bizhuterisë disa herë. Do të shihni menjëherë heqjen e njollave dhe pasi ta keni shplarë me ujë sendi prej argjendi do të shkëlqejë si i ri.
-Pastron farët e makinës
Pasta e dhëmbëve mund të pastrojë jo vetëm sipërfaqet metalike të një makine, nëse është e nevojshme por edhe të tjera. Farët, apo dritat e automjetit nga pluhuri i rrugës, smogu apo moti i keq shpesh e humbin pastërtinë dhe shkëlqimin. Nëse vendosni një sasi të vogël paste dhëmbësh te dritat e automjetit dhe e fërkoni me një sfungjer do të shihni se papastërtia zhduket si me magji.
-Patron tastierën e pianos
Ka familje apo institucione që përdorin piano të vjetra. Nga kalimi I viteve dhe përdorimi tastiera dikur bardhezi e pianos e humbet bardhësinë, e saj dhe tastet e zeza ndërthuren me taste disi të zverdhura nga koha. Për ti bërë ato përsëri të bardha, si fildishi mjafton ti pastroni me paste dhëmbësh. Menjëherë do të shihni kontrastin real mes tastave të zeza dhe atyre të bardha të tastierës së pianos. Vetë pianoja do të duket si e re.
-Pastron gomën e atleteve
Shpesh ankohemi se kur pastrojmë atletet prej cope apo materiali lëkure e sintetik, goma e bardhë e tyre mbetet disi e papastër. Për këtë ju vjen në ndihmë pasta e dhëmbëve. Mjafton me një sfungjer të lyer me paste dhëmbësh të fërkoni gomën e atleteve dhe më pas ti shplani me ujë dhe ato do të jenë të bardha si dëbora.
-Heq njollat e ujit mbi sipërfaqe të drunjta
Shpesh vendosim mbi tavolinën e lustruar ndonjë gotë me ujë, lëngje frutash apo pije të ndryshme. Nëse gota nuk është e tharë ajo do të lerë shenjë mbi mobilje. Nuk mjafton një leckë e thatë për ta pastruar atë. Mjafton ta pastroni vendin me paste dhëmbësh dhe nuk do të ketë më asnjë lloj shenje.
-Pastron njollat e bojës
Nxënësit, studentët por në shumë raste dhe mësuesit e tyre harrojnë një stilolaps në xhepin e këmishës dhe pa dashur ajo njolloset. Kjo njollë boje në veshje mund të pastrohet lehtë me paste dhëmbësh. Vendosni pastën e dhëmbëve mbi njollë dhe lereni të thahet për një ditë. Të nesërmen e lani rrobën normalisht dhe do të shihni se njolla është zhdukur.
-Pastron bojën e flokëve
Femrat që lyejnë flokët kushedi sa peshqirë kanë hedhur, pasi u janë njollosur me bojë flokësh. Në këtë rast nuk keni pse shqetësoheni. Mjafton të vendosni pastë dhëmbësh mbi njollë dhe ta lini të thahet, pastaj lajeni dhe njolla largohet si me magji.
-Qetëson pickimin e insekteve
Sapo ngrohet koha nisin e na bezdisin pickimet e mushkonjave apo grerëzave. Nuk është e nevojshme të shpenzoni për blerjen e solucioneve të ndryshme që qetësojnë irritimin dhe skuqjen e lëkurës suaj. Vendosni mbi vendin e pickuar pastë dhëmbësh dhe lereni disa minuta. Lëkura juaj do të qetësohet dhe nuk do të keni asnjë shenjë pickimi.
-Kundër puçrrave
Pasta e dhëmbëve mbi puçrrat është një veprues I shpejtë dhe mjaft efikas. Para gjumit mund të vendosni paste dhëmbësh aty ku keni puçrra në fytyrë dhe efekti do të jetë mjaft I mirë.
-Pastron hekurin e rrobave nga djegia
Shumë here harrojmë hekurin mbi një rrobe dhe për pasojë djegim jo vetëm rrobën por dhe vetë hekurin. Pjesa e ngjitur e zezë e hekurit pastrohet lehtë me pastën e dhëmbëve, duke e fërkuar me një sfungjer apo cope.
-Pastron celularin
Sipërfaqja e celularit shpesh ndotet nga përdorimi. Për një shkëlqim të saj përdorni pastën e dhëmbëve.
-Pastron këpucët prej cope
Gjatë verës shpesh përdorim këpucë prej cope, të cilat nëse I lan e humbasin shkëlqimin. Përdorni për pastrimin e tyre paste dhëmbësh dhe pastaj I shplani mirë. Këpucët tuaja jo vetëm do të pastrohen por do të jenë dhe të aromatizuara.
-Pastron njollat mbi tapet
Një njollë në tapet krijon shqetësim, pasi nuk pastrohet lehtë dhe për një njollë nuk do të çojmë gjithë tapetin në lavanderi. Për këtë mjafton të pastroni njollën me paste dhëmbësh.
-Heq njollat e manikyrit
Gjatë lyerjes së thonjve me manikyr shpesh bëjmë pis edhe gishtat. Për një pastrim efikas të njollave të manikyrit mund të përdorni pastën e dhëmbëve.
-Heq erën e rëndë të termusit
Pas përdorimit të gjatë termuset përgjithësisht mbajnë një erë të rëndë dhe të pakëndëshme. Për ta hequr atë hidhni brenda termusit ujë të ngrohtë dhe pak pastë dhëmbësh. Jo vetëm hiqet era e keqe por dhe dezinfektohet termusi.
-Pastron CD-të
CD-të shpesh nga përdorimi fillojnë të mos punojnë më si të reja. Nuk duhet ti hidhni por mjafton ti pastroni me paste dhëmbësh.
Pasta e dhëmbëve nuk përmban elemente toksike, ndaj këshillohet gjerësisht për pastrim të sendeve të ndryshme. Është një pastrues I shpejtë, efikas dhe ekonomik.