Në fund të tetorit të vitit 2016 u publikuan hollësitë konkrete të planit "Kina e Shëndetshme 2030", ku përfshihen mbi 10 tregues të shëndetit për banorët kinezë deri në vitet 2020 dhe 2030. Në këtë nismë është përcaktuar objektivi që "treguesit kryesorë të shëndetit në Kinë të arrijnë standardet e vendeve me të ardhura të larta deri në vitin 2030". Doktor He Yiwu, zv.Drejtor i Institutit BGI, u shpreh në një intervistë për gazetarin e radios sonë se trajtimi i saktë mjekësor në bazë të teknologjive gjenomike etj., do të luajë rol të veçantë për realizimin e objektivit të "Kinës së Shëndetshme".

Doktor He Yiwu u bë pjesë e BGI-së në fillim të këtij viti. Më parë, ai ka punuar në Fondacionin e Bill Gates-it në ShBA për tetë vjet, ku u caktua në krye të departamentit të inovacionit të shëndetit global. Ai ka studiuar në bashkëpunim me Shkollën Mjekësore të Harvardit lidhur me ilaçet për AIDS-in, zhvillimin e teknologjive gjenomike, lindjen e parakohshme të foshnjave, mikroflorën e zorrëve etj. Doktor He ka përvojë të pasur në studimin e teknologjisë biomjekësore. Ai tha se Kina dhe ShBA-ja, dy vende të mëdha, kanë hartuar strategjitë e tyre kombëtare për trajtimet e sakta mjekësore:

"Në fillim të vitit 2015, presidenti amerikan Barak Obama shpalli planin e trajtimit të saktë mjekësor, që ka si qëllim të ofrojë metodat më të sakta të analizës dhe trajtimit mjekësor sipas kushteve individuale, gjendjes rajonale dhe profilit gjenetik personal. Qeveria amerikane ka vendosur të investojë 200 milionë dollarë për studimet në fushën e mjekimit të kancerit, meqenëse kanceri është bërë sëmundja kryesore dhe më e rrezikshme për njerëzit."

Doktor He bëri të ditur se, pas shpalljes së planit të trajtimit të saktë mjekësor në ShBA, edhe Kina nisi menjëherë hartimin e strategjisë së vet mbi trajtimin e saktë mjekësor. Kjo strategji është hartuar në një kohë të përshtatshme, meqenëse do të ndihmojë në realizimin e disa treguesve kryesorë të planit "Kina e Shëndetshme 2030".

"Objektivat e nismës 'Kina e Shëndetshme' janë shumë pozitive, shumë ambicioze dhe shumë konkrete. Për shembull, përmendët objektivin që jetëgjatësia mesatare të arrijë në 79 vjeç deri në vitin 2030. Ky është një objektiv specifik dhe praktik. Nëse realizohet ky objektiv, niveli i përgjithshëm i shëndetit të kinezëve do të rritet," shprehet dr. He.

He Yiwu thotë se trajtimi i saktë mjekësor përdoret kryesisht për zbulimin e kancereve në fazën fillestare, terapinë e shënjestruar ndaj kancereve, zbulimin e defekteve të lindura te foshnjat dhe diagnostikimin e sëmundjeve të rralla. Duke marrë si shembull kancerin e mushkërive, dr. He tha se ky lloj kanceri mund të ndahet në nënlloje të ndryshme dhe çdo nënlloj mund të trajtohet në mënyra dhe me ilaçe të ndryshme. Nëpërmjet metodave të sakta mjekësore mund të përcaktohet nënlloji i kancerit të mushkërive, pastaj mund të përzgjidhen ilaçet dhe metodat më të përshtatshme mjekësore. Nëpërmjet analizës joinvazive të ADN-së, mund të zbulohen defektet e foshnjave para lindjes, duke pakësuar përqindjen e vdekshmërisë foshnjore dhe të fëmijëve nën 5 vjeç. Kjo është një mënyrë e mirë për të ngritur cilësinë e jetës.

He Yiwu u shpreh po ashtu se jetëgjatësia mesatare në qytetet e mëdha kineze e ka kaluar atë të amerikanëve, meqenëse përqindja e vdekshmërisë te të rinjtë amerikanë është më e lartë se e të rinjve kinezë. Por në ShBA, trajtimet ndaj kancerit kanë arritur rezultate shumë të mira, për shkak të kryerjes së trajtimeve të sakta mjekësore në periudha më të hershme. Në këtë fushë, sipas tij, Kina ka një dallim relativisht të madh me ShBA-në.

"Ekziston edhe një diferencë e madhe në efektet e trajtimit mjekësor të kancerit mes Kinës dhe ShBA-së. Nëse merren parasysh të gjithë pacientët e prekur nga kanceret e ndryshme, 60 % e këtyre pacientëve në ShBA mund të mbijetojnë për më shumë se pesë vjet, por në Kinë vetëm 30 % e pacientëve mund të mbijetojnë pesë vjet. Kështu, përqindja e të sëmurave nga kanceri i gjirit që mbijetojnë pesë vjet mund të arrijë në 90 % në ShBA dhe kanceri i gjirit nuk quhet si një sëmundje e pashërueshme. Por në Kinë, ky nivel është vetëm 60 %. Kjo është një diferencë relativisht e dukshme."

Sipas planit "Kina e Shëndetshme 2030", industrializimi, urbanizimi, plakja e popullsisë, ndryshimi i spektrit të sëmundjeve, ndryshimi i mjedisit ekologjik, stilit të jetesës etj., sjellin një sërë sfidash të reja. Plani nxit shtimin e kontrollit dhe zbulimin e sëmundjeve kronike në fazat e hershme, diagnostikimin dhe trajtimin e hershëm të kancerit në rajonet me përqindje të lartë të prekshmërie nga kjo sëmundje, zbulimin dhe trajtimin e sëmundjeve të tjera kronike, si sëmundjet koronare të zemrës etj. Po ashtu, kërkohet zhvillimi i teknologjive gjenomike dhe i teknologjisë së qelizave staminale dhe inkurajohet mjekësia rigjeneruese, prodhimi i vaksinave të reja, trajtimi biologjik, parandalimi e kontrolli i sëmundjeve kronike, trajtimi i saktë mjekësor, mjekësia inteligjente etj.

Më 22 shtator filloi funksionimin zyrtar Banka Gjenetike Kombëtare në Shenzhen, e katërta bankë e këtij lloji në botë, pas atyre në ShBA, Japoni dhe Europë. Kompania BGI është përgjegjëse për krijimin dhe funksionimin e kësaj banke. Doktori He Yiwu beson se Banka Gjenetike Kombëtare do të luajë rol të rëndësishëm në strategjinë e trajtimit të saktë mjekësor në Kinë. Ai thotë:

"Përmbajtja kryesore e bashkëpunimit mes Fondacionit të Bill Gates-it dhe kompanisë BGI është ofrimi i shërbimeve të analizës gjenetike për programet e Fondacionit të Bill Gates-it në mbi 100 vende, duke shfrytëzur teknologjinë e analizës gjenetike të BGI-së. Në këto programe përfshihen kompanitë e mëdha farmaceutike e bioteknologjike, universitetet dhe institutet. Kjo teknologji mund t'i shërbejë jo vetëm Kinës, por edhe të gjithë njerëzimit. Ky bashkëpunim ka tërhequr edhe interesin e madh të Bill Gates-it. Një kompani kineze e teknologjisë së lartë si BGI më la përshtypje të thellë dhe krijova marrëdhënie shumë të mirë me menaxherin e përgjithshëm dhe kolegët e tjerë të kësaj kompanie. Përveç kësaj, qeveria kineze ka inkurajuar zhvillimin e teknologjisë së re e bioteknologjisë dhe ka investuar mjaft për zhvillimin e kësaj fushe, duke e bërë Kinën një vend me potenciale të mëdha për studimet biomjekësore. Prandaj, iu bashkova kompanisë BGI në shkurtin e sivjetshëm."(Xu Guang)