Në "Strategjinë e Shëndetit të Kinës 2030", që u publikua në fund të tetorit të këtij viti, fakti që "numri i personave që kryejnë shpesh stërvitje do të arrijë në 530 milionë" është përfshirë ndër "treguesit e jetës së shëndetshme". Vitet e fundit, në 10 qytete të mëdha kineze është shfaqur prirja e stërvitjes masive, e përfaqësuar nga maratona. Në fakt, vrapimi i përditshëm është bërë një mënyrë jetese e shumë qytetarëve kinezë. Gazetari i radios sonë ndoqi një garë vrapimi në Parkun Natyror Kombëtar "Xishan" të Pekinit, për të njohur nga afër masivimin e vrapimit në kryeqytetin e Kinës.
(sinkron 1, muzika live)
Kjo garë e re tërhoqi interesin e afro 1000 adhuruesve të vrapimit. Fang Yanna punon në fushën e të drejtave të pronësisë intelektuale. Në këtë garë vrapimi ajo zuri vendin e parë në kategorinë e 10 kilometrave për femra. Fang shprehet:
(sinkron 2 Fang Yanna)
"Vrapoj shpesh në Parkun Natyror Olimpik. E fillova vrapimin që në 9 mars dhe jam stërvitur me këmbëngulje për mbi gjysmë viti. Çdo javë vrapoj dy herë nga 10 kilometra. Kemi formuar një grup vrapimi të quajtur 'Gudong'."
Grupet e vrapimit si ai që përmendi Fang Yanna, janë përhapur me masivizimin e vrapimit. Këto grupe kanë hartuar rregulla stërvitjeje, duke inkurajuar çdo anëtar të jetë këmbëngulës në bërjen e vrapit. Në këto grupe jepen informacione të ndryshme mbi vrapimin. Wang Deming nga Tongzhou, distrikt periferik i Pekinit, merr pjesë edhe ai në një grup vrapimi:
(sinkron 3, Wang Deming)
"Kemi formuar një grup vrapimi me emrin 'Dongshi', i cili është edhe emri i zonës në qytezën Taihu të distriktit Tongzhou. Ky është një grup i madh me afro 200 anëtarë, i ndarë në dy grupe të vogla. Çdo ditë organizojmë veprimtari të ndryshme në park. Kam marrë pjesë në të gjitha këto veprimtari."
Vendi i organizimit të garës, Parku Natyror Kombëtar "Xishan", ndodhet në kodrat Xiangshan në periferi të Pekinit, duke u shtrirë në pikëprerjen e tre distrikteve: Haidian, Shijingshan dhe Mentougou. "Xishan" është edhe parku natyror kombëtar më pranë qendrës së Pekinit. Gara përfshin tre kategori: maratonën, gjysmëmaratonën dhe ecjen 10 kilometra. Pjesëmarrësit mund të përzgjedhin kategorinë e përshtatshme për gjendjen e tyre fizike. Menaxherja Ma Xuejiao e uebsajtit të stërvitjes "Yipao", organizuese e këtij aktiviteti, tregon:
(sinkron 4, Ma Xuejiao)
"Çdo vit ne zhvillojmë tre-katër gara në këtë park. Sivjet i organizuam garat e vrapimit në katër stinët: pranverë, verë, vjeshtë dhe dimër. Pista e garave është përmirësuar gradualisht. Deri tani kemi përgatitur një pistë garash prej 42 kilometrash. Në këtë dimër do të organizohen garat më zyrtare. Shpresojmë që ata që duan të stërviten, të dalin jashtë shtëpisë për të marrë frymë në ajër të pastër dhe për të parë pemët e gjelbra. Stërvitja bën mirë për shëndetin dhe po ashtu mund të njohim më shumë miq të rinj nëpër aktivitete."
Me marrjen e informacionit të mëtejshëm mbi shëndetin, mund të kuptohet më mirë koncepti i përmirësimit të shëndetit nëpërmjet stërvitjes. Sipas të dhënave statistikore, tani në 25 qytete të mëdha të Kinës, si Pekin, Tianjin, Shenyang etj., ekzistojnë mbi 5300 qendra të mëdha, ku janë tërhequr mbi dy milionë vrapues. Afro tetë milionë veta në Kinë stërviten në natyrë. Numri i atyre që merren me vrapim në Kinë vlerësohet tashmë se i kalon 10 milionët. Në qershor të këtij viti, Këshilli i Shtetit i Kinës shpalli "Planin e stërvitjes masive 2016-2020", ku thuhet se shëndeti i popullatës është një tregues i rëndësishëm i fuqisë së një vendi dhe përparimit e zhvillimit ekonomik e shoqëror. Shtimi i investimeve në fushën e stërvitjes, të përfaqësuar nga vrapimi, është një masë e rëndësishme për realizimin e objektivave në fushën e shëndetësisë në Kinë.
Vitet e fundit garat e maratonës kanë tërhequr vëmendjen më të madhe të kinezëve. Në garat e maratonës me distancë të plotë prej 42 kilometrash dhe të gjysmëmaratonës prej 21 kilometrash, numri i pjesëmarrësve ka shënuar vazhdimisht rekord. Sipas të dhënave të Shoqatës Kineze të Atletikës, në tetë muajt e parë të vitit 2016, janë organizuar 252 gara maratone të regjistruara në këtë shoqatë. Në vitin 2015, mbi 1.5 milionë vrapues kanë marrë pjesë në garat e maratonës në Kinë, afro katër herë më shumë se në 2011-n. Në disa maratona të njohura, si Maratona e Pekinit dhe Maratona e Guangzhou-t, pjesëmarrësit përzgjidhen me short, për shkak të numrit të madh të të regjistruarve. Wu Zhishan, pjesëmarrës në garën e maratonës në Parkun Natyror Kombëtar "Xishan", thotë:
(Sinkron 5, Wu Zhishan)
"Numri i vrapuesve është tepër i madh. Shumë nga miqtë e mi marrin pjesë në këtë garë. Në aplikacionin tim në celular mund të lexoj shumë informacion për pjesëmarrjen në maratonë."
Në të kaluarën, numri i pjesëmarrësve në garat e maratonës në Kinë ishte i pamjaftueshëm, por në vitet e fundit, regjistrimi duhet të bëhet sa më herët, për të mos mbetur jashtë pjesëmarrjes. Në mbarë Kinën pjesëmarrja në maratonë është popullarizuar shumë. Ky aktivitet sportiv jo vetëm plotëson kërkesat e njerëzve për shëndet dhe lumturi, por edhe nxit turizimin e konsumin.
Me zhvillimin ekonomik e shoqëror në Kinë, janë shtuar gradualisht njohuritë dhe kërkesat e qytetarëve për shëndetin. Stërvitja është kthyer në modë në Kinë. Vrapimi është sporti më i lashtë i njerëzimit dhe ka tërhequr interesin më të madh të njerëzve në Kinë, meqenëse është edhe forma më e thjeshtë e stërvitjes dhe ka efekte shumë të dukshme. Me zbatimin e "Strategjisë së Shëndetit të Kinës 2030", më shumë kinezë do të marrin pjesë në format masive të stërvitjes. (Xu Guang)