Në vitin 2009 në Kinë u publikua dokumenti "Mendime mbi thellimin e reformës në sistemin shëndetësor dhe mjekësor", gjë që shënoi nisjen e reformës së re shëndetësore në Kinë. Në Konferencën Kombëtare të Shëndetësisë, të mbajtur në gusht të këtij viti, presidenti kinez Xi Jinping theksoi përsëri se do t'i jepet përparësi strategjike dhe do të garantohet në mënyrë të gjithanshme shëndeti i njerëzve, duke përcaktuar kështu objektivat e reformës së re shëndetërore në Kinë. Si një pjesë e rëndësishme e kësaj reforme, edhe shtimi i efikasitetit të reformës në spitalet shtetërore ka tërhequr vëmendje të madhe. Gazetarët tanë shkuan në dy spitale të provincës Jiangsu për të parë nga afër zhvillimin e reformës së spitaleve shtetërore në këtë provincë.
Jiangsu ndodhet në Kinën Lindore, me një ekonomi të zhvilluar. Por nga ana tjetër, Jiangsu është një provincë me një numër të madh banorësh dhe ku ka ekzistuar gjithmonë problemi i kërkesës së madhe për shërbime shëndetësore të nivelit të lartë. Si një ndër katër provincat eksperimentale të reformës së sistemit shëndetësor, mund të thuhet se Jiangsu ka pasur përparim të dukshëm. Wang Hong nga Spitali Popullor i Provincës Jiangsu flet për reformën e kryer në këtë spital:
(sinkron 1, Wang Hong)
"Si spitali më i madh i provincës, së pari duhet të përcaktojmë statusin dhe pozitën tonë, pastaj mund të bëjmë përpjekje aktive. Kemi krijuar një sistem relativisht të përsosur për vlerësimin e cilësisë së punës së mjekëve tanë, duke inkurajuar përgjegjësinë, kërkimin e vazhdueshëm dhe risitë nga ana e tyre gjatë reformës shëndetësore. Në procesin e menaxhimit, jemi përpjekur për uljen e kostos, lehtësimin e procedurave dhe integrimin e burimeve mjekësore. Për sa i përket kulturës së spitalit, i kushtojmë vëmendje të madhe trashëgimit dhe risive, ndërgjegjësimit në shërbim të mjekëve e etikës profesionale, duke krijuar një atmosferë mirë e pozitive."
Përveç përpjekjeve mbi përmirësimin e shërbimeve mjekësore, Spitali Popullor i Provincës Jiangsu ka krijuar edhe sistemin e diagnostikimit dhe të trajtimit të kategorizuar. Sipas kategorizimit të spitaleve kineze, ata që marrin cilësimin 3A janë spitalet më të mira dhe më të specializuar. Tani ekziston dukuria e ngarkesës së tepërt në spitalet 3A dhe i numrit të paktë të pacientëve në spitalet e vogla. Spitali Popullor i Provincës Jiangsu është një spital 3A. Nëpërmjet diagnostikimit dhe trajtimit të kategorizuar, ndarkesa e tepërt e këtij spitali kalon te spitalet e tjera të provincës.
Wang Hong shprehet se sistemi i diagnostikimit dhe trajtimit të kategorizuar siguron transferimin e efektshëm të diagnostikimit e trajtimit ndërmjet institucioneve shëndetësore dhe mjekëve të ndryshëm. Ai vëren se, për këtë objektiv, nevojitet krijimi i një mekanizmi afatgjatë, prandaj Spitali Popullor i Provincës Jiangsu krijoi modelin e veçantë të "bashkëpunimit mes spitalit dhe qeverisë". Pushteti vendor i rajonit Xixia të qytetit Nankin bleu shërbimet shëndetësore të Spitalit Popullor të Provincës Jiangsu dhe ua shpërndau këto burime zonave pa spitale 3A. Një grup mjekësh, i drejtuar nga shefi i repartit së riaftësimit të Spitalit Popullor të Provincës Jiangsu Xu Guangxu, shkoi në Xixia për t'u ofruar banorëve të atyshëm shërbimet cilësore të një spitali të kategorisë 3A.
(sinkron 2, Xu Guangxu)
"Spitali Popullor i Provincës Jiangsu është një institucion udhëheqës në rang rajonal dhe ka kapacitete të zhvilluara të teknologjisë mjekësore, por ai është vetëm një zbatues i detyrave, ndërsa qeveria mban përgjegjësinë kryesore. Në këtë situatë, ka lindur modeli i 'bashkëpunimit mes spitalit dhe qeverisë'. Në këtë platformë bashkëpunimi, shfrytëzojmë me efektivitet burimet e qeverisë dhe të spitalit për të krijuar sistemin e shërbimeve të riaftësimit në bazë."
Edhe Spitali Nr. 1 i Qytetit Changzhou në provincën Jiangsu është një spital 3A dhe ka pasur rezultate në procesin e reformës në spitalet shtetërore. Nëndrejtori i këtij spitali bën të ditura tre arritjet kryesore të kësaj reforme: ulja e çmimeve të barnave, duke bërë që ato të kenë çmime më të ulëta se në farmaci; ulja e pagesave të kontrollit dhe të analizës me pajisjet e aparaturat e mëdha të këtij spitali; rritja e tarifave të analizave, të shtretërve të spitalit, të shërbimeve mjekësore, të kirurgjive të shkallës të 3-të dhe të 4-t, duke rregulluar në mënyrë të përshtatshme strukturën e të ardhurave të spitalit, për të respektuar punën e mjekëve dhe të infermierëve.
Shërbimet mjekësore në komunitet dhe kategorizimi i diagnostikimit dhe trajtimit sjellin rritjen e madhe të kërkesës për mjekë të përgjithshëm dhe për nivelin profesional të tyre. Si një spital 3A, Spitali Nr. 1 i Qytetit Changzhou është ngarkuar me detyrën e përgatitjes së mjekëve të përgjithshëm. Ky spital ka organizuar një numër të madh aktivitetesh në ndihmë të institucioneve të tjera shëndetësore. Dy herë në vit, mjekë me përvojë nga ky spital dërgohen në spitalet a qendrat shëndetësore të komuniteteve përkatëse për të dhënë ndihmë, për të mbajtur leksione, për të bërë prezantime dhe për të organizuar trajnim menaxherial. Me qëllim nxitjen e zhvillimit të mjekësisë bazë, Spitali Nr. 1 i Qytetit Changzhou krijoi bazën e përgatitjes së mjekëve të përgjithshëm dhe të mjekëve të familjes, duke trajnuar mjekë nga krahina të ndryshme.
(Sinkron 3, Hua Fei)
"Mjekët e përgjithshëm të përgatitur nga spitali ynë janë ose të diplomuar në universitetet e mbarë vendit, ose punonjës mjekësorë të komunitetit dhe të spitaleve të qytezave. Edhe mjekët e familjes të rekrutuar çdo vit nga spitalet 2A fqinje marrin trajnim te ne. Edhe disa spitale nga rajonet e thella qendrore dhe perëndimore kanë dërguar mjekë të rinj për t'u trajnuar te ne."
Pas shumë vjet përpjekjesh, reforma e spitaleve shtetërore ka pasur sukses, por sipas Wang Hong-ut, reforma shëndetësore përballet edhe me disa sfida. Sipas saj, kjo reformë duhet të zhvillohet njëkohësisht në tre drejtime: barnat, sigurimet shëndetësore dhe trajtimin mjekësor. Wang Hong është e mendimit se, në reformat e ardhme shëndetësore, duhet të bashkërendohen më mirë interesat e palëve të ndryshme. Wang theksoi rëndësinë e veçantë të reformës në problemin e barnave.
(Sinkron 4, Wang Hong)
"Reforma në fushën e barnave është shumë e rëndësishme dhe vetëm ulja e çmimit të tyre është e pamjaftueshme. Përqindja e prodhimit të barnave nga Kina, furnizimi me barna, vlera dhe kostoja e tyre duhet të kthehen në nivelin normal. Nuk duhet t'i kushtojmë vëmendje vetëm uljes së çmimit të barnave."
Tashmë janë përcaktuar drejtimet e objektivat e reformës së re në sistemit shëndetësor dhe kjo reformë ka pasur arritje të mëdha, duke shkuar tashmë drejt përfundimit. Me politikat dhe mekanizmat e duhura, ajo do të kurorëzohet me sukses. (Xu Guang)