(sinkron 1, zërat e diskutimeve në qendrën e diagnostikimit në distancë)
"Pacienti quhet Gong Chenghu. Shikimi i tij është dobësuar pas dëmtimit në sy. Temperaturën e ka 36.3 gradë, rrahjet e zemrës 76 për minutë…".
Këto janë diskutimet në Qendrën e Diagnostikimit në Distancë pranë Spitalit Qendror të qytetit Yichang në provincën Hubei. Disa specialistë të këtij spitali po bëjnë diagnostikimin urgjent të një pacienti me dëmtim të rëndë në sy. Shërbimi mjekësor në distancë që ofron ky spital është ndër funksionet e "Platformës së Bashkërenduar të Transferimit dhe Kategorizimit të Diagnostikimit", që mund të kapërcejë kufizimin e largësisë dhe t'i shpërndajë burimet mjekësore te spitalet bazë, duke u shërbyer pacientëve me sëmundje akute.
"Platforma e Bashkërenduar e Transferimit dhe Kategorizimit të Diagnostikimit" është një element i rëndësishëm i së ashtuquajturës "mjekësi inteligjente" në qytetit Yichang. Me këtë platformë është realizuar lidhja e sistemit të informacionit mes spitaleve të qytetit dhe spitaleve bazë, që mund të ndihmojë në transferimin e shpejtë të pacientëve nga qendrat shëndetësore te spitalet e qytetit. Më parë diagnostikimi bëhej në spitalet e ndryshme dhe të dhënat e pacientëve nuk mund të transferoheshin shpejt dhe plotësisht te spitalet e tjera. Po ashtu, ekzistonin procedura të ndërlikuara transferimi. Pas formimit të "Platformës së Bashkërenduar të Transferimit dhe Kategorizimit të Diagnostikimit", të dhënat e diagnostikimit që transferohen mund të ruhen nëpërmjet internetit, duke kursyer kohë dhe duke shkurtuar procedurat. Pacientët mund të shkojnë drejt e te spitalet përkatëse për të marrë shërbimin e duhur mjekësor.
Në sallën e pritjes, në katin e parë të Spitalit Qendror të qytetit Yichang, punonjëset e personelit të veshur me të kuqe tërheqin vëmendjen. Ato janë recepsionistet e të ashtuquajturit "transferim i diagnostikimeve", që përgjigjen për të drejtuar pacientët e transferuar nga qendrat shëndetësore te degët përkatëse të këtij spitali. Pan Xinqi është një prej këtyre recepsionisteve. Sipas saj, deri tani, pacientët e 93 qendrave shëndetësore mund të transferohen te ky spital për diagnostikim, kontroll mjekësor dhe trajtim afatgjatë. Nga janari deri në gusht të vitit 2016, janë kryer 9900 transferime në këtë spital.
(sinkron 2, Pan Xinqi)
"Si gjithmonë, marrim më parë të dhënat e pacientëve nga qendrat shëndetësore lokale, pastaj komunikojmë me pacientët për të vërtetuar këto të dhëna dhe për të përcaktuar kohën e diagnostikimit. Më vonë bëjmë bashkërendimin me mjekët dhe përgatisim shtretërit e nevojshëm. I çojmë një mesazh me celular pacientit, ku i tregojmë dokumentet që nevojiten. Kur pacientët vijnë në spitalin tonë, i drejtojmë te zona e diagnostikimit dhe e shtrimit. I ndihmojmë për të gjitha procedurat e diagnostikimit dhe të shtrimit në spital."
Kohët e fundit, i moshuari Yuan Zhuohe, që banon në komunitetin "Wang Jialing" të qytezës Gufu të distriktit Xingshan, u transferua nga spitali i distriktit te ky spital qendror, për shkak se është i sëmurë me angina pectoris. 61-vjeçari Yuan Zhuohe i bëri diagnostikimet e para në spitalin e distriktit, por i përfundoi shumë shpejt të gjitha procedurat për transferimin e diagnostikimit. Ai thotë:
(sinkron 3, Yuan Zhuohe)
"Në spitalin e distriktit nuk e zbuluan angina pectoris me pajisjet e atjeshme të analizës. Mjekët e spitalit të distriktit më sugjeruan që të bëj një skaner të arterieve të zemrës. Pasi arrita në spitalin qendror të qytetit Yichang, mjeku i këtij spitali më sugjeroi të diagnostikohem dhe të shtrohem në këtë spital. Prandaj, duhej të bëja procedurën e transferimit nga spitali i distriktit Xingshan. Pas një jave, ata më njoftuan se mund të shtrohesha në spitalin qendror të Yichang-ut. Kur erdha në këtë spital, recepsionistet më ofruan një shërbim shumë të mirë. Ato më drejtuan te kati i 5-të për procedurën paraprake dhe më çuan pastaj te kati i 22-të për shtrim. Ato kanë një qëndrim shumë të mirë dhe më ndihmuan shumë."
Pacienti tjetër i pavijonit të kardiologjisë të këtij spitali Shi Guangzhu, është transferuar nga spitali i distriktit Yiling për një ndërhyrje kirurgjikale në zemër. Gruaja e tij Han Qingcui, që e shoqëroi në këtë operacion, thotë:
(sinkron 4, Han Qingcui)
"Mjeku na këshilloi se ky operacion ishte shumë e nevojshëm dhe se, po të mos e bënim, kishte rrezik të madh për jetën. Prandaj, u planifikua transferimi te spitali qendror i Yichang-ut. Mjeku i spitalit të distriktit komunikoi më parë me mjekët e spitalit qendror. Këtu recepsionistet na orientuan për të gjitha procedurat. Në fillim u merakosëm se procedurat mund të ishin të ndërlikuara, por, pas shpjegimit të hollësishëm nga mjekët, nuk patëm më merak."
Shumë pacientë, ashtu si Yuan Zhuohe e Shi Guangzhu, janë favorizuar nga i ashtuquajturi sistem i kategorizimit të diagnostikimit në qytetin Yichang. Ky sistem, që është vlerësuar lart nga Këshilli i Shtetit, jo vetëm ka rritur kënaqësinë e pacientëve për shërbimet që u ofrohen, por edhe ka përcaktuar qartë funksionet e institucioneve të ndryshme shëndetësore, duke përmirësuar shërbimet mjekësore në nivelet përkatëse. Wu Zongqing është mjek në Qendrën e Shërbimeve Shëndetësore në komunitetin "Xiling" të qytetit Yichang. Pas zbatimit të sistemit të kategorizimit të diagnostikimit, ai ndjeu një ndryshim të dukshëm në punën e tij, duke u afruar më shumë me pacientët e duke pasur kërkesë më të larta profesionale ndaj vetes:
(sinkron 5, Wu Zongqing)
"Në të kaluarën bënim vetëm diagnostikimin dhe nuk merreshim me gjëra të tjera. Tani kam lidhje më të ngushta me banorët e komunitetit. Për shembull, kam më shumë punë për t'u ofruar atyre informacion për mbrojtjen e shëndetit, për të komunikuar me specialistët e spitaleve të mëdha etj. Tani puna ime është zgjeruar."
Me zbatimit e sistemit të kategorizimit të diagnostikimit, në qendrën shëndetësore të komunitetit "Xiling" është vendosur dega e administrimit shëndetësor, ku ofrohen shumë shërbime, si njohuri për mënyrën e shëndetshme të jetesës, dieta shkencore, marrje me sport etj. Lidhur me sëmundjet dhe gjendjet e ndryshme shëndetësore, janë ofruar metoda të ndryshme të ndërhyrjes mjekësore. Një reformë tjetër është ajo në sistemin e mjekëve të familjes. Mjekët e familjes, që janë mjekë të përgjithshëm, do të ofrojnë shërbimet mjekësore bazë, shërbime të shëndetit publik dhe administrimin shëndetësor. Banorët e fshatrave mund të marrin konsultime shëndetësore nëpërmjet telefonit. Sipas zv.drejtorit të Drejtorisë së Shëndetit të Bashkisë së Yichang-ut Cao Yuan, deri tani në këtë qytet janë formuar 184 grupe mjekësh familjeje, që mbulojnë 108 358 banorë. Bashkia e Yichang-ut ka investuar 2 milionë juanë për mbi 160 të ashtuquajtura kuti të kontrollit mjekësor, me të cilat janë pajisur mjekët e familjes, të cilat mund të bëjnë analiza më të sakta mjekësore.
(sinkron 6, Caoyuan)
"Kur mjekët e familjes vizitojnë shtëpitë e banorëve, i marrin me vete këto kuti, ku përfshihen aparate e pajisje të ndryshme për matjen e tensionit, të sheqerit në gjak, të temperaturës, të peshës etj. Të gjitha të dhënat mund të grumbullohen nëpërmjet kompjuterit dhe të ruhen në bazën tonë të të dhënave."
Qysh nga fillimi i zbatimit të sistemit të transferimit dhe të kategorizimit të diagnostikimit në qytetin Yichang, burimet mjekësore janë shfrytëzuar me një efikasitet më të lartë. Në vitin 2015, janë realizuar 155 mijë transferime. Ky sistem mund ta lehtësojë presionin mbi spitalet e mëdha të qyteteve dhe mund të përmirësojë shërbimet mjekësore. (Xu Guang)