Lorela Garuli, ka lindur në Tiranë në vitin 1990. Në vitet 2009-2012 studioi në Albanian University, bachelor në “Psikologji e Përgjithshme”.
Më pas ajo kreu studimet master në Universitetin e Valecias në Spanjë,ndërsa në vitin 2018 studimet doktorale në psikologji i kreu në Blagoevgrad, në Bullgari.
Lorela Garuli është autore e librave “Zbulo fëmijën tënd, interpretimi i vizatimeve të fëmijëve” dhe “Çrregullimet e të nxënit, vështirësitë në lexim, shkrim dhe shprehitë matematikore”. Ajo punon si lektore pranë Departamentit të Psikologjisë së Përgjithshme në Albanian University, si dhe ka punuar si psikologe terapiste pranë Fondacionit Fëmijët Shqiptarë, Qendra Rajonale për Autizmin, në Tiranë.
Ndër të tjera, Lorela është autore dhe moderatore e emisionit televiziv “Humanum” pranë RTV Ora News.
Libri i Loreal Garulit ( Foto personale)
CMG: A jeni kuriozuar ndonjëherë për kuptimin e emrit tuaj?
Lorela Garuli: Kam qenë kurioze dhe me aq sa kam lexuar në një fjalor etimologjik emrash, është një emër skandinav. Bëhet fjalë për disa zana, të cilat ishin banore të disa liqeneve dhe ndihmonin udhëtarët kur ishin në vështirësi.
CMG: A jeni ju produkt i ëndrrave tuaja?
Lorela Garuli: Po, patjetër. Unë jam nga ato vajza që ëndërroj shumë dhe njëkohësisht nuk i lë ëndrrat në sirtar, i nxjerr dhe i realizoj.
CMG: Kush ka qënë suporti juaj më i madh?
Lorela Garuli: Prindërit, secili në format e veta të edukimit nuk më kanë lënë kurrë të ndihem pa vetëbesim. Jam një femër që kam ditur t’ia dal gjithmonë dhe kjo falë tyre sepse kështu më kanë rritur.
CMG: Si ka lindur pasioni për t’u marrë me psikologji?
Lorela Garuli: Gjithmonë e kam ditur se çfarë do të bëhet në jetën time. Që në moshë të vogël dëshira ime ishte të njihja natyrat njerëzore, të kuptoja mbi ta dhe për ta. Ndaj, që 12 apo 13 vjeç unë e dija që do të bëhesha psikologe.
Lorela Garuli (Foto Tv Klan)
CMG: Çfarë ke dashur të ndryshosh në këtë fushë?
Lorela Garuli: Unë nuk e di nëse kam dashur të ndryshoj diçka. Kam pasur pritshmëri dhe kam ende për të ndryshuar frymen e grupit. Jam e mendimit që të gjithë ne me gjëra sado të vogla mund të ndryshojmë atë murin e madh të ngritur në shoqëri.
CMG: Cili rast në profesionin tuaj ka qënë një rast nga ku ju keni mësuar?
Lorela Garuli: Të gjitha rastet në psikologji të bëjnë të kuptosh shumë. Janë raste të cilat kanë të bëjnë me natyrën njerëzore dhe punon me ndjesitë e tyre. Absolutisht duke punuar me këtë lloj gjëje do të japesh dhe do të marrësh.
Psikologjia të jep më shume njohuri se çdo profesion tjetër.
Rastet që mund të kenë ardhur i ngjajnë personazheve të filmave apo romaneve për nga sakrificat që mund të kenë bërë.
CMG: A e ndërton njeriu vetë fatin e tij?
Lorela Garuli: Po, unë besoj që njeriu e ndërton vetë fatin e tij. Fati ndihmon guximtarët. Vetëm, duhet pak këmbëngulje dhe shumë besim.
CMG: A është prindërimi një mision i vështirë?
Lorela Garuli: Prindërimi është një mision shumë i vështirë. Unë do të rekomandoja që të ndjekin një model të një prindi i cili nxit vetbesimin, tolerancën, dhe çdo sjellje tjetër të butë që rrit një fëmijë të shëndetshëm.
Lorela Garuli (Foto Portali Shkollor)
CMG: Cilat janë problemet më të vështira të fëmijëve sot?
Lorela Garuli: Problemet janë po të njëjtat që kanë qënë, por shtohen edhe shumë të tjera. Fëmijët e kanë të vështirë të socializohen, qëndrojnë shumë gjatë në internet përjetojnë bullizëm dhe të gjithë këta elementë janë tepër të vështirë për rritjen e tij apo të saj.
CMG: Çfarë do të thotë për ju sukses?
Lorela Garuli: Për mua sukses është që dikush të arrijë të bëjë atë që do dhe di të bëjë më mirë.