Lëkura është pjesë e ndjeshme e trupit, sidomos nëse ekspozohet ndaj temperaturave të larta, prandaj gjatë stinës së verës duhet të marrë kujdesin e duhur. Kujdesi për lëkurën përfshin një sërë praktikash, të cilat përmirësojnë pamjen dhe lehtësojnë kushtet e lëkurës. Ato mund të përfshijnë ushqimin, shmangien e ekspozimit të tepërt në diell dhe përdorimin e duhur të zbutësve. Kujdesi për lëkurën është një procedurë rutinë e përditshme në shumë mjedise, kur lëkura është e thatë ose shumë e lagësht. Kujdesi për lëkurën është pjesë e trajtimit të shërimit të plagëve, terapisë me rrezatim dhe disa medikamenteve. Dermatologia Monika Fida na rrëfen të gjithë kujdesin e nevojshëm, që duhet të tregojmë për të shmangur çdo problem gjatë kësaj periudhe.
“Në këtë sezon një nga këshillat që dermatologët japin kudo në botë është që të aplikojnë kremrat me faktor mbrojtës normalisht gjatë ritualit të përditshëm. Një produkt krem ose locion, ose fluid i hollë gjen përdorim tek çdo individ, qofshin moshat pediatrike, bebet, adultët, adoleshentët, por dhe moshat e treta do t’iu rekomandohej nga mjekët që të përdornin kremra me faktor të lartë mbrojtës. Sigurisht që çdo individ duhet të ketë në veçanti produktin e tij të përcaktuar në bazë të nevojës së tij personale, në bazë të moshës së tij dhe problematikave të fytyrës. Pra një individ, i cili ka një lëkurë të ndjeshmë do të përdorë një produkt për lëkura sensisitive, produkte të linjës rozë që tregtohen në farmaci. Një njeri që ka një lëkurë të yndyrshme do t’i rekomandohej një produkt, i cili është oil free, pa yndyrë. Ndërkohë që individët që përballen me dëmtime të akumuluara të rrezatimit diellor do t’iu rekomandohej të përdornin produkte që kanë faktor të lartë mbrojtës, por që kanë edhe veprimin ndaj dëmtimit të akumuluar në lëkurë. Këto janë produkte të prodhuara specifikisht për këto individë. Një mjek i mirë dermatolog, një profesionist i fushës estetike do ishte një këshilltar shumë i mirë për individët e ndryshëm për të rekomanduar produktin e duhur. Produktet duhet të blihen në farmaci, pasi kushtet e ruajtes së tyre janë më mirë të testuara, të cilat do të shërbejnë për një përkudjesje më të mirë të lëkurës”, u shpreh dermatologia.
Mbrojtja nga dielli është një aspekt i rëndësishëm i kujdesit të lëkurës. Megjithëse dielli është i dobishëm në mënyrë që trupi i njeriut të marrë dozën e tij ditore të vitaminës D, rrezet e tepërta, të pambrojtura mund të shkaktojnë dëme ekstreme në lëkurë. Rrezatimi ultraviolet në rrezet e diellit mund të shkaktojë djegie në shkallë të ndryshme, plakje të hershme dhe rritje të rrezikut të sëmundjeve të lëkurës.
“Rrezatimi UV është jashtë mase shumë i dëmshëm për lëkurën, duke filluar që në moshat pediatrike dëmtimet akumulohen dhe pasohen më vonë me pamjen e tyre të dukshme dhe së dyti me zhvillimin e karcinomave të ndryshme në lëkurë. Pra ekspozimi në diell mund të pasohet duke filluar që nga erritemat solare të momentit, me djegien nga dielli që dëmton më shumë fibrat e kolagenit dhe elsatinës, duke u shoqëruar me thellim të rrudhave në lëkurë, së katërti mund të shfaqë melazmat dhe së pesti dëmitmi i akumuluar ndër vite mund të pasohet me zhvillimin e formacioneve prekancerogjene, të cilat ndikohen nga rrezatimi i shtuar në diell dhe në mënyrë të pambrojtur gjatë viteve të jetës”,sqaron dermatologia Fida.
Kremi kundër diellit mund të mbrojë lëkurën nga dëmtimi i diellit. Ai duhet të aplikohet të paktën 20 minuta para ekspozimit dhe duhet të ri-aplikohet herë pas here. Kremrat kundër diellit mund të vijnë në formën e kremrave, numri i tyre SPF tregon efektivitetin e tyre në mbrojtjen e lëkurës nga rrezatimi i diellit.
“Individët duhet të jenë të informuar që aplikimi i kremrave ne faktorë të lartë mbrojtës ose locioneve të ndryshme duhet të kryhet në mënyrë periodike gjatë dimrit dhe gjatë verës. Së dyti, gjatë verës dhe ditëve të fundjavës kur frekuentohen plazhet dhe pishinat, këto produkte duhet të përdoren çdo dy orë. Ndërkohë aplikimi i produktit duhet të fillojë që në ambientet e brendshme 10-15 min para ekspozimit dhe riaplikimi mbas çdo larje në pishinë apo në det. Individët, të cilët gjatë jetës së përditshme janë në ambientet e punës mund të aplikojnë kremin solar në mëngjes dhe në oraret e drekës kur lënë vendin e punës, në mënyrë që të realizojnë një mbrojtje sa më të mirë të lëkurës së tyre nga rrezatimi ultra violetë”,shton dermatologia.
Sipas Akademisë Amerikane të Dermatologjisë, shumë persona i lidhin aknet me adoleshencën. Aknet mund të shfaqen në çdo moshë, por shpesh shkaktarë janë edhe rrezet e diellit. Përvec akneve nga dielli në lëkurë mund të krijohen dhe shumë problem të tjera.
“Nga një djegie e moshës pediatrike, vetëm një episod mund të shoqërohet me pasoja më vonë. Çka do të thotë që ky fëmijë është më i predispozuar që të shfaqë probleme me lëkurën në moshën adulte dhe ky risk është llogaritur që është shumë më i lartë, nëse kemi tre ose katër episode të djegies në fëmijëri. Ndërkohë në moshat adulte mund të shoqërohet me shfaqjen e njollave në lëkurë, të cilat kërkojnë një trajtim nga mjekët dermatologë. Diçka tjetër është dëmtimi i fibrave të kolagenit dhe të elsatinës dhe në këtë mënyrë kemi efektin e plakjes së lëkurës tek i individët e ekspozuar në diell, krahasuar me ata që nuk janë të ekspozuar dhe është mjaft evident. Nga ana tjetër dielli dhe rrezatimi UV është faktor risku për të shfaqur karcinoma të ndryshme të lëkurës dhe melanomën. Pra këto janë patologjitë me të cilat individi mund të përballet gjatë mos mbrojtes së lëkurës së tij ndaj rrezatimit ultraviolet” thekson ajo.
Lëkura është organi më i madh në trupin e njeriut dhe më i ekpsozuari, ndaj kujdesi duhet të jetë më i madh. Në mënyrë që të shmangim çdo problem është e rëndësishme që të ndjekim këshillat e dermatologëve.