Irena Hysenaj është diplomuar në Psikologji Klinike dhe e specializuar në Psikoterapi Analitike, Psikodinamike pranë Shkollës Adleriane të Psikoterapisë te Institutit Alfred Adler në Milano (Itali). Ajo është anëtare e Urdhërit të Psikologëve e Psikoterapistëve të Lombardisë, si dhe pedagoge e Psikologjisë Klinike dhe Psikoterapisë pranë Albanian University, në Tiranë. Irena është specializuar në psikodiagnozë për të rritur pranë Akademisë së Testit Projektiv, në Torino. Aktualisht ajo po kren doktoraturën pranë Universitetit Sigmund Freud, në Vjenë.
Irena Hysenaj (burimi facebook)
CMG: Irena, padyshim që për të qenë këtu ku jeni sot është dashur që herë pas here te ktheheni nga vetja. Cilat janë reflektimet mbi veten "Kush jeni ju ?”
Irena Hysenaj: Unë jam një grua, që armën më të fortë ka durimin. Kam gjithnjë kohë të pres nëse dikush tjetër ka nevojë të flasë dhe unë ta dëgjoj. Irena është një grua që të sheh në sy dhe nuk i meket më zëri apo t’i dridhen duart. Sot e shoh veten duke e dashur më shumë dhe pa pasur frikëra të dua edhe tjetrin shumë.
CMG: Çfarë ju vjen në mendje menjëherë sapo thoni "Vite më parë"
Irena Hysenaj: Vite më parë kur bëja specalizimin për psikoterapi një faqe e këtij specializimi ishte edhe analiza personale. Unë e kisha zgjedhur temën dhe një natë para unë shoh tre ëndrra. Njëra prej të cilave me emocionoi shumë. Në ëndërr pashë një fotografi ku ishte një vajzë e vogël dhe nëna e saj në një park dhe për një çast fotoja mori jetë. Kur u zgjova në mëngjes mendoja thellë me veten pse unë isha ne rolin e një nëne dhe jo nënë e një djali, siç ne fakt jam, por e një vajze. Gjithmonë e kam menduar që të jesh nenë e një vajze është më e vështirë. Unë si një vajzë e vogël kam qenë shumë kërkuese shumë kurioze dhe kjo më ka dhënë të kuptoj se sa e vështirë duhet të ishte për mamin tim. Fakti që s’kam sjellë në jetë një fëmijë vajzë është pikërisht nga këto frikërat e mia të rrënjosura. Jam e lumtur që jam nënë e një djali që më kupton plotësisht.
Irena Hysenaj (burimi facebook)
CMG: Cilat kanë qenë momentet më deçisive tuajat, vendime të cilat kanë rezultuar pozitive më pas?
Irena Hysenaj: Një nga vendimet që mori gjithë vëmendjen time ishte kthimi në Shqipëri. Kisha ndërtuar një jete akademike të mirë në Itali dhe të kthehesha këtu me dukej e vështirë, por e mbylla atë kapitull më kënaqësi pasi mendoj se s’ka çfarë të jem më tepër në një vend kur kalojnë shumë vite. Ndaj pas shumë vitesh mendova që është më e drejtë që unë t’i jap kontribut vendit tim. Pedagogët atje më mësuan shumë. Më treguan vlera të larta që duhet t'i këtë një njeri dhe më kryesorja është respekti për veten dhe ndaj të tjerëve.
Kujtoj të sikletshëm momentin kur këtë gjë do ja përcillja djalit tim, sepse ai kishte ndërtuar miqësinë e tij dhe shkollën e tij. Kur shkova tek mësuesja për t’i treguar që do kthehesha në Shqipëri për të ndjekur këtu punën e kuptova nga sytë e saj që kishte dyshime sepse kishte dëgjuar pak për vendin tonë e po i dukesha një nënë egoiste që dëshiron të ndjekë karrierën e saj.
CMG: Cilët njerëz të qëndruan afër e ta lehtësuan kthimin?
Irena Hysenaj: Kanë qenë dy kolegë të cilët më kane qëndruar pranë dhe në këtë moment dilemash më kane thënë " Fëmija është i lumtur kur prindi i tij është i lumtur ". Ishte kjo shtysa që unë të vija këtu dhe për fatin tim të mirë djali u përshtat shumë mirë.
CMG: A paragjykohet roli i psikoterapistit në Shqipëri?
Irena Hysenaj: Psikoterapisti shihet si një shtrydhes truri dhe këtë term ja kane vendosur njerëzit, sepse ndoshta këtë opinion kanë krijuar. Lufta mes psikologjisë dhe psikiatrisë është një luftë për vite me radhë. Psikoterapia është pranim i vetes dhe për t’u njohur me veten. Kjo bëhet në praninë e ekspertit kaq e thjeshtë është. Pra të njohësh dhe pranosh veten eshte një proces shpesh i vështirë, por mund t'ia dalësh. Pacienti të ofron një material të brishtë që ti duhet të kujdesesh për të, sepse ai sapo të ka besuar veten e vet.
CMG: Cila është hapësira qe bashkon pacientin me psikoterapistin?
Irena Hysenaj: Hapësira që bashkohen psiket mendore dhe emocionale. Ne bëhemi palë e tyre sepse herë pas here të ngarkon, por në të shumtat e e rasteve të mësojnë përvoja të reja. Unë shpesh shkoj edhe në shtrat me mendjen tek pacientët, pavarësisht se mundohem t’i mbaj larg përjetimet e gjata.
CMG: Cilat janë rastet më të vështira?
Irena Hysenaj me nenen e saj ( burimi facebook)
Irena Hysenaj: Rastet janë të gjitha të vështira, por kryesisht njerëzit që nuk duan të hapin emocionet e tyre për ty. Adoleshentët që nuk vijnë me dëshirën e tyre, apo edhe rastet e depresionit që kërkojne një vëmendje të theksuar. Janë të gjitha këto raste që janë patjetër të vështira, por jo të pamundura.
CMG: Me çfarë përballen terapisët sot?
Irena Hysenaj: Më është dashur kohë të pranoj kushtet e reja. Jam mësuar që të kem kontakt të përhershëm me pacientët, të cilët duan të trajtohen, por Covidi na mësoi që mund të bëjmë një punë të ngjashme edhe pse tepër e vështirë, por gjithsesi duhet të mësohemi gjithnjë me risitë dhe me atë që tregu kërkon. Lipset nevoja të rishikohen teknikat dhe më pas të merren masa për t’i aplikuar.
CMG: Cila është këshilla juaj për psikoterapistët e rinj?
Irena Hysenaj: Të jenë vetë në një mirëqenie psikologjike të mire. Vetëm kështu mund ta plotësojnë misionin e tyre.
Intervistoi: Megi Latifi