Në Forumin shkencor “Infodemia e shkaktuar nga COVID-19, pasojat dhe përballimi i saj”, organizuar nga Akademia e Shkencave dhe institucione shëndetësore shqiptare një nga kumtesat ishte “Përballja me infodeminë: kapërcimi i dezinformimit shëndetësor në shkallë vendore dhe globale”, mbajtur nga epidemiologia prof. Melissa J. Perry nga Universiteti “The George Washington”, në SHBA. Prof. Melissa Perry aktualisht ndodhet në Tiranë duke kryer një program Fulbright pranë Institutit të Shëndetit Publik.

CMG: Prof. Melissa ju falenderoj për praninë tuaj në studio

Prof. Melissa J. Perry: Faleminderit shumë! Jam shumë e gëzuar që jam këtu me ju.

CMG: Fillimisht të njihemi me prof. Melissa J. Perry dhe veçanërisht lidhjen e saj me Shqipërinë, sepse këtë intervistë do ta realizojmë në shqip.

Prof. Melissa J. Perry: Për here të pare kam ardhur në Shqipëri në 1998 dhe 1999. Jam në Shqipëri për një vit me një program Fulbright dhe jam duke punuar për të zhvilluar shëndetin publik në Shqipëri.

CMG: Ju keni një eksperiencë si epidemiologe dhe në të njejtën kohë si profesore në Universitetin “ The George Washington” në ShBA dhe sigurisht që programi i Fulbright-it tuaj në Institutin e Shëndetit Publik do të ketë një vlerë të veçantë dhe për kolegët tuaj shqiptarë. Pandemia Covid 19 i bëri mjekët “yje” të ekranit, ndërsa publikun ndjekës të tyre. Paqartësitë që shoqëruan pandeminë e orientuan opinionin publik drejt mediave sociale, shpesh herë burim keqinformimi. Nëse nuk do të kishte media sociale, nuk do të kishte keqinformim?

Prof. Melissa J. Perry: Keqinformimi shëndetësor ka ekzistuar për aq kohë sa dhe sëmundjet, prandaj kjo dinamikë nuk është e re. Ajo që është e re tani është se: çdokush ka aftësinë për të shpërndarë informacion; se informacioni mund të shpërndahet menjëherë në miliona njerëz në të njejtën kohë dhe tani ka njerëz që shpërndajnë qëllimisht informacione shëndetësore për të krijuar paqëndrueshmëri sociale dhe politike.

CMG: Një nga momentet e rëndësishme të pandemisë Covid 19 është dhe vaksinimi. Njerëzit janë pro dhe kundër vaksinimit. Sa ka ndikuar keqinformimi në kundërshtimin e vaksinimit ?

Prof. Melissa J. Perry: Patjetër duhet të vazhdojë vaksinimi për të gjithë popullsinë. Padiskutim që është shumë i nevojshëm. Aktualisht në Shqipëri përqindja e vaksinimit është e ulët, sepse më pak se 50 për qind e popullsisë është vaksinuar. Vaksinimi duhet të vazhdojë për të mbrojtur shëndetin.

CMG: Ndërkohë jo vetëm në Shqipëri, por dhe në vende të tjera të botës si dhe në ShBA ka njerëz kundër vaksinimit, apo “novax”. Si mund të ndërgjegjësohet popullsia për t’u vaksinuar?

Prof. Melissa J. Perry: Aktualisht është një lajm i mire që falë informacionit të drejtë njerëzit po mësojnë se vaksinimi nuk është i rrezikshëm. Pa ekzagjerim miliarda njerëz janë vaksinuar dhe janë të mbrojtur. Është shumë e rëndësishme për shqiptarët që të marrin informacion të saktë me fakte dhe kështu do të ndjehen të sigurtë dhe me besim se nëqoftëse do të vaksinohen do të jenë më të sigurtë për veten dhe familjen.

CMG: Si njohëse e sistemit shëndetësor shqiptar, tashmë dhe në kontakt direkt nëpërmjet programit Fulbright në Institutin e Shëndetit Publik, si e vlerësoni përballimin e pandemisë Covid 19, referuar trajtimit, fataliteteve dhe vaksinimit ?

Prof. Melissa J. Perry: Si për shumë vende të tjera sistemi aktual shëndetësor shqiptar u përball për here të pare me sfida të mëdha të shkaktuara nga pandemia dhe shumë mjekë e shkencëtarë kanë punuar gjatë dhe shumë për të parandaluar vdekjet nga Covid 19. Pandemia ka zbuluar se sa e rëndësishme është ekspertiza e shëndetit publik dhe Shqipëria duhet të investojë më shumë për të mbrojtur qytetarët e saj nga pandemitë e ardhëshme.

CMG: Një pyetje që bëhet shpesh nga të gjithë qytetarët e botës. Në cilësinë e epidemiologes, mendoni se jemi në fund të pandemisë ?

Prof. Melissa J. Perry: Shkalla e infeksionit aktualisht po zvogëlohet në të gjithë botën. Ky është një lajm i mirë. Megjithatë numri i vdekjeve në mesin e të pavaksinuarve është ende i lartë dhe duhet të jemi të vetëdijshëm për mundësinë e varianteve të reja. Epidemiologët po vëzhgojnë me kujdes infeksionet dhe po kërkojnë variante të reja, për të kuptuar se kur një variant i ri mund të shfaqet.

CMG: Pra nuk duhet ta ulim vigjilencën?

Prof. Melissa J. Perry: Jo! Është shumë e rëndësishme të vazhdojmë me kujdes dhe sytë hapur të kuptojmë se është shumë e mundur të ketë një variant tjetër. Ndaj është me rëndësi që popullsia të ketë kujdes, po ashtu dhe shëndeti publik.

CMG: Cili është mesazhi juaj për ata që na ndjekin, lidhur me kujdesin ndaj Covid 19?

Prof. Melissa J. Perry: Dua të them se Shqipëria është një vend i bukur dhe po ashtu popullsia e saj. Kam shumë respekt. Është shumë e rëndësishme të jenë të kujdesshëm dhe të mbrojtur nga infeksioni. Duhet të jenë të informuar, por me informacion të vërtetë dhe shkencor.

Intervistoi Eda Merepeza