Shqipëria ka përparuar në rritjen e jetëgjatësisë të popullsisë së saj, por sistemi shëndetësor i vendit duhet të përmirësohet ndjeshëm për të përmbushur nevojat aktuale shëndetësore si rezultat i një periudhe të gjatë tranzicioni demografik dhe epidemiologjik. Qeveria shqiptare ka ndërmarrë reforma të rëndësishme për menaxhimin, planifikimin dhe financimin e shërbimeve shëndetësore publike. Pandemia Covid 19 dhe tërmeti i 26 nëntorit 2019 kanë shtruar nevojën e shtimit të hapësirave shëndetësore, kryesisht atyre spitalore në Shqipëri.
Spitale të reja për trajtimin Covid
Spitali Covid (Tv Klan)
Mbingarkesa e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë gjatë pandemisë tashmë dyvjeçare shtroi nevojën e shtimit të strukturave spitalore në vend. Në kulmin e pandemisë Covid 19 në vitin 2020, infrastrukturës spitalore në Shqipëri iu shtuan dy struktura të reja Spitalet COVID 3 dhe COVID 4, të pajisur me çdo mjet të nevojshëm, 150 shtretër si dhe me personel mjekësor të trajnuar.
Spitali Rajonal Memorial i Fierit
Ndërkohë fluksi i pacientëve në të vetmen qendër spitalore në kryeqytetin shqiptar bëri të domosdoshëm ndërtimin e një strukture të re spitalore rajonale. Në prill të vitit 2021 u përuruaSpitali Rajonal Memorial i Fierit, një financim prej 70 milonë euro, i cili u realizua falë mbështetjes së shtetit turk dhe u ndërtua në një kohë të shkurtër prej tre muajsh.
Spitali Rajonal i Fierit (Gazeta Shëndeti)
Kjo strukturë spitalore mbulon nevojat e banorëve të qarqeve jugore të vendit Fier, Vlorë dhe Gjirokastër, si një mundësi shërbimi pranë vendbanimit të tyre, pa qenë nevoja të drejtohen për në Tiranë. Spitali është i pajisur me një infrastrukturë moderne me pajisje biomjekësore të standardeve të larta dhe ofron të gjitha shërbimet e radiologjisë, duke filluar nga skaneri, rezonanca dhe angiografia.
Spitali ka një staf prej 398 të punësuarish, ndërsa 56 prej tyre janë staf i huaj turk. Spitali rajonal i Fierit ofron shërbimin e urgjencës, kirurgjisë, neurokirurgjisë, kirurgjisë kardio-vaskulare, mjekësisë interne, kardiologjisë, neurologjisë, sëmundjeve infektive, pneumologjisë, shërbimin e ortopedisë dhe traumatologjisë.
Një spital i ri Pediatrik
Ndërkohë fundi i vitit 2021 shënoi dhe përurimin e Spitalit Pediatrik, një investim i Qeverisë shqiptare me vlerë 9 milion euro. Korpusi Pediatrik do të ketë 200 shtretër dhe do t’i shërbejë rreth 130 mijë fëmijëve që marrin shërbim çdo vit. Ky investim madhor përfshin rikonstruksionin e plotë të kompleksit të Spitalit Pediatrik, që përbëhet nga dy godina, Pediatria e Specializuar dhe Pediatria e Përgjithshme si dhe ndërtimin e godinës së re, e cila sapo ka përfunduar, të Urgjencës, Reanimacionit dhe Kirurgjisë Pediatrike me katër salla operacioni. Investimi në Pediatrinë e Tiranës është pjesë e investimeve madhore për modernizimin e QSUT, bashkë me Spitalin e ri të Kirurgjisë dhe Spitalin e ri të Sëmundjeve të Brendshme.
Përurimi i Spitalit Pediatrik në Tiranë (A2).
Kryeministri Edi Rama me Ministren e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu, të pranishëm në këtë inaugurim, thanë se ky investim hap një kapitull të ri për shërbimet e kujdesit shëndetësor për fëmijët në nivel kombëtar.
Në fjalën e tij kreu i ekzekutivit theksoi se “QSUT do të kthehet në kompleksin më modern spitalor, pasi do të vijojë modernizimi edhe në shërbime të tjera. Sipas parashikimeve brenda këtij mandati ne përmbyllim çdo pjesë të QSUT-së që ka nevojë të hyjë në këtë standard dhe QSUT kthehet në kompleksin më të madh dhe më modern spitalor të rajonit, jo të Shqipërisë”, theksoi kryeministri Rama.
Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza”
Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë është institucioni shëndetësor më i madh në Shqipëri dhe i vetmi si institucion shëndetësor akademik, duke u klasifikuar si e vetmja qendër shëndetësore terciare shqiptare. Aktualisht QSUT ofron shërbim shëndetësor ambulator për rreth 300 mijë persona në vit, shërbim spitalor për mbi 80 mijë raste në vit dhe shërbim urgjencash për mbi 260 mijë persona në vit. Kjo qendër ka një kapacitet prej 1450 shtretërish dhe ofron ndihmë mjekësore për mesatarisht 400 pacientë ditorë të shkruar në mjediset e saj.
QSUT Nënë Tereza (Linkedin)
Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” ka një numër të punësuarish prej 2967 vetë, ndër të cilët 1808 staf mjekësor, 308 specializantë të Fakultetit të Mjekësisë dhe 850 punonjës administrative. Në qendër punojnë 66 mjekë me titullin Profesor, 176 mjekë me grada të ndryshme, prej të cilëve 130 janë mjekë pedagogë pranë Fakultetit të Mjekësisë, 1215 infermierë dhe 50 teknikë.
Banka Botërore financon përmirësimin e shëndetësisë në Shqipëri
Për realizimin e përmirësimit të infrastrukturës spitalore në vend nevojiten investime dhe një nga këto është miratimi në dhjetorin e kaluar nga Banka Botërore të një financimi shtesë prej 29.5 milionë dollarë për projektin e Përmirësimit të Sektorit të Shëndetësisë në Shqipëri. Ky financim do të ndihmojë në adresimin e dëmeve të shkaktuara në objekte të kujdesit shëndetësor nga tërmeti i nëntorit të vitit 2019 si dhe do të përmirësojë procesin e modernizimit dhe reformat në disa shërbime spitalore publike.
Projekti i Bankës Botërore për Përmirësimin e Sektorit të Shëndetësisë ka luajtur rol kyç në këtë drejtim, duke mbështetur rehabilitimin e tre spitaleve, zbatimin e Sistemit të Informacionit Shëndetësor në katër spitale rajonale dhe rindërtimin e spitalit të Laҫit, i cili u shkatërrua nga tërmeti i nëntorit 2019.
Financimi Shtesë do të ndihmojë në përballimin e këtyre nevojave, dhe më konkretisht për rehabilitimin e Spitalit të Krujës, Spitalit Rajonal të Lezhës dhe disa spitaleve e njësive në Qendrën Spitalore Universitare Nënë Tereza si Departamenti i angiologjisë dhe kardiokirurgjisë, Spitalit Psikiatrik, Departamenti i djegies dhe kirurgjisë plastike dhe Spitali i përgjithshëm pedriatik.
Financimi Shtesë po mbështet zbatimin e Sistemit të Informacionit Shëndetësor në të gjithë rrjetin e spitaleve rajonale, i cili do të bëjë të mundur një koordinim dhe integrim më të mirë të shërbimeve me qëllim përmirësimin e vazhdimësisë dhe cilësisë së kujdesit shëndetësor.
Eda Merepeza