Intervistë me akademikun, prof. Genc Sulçebe imunolog
Pandemia Covid 19 prej mëse dy vjetësh ka zënë një hapësirë të konsiderueshme në jetën e shoqërive dhe individëve në mbarë botën. Valët pandemike, variantet e koronavirusit, vaksinimet janë në qendër të vëmendjes sonë dhe duke qënë pjesë e jetës sonë duhet të jemi sa më të informuar rreth situatës pandemike. Disa nga pyetjet që shpesh na mundojnë ia kemi drejtuar akademikut të njohur, prof Genc Sulçebe, imunolog, në këtë intervistë ekskluzive.
CMG: Ju falenderoj profesor që pranuat ftesën për këtë intervistë në Radio Ejani
Prof. Genc Sulçebe: Faleminderit për ftesën. Është kënaqësi të komunikoj me radion tuaj.
CMG: Në një studim të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë që nga viti i kaluar ju si akademik dhe një ekip ekspertësh të shëndetit keni ndjekur trendin e imunitetit të tufës. Sa është imuniteti i tufës dhe sa do të ndikojë kjo në fundin e pandemisë?
Prof.Genc Sulçebe: Pyetje shumë e drejtë. Duhet të kemi të qartë se ndjekja e imunizimit të popullatës është shumë e rëndësishme për të pare se si evoluon pandemia. Rreth 40 për qind e individëve që marrin infeksionin e kalojnë pa simptoma, të ashtuquajturit asimptomatikë. Edhe shumë të tjerë e kalojnë me forma shumë të lehta ose të mesme, të cilat nuk kapen me testet PCR, ose dhe me testet e shpejta. Për të ndjekur në dinamikë dhe për të ditur shkallën e përhapjes së infeksionit një mjet epidemiologjik shumë i mire është studimi i seroprevalencës, pra të antitrupave në popullatë, që tregon se këta individë e kanë kaluar infeksionin. Kjo është më besnike se sa kapja e virusit.
Kur testet ishin të kufizuara për arsye se akoma nuk ishin perfeksionuar dhe për arsye të tjera, ka qenë një raport 1 me 10, pra nëqoftëse kapej një me anë të testit, ishin 10 të tjerë që ishin të infektuar, prandaj kjo kishte vlerë.
Ky ishte një studim në dinamikë, që u bë nga grupi ynë i Akademisë së Shkencave dhe në 18 muaj kemi ndjekur trendin. Ne e filluam studimin në mars të 2020-ës dhe patëm rezultatet e para nga qershori-korriku i këtij viti ku pamë si ishte gjendja e imunizimit në 6 mujorin e pare të pandemisë dhe gjetëm një nivel prej 7.4 për qind. Ishte një nivel i kufizuar dhe i ulët për arsye të restriksioneve që u zbatuan në Shqipëri ashtu si dhe në vende të tjera. Nga fundi i majit të 2020-ës masat shtrënguese u hoqën sepse kishte një impakt shumë negativ për ekonominë. 6 muaj më vonë ne bëmë këtë matje në fund të 2020-ës dhe doli 45 për qind në popullatën urbane të Tiranës, nga moshat mbi 20 vjeç. Pra tregoi një rritje progresive shumë të lartë, rreth 6 për qind në muaj të shpërndarjes së infeksionit. Ne këtë studim e vazhduam dhe 6 muaj më vonë, pra realizuam në qershor-korrik të 2021, që përkonte me vazhdimin e epidemisë me variantin anglez beta dhe kjo shifër ishte 73.3 për qind
CMG: Ky është një lajm i mire!
Prof. Genc Sulçebe: Kemi një rritje progresive, por, sepse ka një por, ngaqë në korrik të 2021 u shfaq varianti delta, që është shumë më infeksioz se varianti i pare, pra rreth dy here. Kjo i ndryshon rregullat e lojës, sepse nuk është më ai imuniteti i tufës prej 70 për qind dhe vlerësohet se ky kufi hipotetik i imunitetit të tufës duhet të jetë mbi 85 për qind. Në një llogaritje të përafërt që bëmë del se duhet që të paktën 500 mijë individë të popullatës shqiptare duhet të imunizohen, sigurisht nëpërmjet vaksinës si rruga më e mire, në mënyrë që të arrihet 90 përqindëshi i pritshëm.Themi se duhet të arrijmë nivelin 90 për qind që të themi se pandeminë e kemi nën kontroll.
CMG: Si paraqitet aktualiteti pandemik në Shqipëri ?
Prof. Genc Sulçebe: Këto javët e fundit kemi një numër stabël të individëve që dalin pozitivë. Kemi një numër nga 350-500 pra nuk kemi një progresion. Janë kryesisht individë që nuk janë vaksinuar, nuk janë infektuar si dhe 20 për qind janë persona që e kanë kaluar infeksionin në fillim, ose janë vaksinuar shumë herët në fillim dhe mund të riinfektohen. Për arsye se varianti delta bën riinfektime rekomandohet vaksinimi i sa më shumë individëve dhe rivaksinimi që është shumë i rëmdësishëm për individët mbi 50 vjeç. Bëhet fjalë për dozën e tretë përforcuese që thuhet se duhet të bëhet 6 muaj pas dy dozave të para, ndërsa të dhënat kërkimore thonë se imuniteti pra antitrupat bien 3 muaj pas bërjes së vaksinës.
CMG: Një temë delikate është vaksinimi i fëmijëve. Opinioni juaj?
Prof. Genc Sulçebe: Kjo është delikate sepse njerëzit nga ana psikologjike fëmijët i kanë merak dhe kuptohet se duke qenë vaksina të reja nuk kanë shumë besim në to. Ka shumë studjues dhe dhjetra ekipe që po punojnë gjatë një viti e gjysmë dhe kanë testuar vaksinat e ndryshme dhe konkluzioni është se të gjitha vaksinat që përdoren janë efikase dhe asnjera prej tyre nuk ka efekte anësore të dëmshme afatgjata. Janë nga medikamentet më të padëmshme.
Të gjithë do ta kalojmë imunizimin dhe nuk shpëtojmë dot. Do ta zgjedhim ta kalojmë me anë të vaksinës, që për fat u vu në jetë, apo ta kalojmë me infektim natyral?
CMG: Mendoni se në të ardhmen e afërt do të duhet të vaksinohemi kundër Covid çdo vit, apo mund ta trajtojmë atë me ilaçe?
Prof. Genc Sulçebe: Përsa i përket barnave që përdoren kundër viruseve, ashtu si për gripin u gjet një medikament kundër tij, por nuk pati sukses sepse duhet të vihet diagnoza e saktë para se të fillojë mjekimi. Nga ana tjetër mjekimet janë të shtrenjta dhe të papërhapura si duhet. Pra kanë kosto të lartë dhe nuk dihet efektiviteti i tyre. Për këtë arsye them se nuk do të ketë shumë sukses mjekimi, ndaj rëndësi ka vaksina, e cila parandalon, krijon mbrojtjen e gjithë popullatës, sepse mbrojmë jo vetëm veten, por dhe të tjerët dhe njëkohësisht ka një kosto të ulët. Ka mundësi me këto variantet e reja që ndryshojnë vazhdimisht të përfundojmë me vaksinën kundër koronavirusit njëlloj si me vaksinën kundër gripit, domethënë ta bëjmë çdo vit. Madje firmat farmaceutike po mendojnë t’i bëjnë bashkë në një injeksion edhe koronavirusin dhe gripin.
Intervistoi Eda Merepeza