Omicron është “prurja” e re epidemike e koronavirusit. Ky emër nga alfabeti grek po përmendet gjithnjë e më shumë nga qytetarët, por më së shumti autoritetet shëndetësore edhe në Shqipëri.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu nga qendra e vaksinimit të përqendruar në stadiumin “Air Albania” tha se të gjitha vendet, përfshirë edhe Shqipërinë janë të shqetësuara sa i përket përhapjes së variantit Omicron në disa vende, teksa bëri thirrje për vaksinimin kundër Covid-19.
“Lidhur me variantin e ri Omicron ka shumë të dhëna që priten dhe në javët në vijim institucionet ndërkombëtare do të kenë më shumë të dhëna për të na thënë se cila është rrezikshmëria në raport me infektimet, hospitalizimet dhe fatalitetet. Por ajo çfarë thonë të tërë, emëruesi i përbashkët është vaksinimi”, u shpreh kreu i shëndetësisë.
Më tej ministrja theksoi se Omicron “është një variant shqetësues, por jo për t’u futur në panik. Ne jemi duke vlerësuar të gjitha masat që kemi aktualisht dhe do të kemi një kalibrim duke patur dhe gjithë dinamikën e situatës”
Duke folur për variantin e ri Omicron, Manastirliu tha se ISHP do të dërgojë mostrat për analizim për të parë më pas nëse ky variant ka qarkulluar apo po qarkullon në Shqipëri. “Instituti i Shëndetit Publik është duke punuar për të përgatitur mostrat sipas protokolleve të ECDC, për t’i çuar për t’i analizuar dhe për të vijuar më tej sekuencimin e këtyre mostrave. Për të bërë dhe ne të gjithë atë hartëzimin e nevojshëm për të vlerësuar nëse varianti Omicron qarkullon në vendin tonë dhe sigurisht ajo çfarë është më e rëndësishme është që të rrisim vigjilencën”, tha Manastirliu.
Shefja e Departamentit të Sëmundjeve Infektive në ISHP, prof. Silva Bino tha se “Omicron nga pikëpamja e transmetueshmërisë mendohet që ka një transmetueshmëri të lartë.
“Deri tani ne nuk kemi parë në analizat molekulare se kemi të bëjmë me një variant të tillë, por rreziku mbetet dhe ai është i lartë”, tha prof. Bino
Mendohet që mund të jetë më i lartë se transmetueshmëria e Deltës, megjithatë edhe kjo mbetet për t’u parë sepse ka nevojë që të vlerësohet se si është transmetueshmëria brenda familjes apo jashtë saj. Megjithatë kemi të dhëna, jo të gjitha të dhënat e mundshme, por që vaksina ka një efektivitet prandaj është shumë e rëndësishme të vaksinohemi”, tha Bino.
Prej fillimit të vaksinimit janë kryer në total 2,103,351 doza të vaksinës ndaj COVID-19. Nga të cilat, 1,072,645 janë doza të para; 961,013 doza të dyta dhe 67,381 doza të treta. Vaksinimi ndaj COVID-19 është i hapur për të gjithë personat +16 vjeç si dhe fëmijët +12 vjeç me probleme të sistemit imunitar.
Të dhëna për variantin Omicron
Komiteti Teknik i Ekspertëve në Shqipëri ka vendosur rekomandimin e disa masave shtesë në kuadër të pandemisë si dhe për shkak të variantit të ri Omicron. Deri më 31 dhjetor, studentët, punonjësit e administratës, ata që punojnë në supermarkete apo qendra tregtare, duhet të jenë të vaksinuar, ose të bëjnë çdo 5 ditë testin PCR. Prej 4 janarit do të nisë kontrolli për këto kategori, të cilat duhet të pajisjen me certifikata. Rekomandohet ndalimi i hyrjes të shtetasve të huaj me histori udhëtimi brenda 14 ditëve të fundit në vendet e Afrikës së Jugut: Kenia, Angola, Zambia, Bostvana dhe Senegal, duke filluar nga 3 dhjetori, për tre javë, raportojnë mediet shqiptare.
Varianti i ri i koronavirusit, i emëruar Omicron, po vazhdon të përhapet nëpër botë, teksa shumë shtete kanë vendosur masa kufizuese për udhëtimet nga Afrika, ku për herë të parë u identifikua ky variant. Më 26 nëntor, Organizata Botërore e Shëndetësisë tha se Omicron, që fillimisht u identifikua në Afrikën e Jugut, ishte “variant shqetësues”. Zyrtarët në Afrikën e Jugut kanë thënë se 90 për qind e rasteve të reja janë me varaintin Omicron, që ka numër të madh të mutacioneve. Raste me Omicron kanë regjistruar edhe Mbretëria e Bashkuar, Gjermania, Italia, Belgjika, Danimarka, Botsvana, Izraeli, Australia, Hong Kongu dhe Çekia. Ndërkaq, Austria është duke hetuar raste të dyshuara me këtë variant.
Shkencëtarja kryesore e OBSH-së deklaroi se nuk ka vend për panik në lidhje me shfaqjen e variantit Omicron të Covid-19. Soumya Swaminathan theksoi se është shumë herët për të thënë nëse vaksinat do të duhet të modifikohen për ta luftuar atë, raporton “Reuters”. Sipas saj, për momentin është e pamundur të parashikohet nëse Omicron do të bëhet lloji dominues.
Varianti i ri është thënë se ka më shumë se 30 mutacione në proteinën që viruset e shfrytëzojnë për të hyrë në qelizat e njeriut, kanë thënë zyrtarët shëndetësorë në Mbretërinë e Bashkuar. Numri i mutacioneve është dyfish më i madh në krahasim me ato që ka Delta, çka e bën këtë virus shumë më ndryshe prej virusit origjinal.
Shkencëtarët e Afrikës së Jugut kanë thënë se disa mutacione janë të lidhura me rezistencë ndaj antitrupave neutralizues dhe përhapje më të madhe, mirëpo të tjerët kanë thënë se nuk i kanë të qarta ndikimet e mundshme, andaj ende nuk ka një fjalë të fundit.
Universiteti i Hong-Kongut ka veçuar me sukses shtamin e “Omicron”-it nga ekzemplarët klinikë, bëri të ditur të martën Departamenti i Mikrobiologjisë i këtij universiteti. Ky është ekipi i parë i njohur kërkimor në Azi që ka arritur të veçojë variantin “Omicron”.
Vaksinat e COVID-19 janë efektive kundër “Omicron”, varianti më i fundit i koronavirusit, dhe mund të zbutin ashpërsinë e sëmundjes dhe të ulin shkallën e vdekshmërisë, tha për CMG-në ditët e fundit drejtori i Institutit Kombëtar për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve Virale në Qendrën Kineze për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve Xu Wenbo.
Varianti ka një numër të madh mutacionesh, por kjo nuk do të thotë domosdoshmërisht se është më i transmetueshëm ose ka shkallë më të madhe shmangieje ndaj imunitetit se “Delta”, tha Xu.
Ky variant nuk mund ta kalojë plotësisht pengesën e imunitetit, sepse përveç imunitetit të antitrupave dhe qelizave-T, njerëzit mbrohen edhe nga lloje të ndryshme vaksinash, megjithëse efekti mbrojtës i vaksinave duhet të studiohet më tej, shtoi eksperti.
Organizata Botërore e Shëndetësisë e ka renditur “Omicron” si një "variant shqetësues" dhe tha se rreziku i përgjithshëm global që lidhet me këtë variant vlerësohet si "shumë i lartë".
Profesori Karl Lauterbach, një epidemiolog klinik në Gjermani e ka quajtur Omicronin një “dhuratë Krishtlindjesh”.
Ai beson se 32 mutacionet në proteinën “spike” mund të nënkuptojnë se ajo mund të infektojë njerëzit por jo t’i vrasë ata.
Lauterbach ndan bindjen se kjo është mënyra sesi evoluojnë shumica e viruseve dhe thotë se është pozitive që koronavirusi ka mbërritur në këtë pikë.
Eda Merepeza