Kriza pandemike përveç dëmeve që ka shkaktuar në ekonominë globale dhe në disa sektorë jetikë ka ndikuar edhe pozitivisht në bizneset e shëndetit, ku përfshihen laboratorët e analizave, farmacitë, spitalet private. Tashmë në shtypin ndërkombëtar, por edhe atë shqiptar janë publikuar analiza të shumta lidhur me këtë ndikim të pandemisë.
Shqiptarët shpenzuan së paku 92 milionë euro gjatë vitit 2020 për shërbime spitalore dhe diagnostikuese private me një rritje prej afro 15 milionë eurosh ose 19%, sipas të dhënave financiare të 11 kompanive të analizuara në një shkrim të publikuar në media. Pjesa më e madhe kësaj rritjeje duket se erdhi nga shpenzimet e shqiptarëve për analiza, veçanërisht në kompanitë e licencuara për analiza të koronavirusit të ri.
Me pasojat e pandemisë që filluan të ndiheshin në gjysmën e dytë të 2020-s, duke kulmuar në nëntor e dhjetor, shumë të prekur u detyruan të kuroheshin me shpenzimet e tyre.
Një raport i publikuar nga shoqata “Together for Life” thuhet se në vitin 2020 përfituan rimbursim vetëm 1708 persona, për të cilët u shpenzuan 6.3 milionë lekë (51.3 mijë euro). Ndërsa gjatë periudhës janar-maj të vitit 2021, Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor rimbursoi 5632 receta me diagnozën “Covid 19”, kundrejt një vlere prej 22.5 milionë lekësh (183 mijë euro).
Sipas fokus-grupeve të realizuara në kuadër të këtij raporti, trajtimet në shtëpi të të sëmurëve me gjendje të mesme Covid arritën deri mbi 100.000 lekë (813 euro) për person, shkruan revista “Monitor”.
Të dhënat zyrtare nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave për importet e medikamenteve tregojnë se shtesa e barnave të importuara në nëntor 2020 - prill 2021 është rreth 30 milionë euro, një pjesë e konsiderueshme e së cilës është paguar nga xhepi për kurimin e pasojave që la Covid në shëndetin e popullatës.
Për trajtimin e virusit, përshkrimin më të lartë nga mjekët e kanë pasur barnat antivirale, antibiotikët, kortizonikët, vitaminat, si dhe antikoagulantët.
Laboratorët përfituesit më të mëdhenj
Laboratorët privatë që ofruan të parët analizat për COVID-19 rezultuan përfituesit më të mëdhenj financiarë të pandemisë në Shqipëri. Kërkesa e shtuar për tamponë u siguroi atyre fitime deri në 12 herë më të larta se vitet e kaluara. Disa prej laboratorëve mjekësorë privatë mjekësorë siguruan vitin e kaluar të ardhura dhe fitime që nuk i kishin realizuar ndonjëherë. Nevoja për të kryer teste Covid-19, krijoi radhë të gjata në qendra laboratorike dhe në kufi, ku privatët administronin tamponët, fillimisht me çmim mbi 90 euro.
Genius Lab, ndër të parët që nisi shërbimin e testeve Covid, fitoi 1.9 milion euro nga 147 mijë që deklaronte në 2019. Edhe laboratori Intermedica i 4-fishoi fitimet, duke përfituar 2.2 milion euro në vitin e pandemisë.
Ministria e Shëndetësisë ka licencuar prej korrikut, 12 laboratorë privatë, të cilët do të testonin qytetarët për dokument udhëtimi.
Të dhënat e analizuara nga bilancet tregojnë se kompanitë më fitimprurëse në sektorin e shëndetësisë në 2020-n ishin laboratorët mjekësorë, pas shpenzimeve të larta të qytetarëve për kryerjen e tamponëve apo të analizave të mëpasshme për të parë ecurinë e sëmundjes.
Një nga mangësitë e procesit, sipas artikullit duhet të ishin marrë masa për të vendosur çmime referente dhe taksa çmimi fikse për laboratorët privatë në mënyrë që të mos rëndoheshin “xhepat” e qytetarëve.
Lidhur me shpenzimet për shërbime laboratorike theksohet se një test kushtonte 5-6 fish më shumë se kostoja ndërsa një test antigjen ishte dhjetëra fish më i shtrenjtë.
Një shumëfishim të të ardhurave gjatë pandemisë kanë patur dhe spitalet private në Shqipëri si Spitali Amerikan, i cili shënoi rritje me 12%, ndërsa International Hospital shënoi një rritje në masën 4%. Këto janë spitalet më të mëdha private në Shqipëri dhe gjatë vitit 2020 patën së bashku të ardhura në masën 8.7 miliardë lekë.
Viti 2021 ka gjasa do të jetë edhe më i mbarë për sektorin shëndetësor privat. Shqipëria përjetoi valën më të madhe të pandemisë gjatë muajve të parë të këtij viti, ndërsa po përjeton një valë të katërt të shkaktuar nga varianti Delta prej mesit të gushtit.
Shpenzimet e qytetarëve për ilaçe të blera pa rimbursim apo në gjysmëilegalitet apo pagesat për kujdes shëndetësor në shtëpi nuk është e mundur të maten. Po kështu, shpenzimet për kurim jashtë vendit vetëm sa mund të merren me mend.
Sipas vlerësimeve të Bankës Botërore për vitin 2018, rreth 45% e shpenzimeve të shqiptarëve për kujdes shëndetësor janë drejtpërsëdrejti nga xhepi, ndërsa 55% janë shpenzime përmes sistemit të taksimit. Bilanci i pritshëm pas pandemisë duket se do të jetë me fitime të mëdha për biznesin shëndetësor, por nga ana tjetër me humbje për qytetarët.
Eda Merepeza