Ishte një nga ditët më të ngarkuara në një spital pandemie në Stamboll, ku qindra njerëz prisnin në dhomat e vaksinimit COVID-19 dhe në stolat në kopsht për takimet e tyre.
Spitali i Emergjencave Feriha Oz, i themeluar vitin e kaluar dhe me një kapacitet prej 1008 shtretërish që ndodhet në anën aziatike të qytetit, nuk ka parë kurrë një numër kaq të lartë që nga nisja e fushatës kombëtare të vaksinimit në janar, tha Mehtap Karaca Demiray, një nga infermieret e ekipit të vaksinimit.
"Sot, kemi mbi 1400 takime," i tha të enjten Demiray Xinhua-s. "Kemi nisur në 8:30 të mëngjesit dhe do të mbarojmë në mesnatë".
Turqia nisi fushatën e vaksinimit me vaksinën kineze të Sinovac-ut më 14 janar, me përparësi stafin e kujdesit shëndetësor dhe të moshuarit.
Deri në fillim të prillit, Turqia e vaksinoi popullsinë e saj vetëm me CoronaVac të Sinovac-ut. Më vonë përfshiu vaksinën Pfizer-BioNTech në program dhe do të shtojë Sputnik V të Rusisë në ditët në vijim. Deri tani janë administruar 25 milionë vaksina.
Mjekët turq pajtohen se ata tani kanë të dhëna të mjaftueshme në terren për të parë më saktësisht efikasitetin e CoronaVac.
"Bazuar në vëzhgimet tona në terren, mund të themi se vaksina Sinovac parandalon vdekjet dhe shtrimin në spital të kujdesit intensiv 100 për qind," i tha Xinhua-s Nurettin Yiyit, një nga mjekët e spitalit, duke iu referuar gjendjes së përgjithshme në vend.
"Studimet fazore kanë provuar tashmë efikasitetin e saj, por shënimet tona në terren janë edhe më të mira," vijoi ai ndërsa inspektonte vaksinat në vazhdim.
Yiyit drejton gjithashtu Spitalin e Trajnimit dhe Kërkimit Sancaktepe Ilhan Varank.
Duke folur për gjendjen në të dy spitalet, ai tha se rreth 4000 punonjës shëndetësorë morën dozën e dytë në shkurt. Që nga ajo kohë, vetëm 60 raste COVID-19 u raportuan mes tyre, pa shtrime në spital dhe fatalitete.
Mbrojtja falë vaksinimit u bë më e dukshme gjatë valës së tretë të pandemisë, që filloi në mars. Numri ditor i rasteve tejkaloi pragun prej 60 mijë në të gjithë vendin dhe qeverisë iu desh të deklarojë një bllokim të plotë deri në 17 maj për të frenuar shtimin e rasteve.
Yiyit vuri në dukje se Turqia hyri në valën e re të COVID-19 pasi vaksinoi më shumë se 85 për qind të profesionistëve të kujdesit shëndetësor dhe atyre të moshës 65 vjeç e lart me vaksinën Sinovac.
Mosha mesatare midis shtrimeve në spital dhe fataliteteve në të gjithë vendin ra nën 65 vjeç, shtoi ai, duke theksuar numrin e lartë të rasteve tek grupet e pavaksinuara.
"Kjo rriti fuqinë tonë luftarake dhe na forcoi më shumë, veçanërisht gjatë periudhës së kalimit të pacientëve në kujdes intensiv," tha ai, duke theksuar se grupi i ri mund ta luftojë më mirë sëmundjen.
Guner Sonmez, një mjek radiolog në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit Uskudar me qendër në Stamboll, tha kohët e fundit për mediet vendore se para vaksinimeve, disa punonjës të kujdesit shëndetësor po vdisnin nga koronavirusi çdo ditë.
"Por pasi u vaksinuan dhe këto vdekje ndaluan," tha Sonmez për të përditshmen “Milliyet”. (Albana)