Një program i prokurimit nga qeveria kineze ka sjellë një ulje të mprehtë të çmimit të unazave të zemrës (stenteve koronare), një artikull mjekësor i kushtueshëm dhe i përdorur shpesh për trajtimin e sëmundjeve koronare.
Kjo është pjesë e përpjekjeve të Kinës në reformimin e sektorit shëndetësor dhe për të garantuar që ilaçet dhe pajisjet e zakonshme mjekësore të shiten me çmime më të përballueshme për publikun.
Një stent koronar, që më parë shitej 13 mijë juanë ose afro 2000 dollarë amerikan, do të shitet në spitalet kineze me një çmim afro 700 juanë (100 dollarë amerikanë).
Stenti është një tub i vogël që futet në arteriet koronare të ngushtuara apo të bllokura dhe që mundëson pastaj qarkullimin e lirë të gjakut në atë pjesë të zemres. Bllokimi i arterieve është shkaku i dytë i vdekshmërisë në Kinë.
Në vitin 2019, mbi 2400 spitale në të gjithë Kinën kryenin operacione për implantimin e stenteve koronare dhe janë përdorur 1.6 milionë stente, me një vlerë të përgjithshme prej 15 miliardë juanë (2.3 miliardë dollarë amerikane).
Huo Yong është kryetari i Grupit të Ekspertëve të Menaxhimit të Ndërhyrjes Kardiovaskulare të HNC-së.
Ai tha se pacientët ngurronin për këtë ndërhyrje për shkak të çmimit të lartë.
“Ndërhyrja Koronare Perkutante, e njohur si implanti i stenteve, është një ndër metodat më efektive të pakësimit të përqindjes së vdekshmërisë nga infarkti i miokardit akut, emri mjekësor për një sulm në zemër.”
Sipas programit, çmimi mesatar për produkte të njëjta nga kompani të njëjta është ulur 93% në krahasim me shifrën e vitit 2019.
Ky program përfshin blerjen e mbi 1 milion stenteve koronare brenda një viti dhe është vlerësuar se kostoja vjetore do të ulet me afro 11 miliardë juanë. Kjo ulje drastike prej 90% të çmimit duket se ka ngazëllyer të gjithë vendin.
Cilësia e këtij produkti është ruajtur, pavarësisht shqetësimit të disa banorëve se cilësia e produktit do të bjerë për shkak të uljes së marzhit të fitimit të kompanive.
Megjithatë, specialistët kanë larguar këto shqetësime duke theksuar se ulja e çmimit nuk do të dëmtojë rritjen e fitimit të prodhuesve.
Ding Yilei është një zyrtar i lartë i Administratës së Sigurisë Shëndetësore Kombëtare që nisi këtë program.
Ai tha se nën modelin e tanishëm të shitjes, kompanitë përfitojnë vetëm 2000 juanë nga shitja e unazës 13 mijë juanëshe dhe shumë fonde ishin shpenzuar për shitjen dhe komisionet për ndërmjetësimin.
Ai theksoi se pacientët dhe kompanitë farmaceutike janë lodhur nga modeli i vjetër i shitjes.
"Çmimi i pajisjeve mjekësore në tregun botëror ka qenë 2000 juanë. Disa janë shitur për vetëm mbi 1000 juan. Para fushatës së prokurimit, kemi analizuar raportet financiare të prodhuesve të listuar. Studiuam kostot e tyre. Mund t'ju them se çmimi i prokurimit është më i lartë se çmimi i kostos."
Produktet me çmime të ulëta do të jenë të disponueshme për pacientët prej janarit të vitit 2021.
Në të kaluarën, Kina duhet t’i importonte stentet koronare nga vendet e zhvilluara si ShBA-ja dhe vendet evropiane dhe këto pajisje ishin jashtëzakonisht të shtrenjta. Në vitin 2018, Kina prodhoi stentin e parë të zemrës, i cili kaloi provat klinike për përdorim në Evropë, një hap kyç për hyrjen në tregjet e jashtme. Prodhimi i stenteve koronare nga Kina reduktoi çmimin nga 45 mijë në 13 mijë, megjithëse përsëri edhe me këtë çmim ishte i shtrenjtë për shumë familje.
Zhong Dongbo, drejtori i Departmentit të Çmimeve Farmaceutike, të Ofertave dhe të Prokurimeve në Administratën e Sigurisë Shëndetësore Kombëtare tha se për uljen e mëtejshme të çmimit të stenteve koronare, duhet të reduktohen sa më shumë kostot e panevojshme, duke iu shitur drejtpërdrejt konsumatorëve.
(Xu Guang/Albana)