Në kohët e sotme, trupi elegant është simboli i bukurisë. Shumë modele janë të dobëta dhe trupi i shëndoshë është shndërruar gradualisht në një vlerësim negativ shoqëror. Studimet shkencore vërtetojnë lidhjen mes trupit të shëndoshë dhe shumë sëmundjeve. Por gjatë periudhave të ndryshme historike, qëndrimi ynë mbi shëndoshjen ka ndryshuar shumë.
Epoka e artë e njerëzve të shëndoshë
Para dinastinës Çin (që filloi në vitet 221 para erës sonë) të Kinës është vlerësuar lart bukuria e kolme në poezitë e lashta. Femrat e bukura në ato vite ishin të rrumbullakosura. Në shoqërinë bujqësore, niveli i forcave prodhuese ishte shumë i ulët dhe problemi më i madh i njerëzve ishte sigurimi i ushqimit të mjaftueshëm. Trupi i shëndoshë përfaqësonte vitalitetin, forcën dhe aftësinë e lindjes. Në atë periudhë, gruaja e kolme që simbolizonte korrjet e mëdha dhe forcë të mjaftueshme prodhuese, pëlqehej shumë. Në dinastinën Tang (në vitet 618-907 pas erës sonë) të Kinës, femrat e bukura në pikturat e kësaj periudhe ishin të kolme.
Edhe në Europë femrat e kolme ishin të preferuara. Këtë e shohim në figurat artistike të periudhës së hershme perëndimore, ku një trup i kolmë shihej si simbol i adhurimit të lindjes. Në fakt, perendesha e pjellorisë është e shëndoshë. Në shekullin e mesëm, bukuria e kolme ishte më e preferuara, meqë shëndoshja simbolizonte shëndetin dhe autoritetin. Por uria dhe fatkeqësitë e shpeshta natyrore shkaktuan mungesë ushqimore për shumë njerëz. Vetëm të pasurit kishin ushqim të bollshëm dhe trup të shëndoshë. Frika e njeriut ndaj urisë ka ndikuar në mënyrë të dukshme opinionet e shoqërisë për shëndoshjen.
Në Rilindjen Evropiane, femrat e kolme ishin shumë të mirëpritura. Në këtë periudhë mbizotëronte humanizmi, një filozofi etike dhe një botëkuptim që drejtohen nga interesat, vlera dhe dinjiteti në veçanti të njerëzve. Eleganca dhe dobësimi simbolizojnë frenimin e dëshirave. Në veprat Michelangelo-s bukuria është e kolme. Vepra e Raphael-it "The Graces/Kharites", shfaq bukurinë e linjave të femrave të kolme.
Shtimi i rezistencës ndaj mbipeshës
Nga historia, njerëzit kanë zhvilluar luftra të vazhdueshme në një kohë të gjatë dhe sëmundja e uria nuk kanë munguar. Adhurimi estetik për mbipeshën ka zgjatur për një periudhë të gjatë. Por prej shekullit të 18-të, me zhvillimin dhe përparimin e pandërprerë të shoqërisë, kërkesat e mbijetesës bazë nuk ishin më problem thelbësor i njerëzimit, mbipesha nisi të lidhej gradualisht me vlerësimet negative si shëndet jo i mirë, mungesë të vetë-disiplinës etj. Qëndrimet e njerëzve për mbipeshën sa vinin e bëheshin më negative. Cilat janë këto qëndrime?
Së pari, zhvillimi i shkencës ka ndikuar pikëpamjet e njeriut për mbipeshën. Pas krijimit të motorit me avull dhe përhapjes së trenit, ushqimet mund të transportoheshin në masë të madhe, ndërkohë që kostoja e transportit u ul ndjeshëm. Metodat e përparuara të prodhimit dhe kultivimit rritën sasinë e drithërave. Përparimi i teknologjisë mjekësore forcoi aftësinë e përballimit të sëmundjeve dhe të rreziqeve. Përmirësimi i materialeve në jetën tonë ka thyer konceptin e shoqërisë për bukurinë e kolme. Trupi i kolmë nuk është më karakteristikë e të pasurve. Sot gjithnjë e më shumë njerëz të zakonshëm po shëndoshen. Ngrënia e tepërt është konsideruar si veprim i papërgjegjshëm.
Arsyja e tjetër e rëndësishme është opinioni negativ i mjekëve dhe specialistëve për mbipeshën. Sipas studimeve mjekësore, mbipesha mund të shkaktojë shumë probleme në organizëm. Në shekullin e 19-të, shkencëtarët europianë vunë në dukje se mbipesha mund të vijë nga çrregullimet endokrine dhe kjo është një sëmundje. Në kohët e mëvonshme, shkencëtarët zbuluan se mbipesha mund të shtojë përqindjen e sëmundjeve metabolike, si hipertensioni, diabeti, kolesteroli dhe tensioni i lartë i gjakut, sëmundjet koronare të zemrës, sëmundjet cerebrovaskulare, kanceri etj.
Në vitin 1972, është përdorur treguesi i masës trupore (BMI) për të matur nivelin e mbipeshës të njerëzve.
Në revistën "Lancet" të vitit 1833, u publikua një artikull, ku shkruhet se "në kohët e sotme, kontrolli i dietës është bërë një temë popullore për uljen e peshës. Njerëzit nuk flasin më për 'heqjen e dhjamit të tepërt'." Ulja e peshës përdorej vetëm në raste specifike në atë kohë, duke simbolizuar se shumë persona bënë përpjekje për uljen e peshës së tyre.
Disa shkencëtarë zbuluan arye të tjera të shtimit të numrit të personave mbipeshë në kohët e sotme. Në lashtësi, njerëzit përballeshin gjithmonë me kërcënimin e mungesës ushqimore. Prandaj, kur njerëzit hanin ushqime, metabolizmi i trupit do të rezervonte materialet ushqyese, duke formuar dhjamin. Me zhvillimin e bujqësisë u zgjidh problemi i urisë dhe mungesës së ushqimeve, por sistemi metabolik i trupit vazhdon mënyrën e vjetër të grumbullimit të yndyrës, duke shkaktuar problemin e mbipeshës në kohët e sotme.
Shëndeti është standardi i "bukurisë"
Sipas standardeve estetike të vendeve të ndryshme, personat mbipeshë nuk kanë trup të bukur, pasi formimi i dhjamit dhe celuliti të jep ndjesinë e dikujt që nuk ka respekt për veten. Në Kinën e lashtë, femrat e holla dhe me stil ishin më të bukurat dhe më elegantet. Në pikturat e lashta kineze, pasqyrohen shumë femra elegante. Dashuria e kinezëve për trupin e hollë është forcuar edhe në shoqërinë e sotme. Trupi i hollë është konsideruar jo vetëm si elementet i bukurisë dhe shëndetit, por edhe si standard i aftësisë së vetkontrollit dhe përgjegjësisë shoqërore.
Sot koncepti i shëndetit propozohet si standard i bukurisë. Nuk duhet të synojmë për formimin e trupit tepër të dobët ose tepër të shëndoshë por duhet të nisemi së pari nga trup i shëndetshëm. Ky koncept mund të na nxisë të bëjmë më shumë stërvitje dhe të kemi më shumë vetëkontroll, duke formuar një trup më të shëndetshëm dhe qëndrim më pozitiv. Por nëse synojmë që të bëhemi tepër elegantë kjo gjë mund të sjellë pasoja negative për shëndetin. Disa femra madje i nënshtrohen kirurgjisë për të hequr dhjamin e tepërt dhe kontrollojnë dietën e tyre në mënyrë të ashpër.
Në kohë të ndryshme, standardi i bukurisë ka ndryshuar nga femrat e rrumbullakosura deri tek ato më elegantet. Por shëndeti, vetëbesimi, optimizmi dhe vetkontrolli janë elemente të pandryshuara të bukurisë. Bukuria shfaqet nga elemente të brendshme. (Xu Guang)