Më 27 nëntor, në Pekin, u organizua Seminari i 3-të i Trajnimit për Parandalimin e SIDA-së tek rinjtë kinezë. Në këtë seminar morën pjesë shumë ekspertë dhe studentë. Autoritetet bënë thirrje që të forcohet lënda e edukatës seksuale në shkollë, për të ulur rrezikun e e prekjes nga e ashtuquajtura sëmundja e shekullit tek të rinjtë kinezë.
Virusi HIV- apo virusi i mungesës së imunitetit të njeriut është një virus që shkatërron sisteminimunitar. SIDA – Sindroma e Mungesës së Imunitetit të Fituar – është gjendja që pason kur trupi është i infektuar me virusin HIV dhe trupi nuk është në gjendje të luftojë një numër infeksionesh dhe sëmundjesh ndaj të cilave ekspozohet. Virusi HIV nuk mund të transmetohet nëpërmjet lëkurës së pa dëmtuar dhe as nëpërmjet barrierës që ofron një prezervativ. Ai nuk mund të jetojë gjatë, jashtë trupit të njeriut. Virusi nuk mund të transmetohet nëpërmjet kontakteve të tilla si puthja, shtrëngimi i duarve, prekja e ndenjëses së tualetit dhe përdorimi i enëve të kuzhinës të personave të infektuar. Ai nuk mund të merret as nëpërmjet pickimit të insekteve. Ka dy rrugë kryesore të transmetimit të këtij virusi nga një person në një tjetër. Rruga e parë është përmes kontaktit seksual, ndërsa rruga tjetër është ajo e kalimit të virusit nga gjaku në gjak, domethënë kur gjaku i një personi të infektuar depërton në trupin e një personi tjetër. Për këtë arësye përdoruesit e drogës, të cilët përdorin të njëjtat shiringa të infektuara për të injektuar drogën, janë në rrezik ashtu si edhe njerëzit të cilët bëjnë transfuzion gjaku me pajisje jo të sterilizuara. Gratë që janë të infektuara me këtë virus ia kalojnë atë fëmijëve të tyre të ardhshëm gjatë barrës, në lindje ose nëpërmjet qumështit të gjirit. Kur virusi HIV hyn në trupin e një personi, ai cilësohet si HIV pozitiv. Njeriu mund të jetë HIV pozitiv pa e ditur se është i tillë. Shenja dhe simptoma të mundshme të virusit HIV/SIDA-s janë: rreth 10 % humbje në peshë, ethe për më shumë se një muaj, lodhje, dhe djersitje natën. Njerëzit mund të jenë të infektuar, domethënë të jenë HIV pozitiv, për shumë vjet përpara se tek ata të zhvillohet sëmundja e SIDA-s. Virusi HIV nuk duhet paragjykuar, dhe nuk i përket grupeve të caktuara njerëzish. Ai është thjesht një sëmundje që transmetohet si rezultat i sjelljeve që bartin rreziqe.
Vitet e fundit tek të rinjtë kinezë, shtimi i numrit të të prekurve nga SIDA tërhoqi vëmendjen mbarë shoqërisë kineze. Sipas të dhënave, grupi i studentëve dhe të rinjve të prekur nga SIDA-ja zë afro 14%-15% të të prekurve të përgjithshëm nga SIDA. Për këtë, drejtorja e Zyrës së Trajnimit për Parandalimin e Përhapjes së SIDA-s tek të rinjtë, Zhang Yinjun thekson se ndërgjegjësimi i të rinjve përmes informacionit të duhur mbi sëmundjes seksualisht të transmetueshme tek të rinjtë ka rëndësi jetike.
"Në krahasim me rritjen e dita-ditës të kërkesave të të rinjve për jetën romantike, për dashurinë apo martesën, informacioni apo edukata seksuale që ata kanë është i pamjaftueshëm. Vitet e fundit, SIDA ka prekur shumë të rinj, dhe në mbi 95% të rasteve është transferuar në rrugë seksuale. Në të njëjtën kohë, marrëdhëniet mes të të njëjtit seks janë kthyer në modë. Përveç kësaj, kanë ndodhur shpesh edhe dhunime seksuale ndaj fëmijëve. Rrënja e këtyre fenomeneve vjen nga mungesa e njohurisë, nga sjellja jo korrekte dhe nga niveli jo i mirë i sigurisë."
Në këtë seminar, shumë specialistë bënë thirrje për ndërgjegjësimin e të rinjve për masat parandaluese të sëmundjes që u kushton jetën. Informacionet e para duhet të merren që në vitet e para të shkollës.
Zv-drejtori i Komisionit Kombëtar i Shëndetit dhe i Planifikimit Familjar, drejtori i Zyrës së Komisionit të Parandalimit të SIDA-s pranë Këshillit të Shtetit Wang Guoqiang bëri të ditur se vitet e fundit, sektorët përkatës kinezë po zhvillojnë aktivisht masat përkatëse.
"Vitet e fundit, komisioni ynë dhe Ministria e Arsimit kanë publikuar një sërë masash dhe udhëzimesh për forcimin e mëtejshëm të edukimit seksual për parandalimin e SIDA-s në shkollë. Kërkuam formimin e sistemit informativ të SIDA-s në krahina të ndryshme, zhvillimin e mësimeve me temën e SIDA-s në shkollat e mesme, universitetet dhe shkollat profesionale. Qysh nga viti 2015, kemi nisur punët eksperimentale informuese mbi parandalimin e SIDA-s dhe përhapjen e njohurive mbi edukatën seksuale në 94 shkolla të larta, në 11 ndër të cilat janë zhvilluar punët eksperimentale të ndërhyrjes ndaj disa studentëve të veçantë që kanë rreziqet më të larta të prekjes nga SIDA."
Vitet e fundit, përmes angazhimit të shoqërisë është hartuar projekti arsimor për parandalimin e SIDA-s në shkolla të ndryshme të Kinës, për të edukuar brezin e ri. Përveç kësaj, ky projekt ka dhënë ndihmesë të madhe për disa të prekur nga Sida dhe për familjarët e tyre. Sipas të dhënave, pas zhvillimeve 11-vjeçare janë ngritur "mini qendra për edukimin kundër SIDA-s për të rinjtë" në mbi 900 shkolla të 62 qyteteve të Kinës. Drejtori i Komisionit të Shëndetit dhe të Planifikimit Familjar të qytetit Wenzhou të provincës Zhejiang, Cheng Jinguo prezantoi përvojën e punës të këtyre qendrave.
"Në vitin 2016, në qytetin Wenzhou janë përhapur projekte arsimore tek të rinjtë. Kemi zbatuar në përgjithësi projektin 'një bazë në një distrikt, një miniqendër në një shkollë'. Përpiqemi të realizojmë mbulimin e projekteve të edukimit tek të rinjtënë çdo distrikt brenda 2 viteve. Duke shfrytëzuar këto baza, garantojmë që të gjitha nxënësit nga klasa e 4-t deri në klasën e 9-të të marrin pjesë të paktën një herë në aktivitetet arsimore të parandalimit të SIDA-s, që u organizuan nga këto baza. Qendra e Parandalimit dhe Kontrollit të Sëmundjeve e qytetit Wenzhou ka nxjerrë aplikacionin e parë në telefon ku ofrohen disa informacione për parandalimin e infektimit me virusin HIV si dhe është një platformë tepër aktive. Përmes këtij aplikacioni, mund të mbikëqyren situatat e çdo nxënësi të regjistruar. Përmes kësaj platforme nxënësit mund të pyeten për njohuritë e marra."
Përfaqësuesja e Programit të Përbashkët të OKB-së për SIDA-n (UNAIDS) në Kinë, Amakobe Sande sugjeroi se nuk duhet të harrojmë të rinjtë jashtë shkollës.
"Nga të dhënat e Kinës, situata duket seroze pasi dita-ditës po shtohet numri i të prekurve me SIDA. Në vitin 2016, 17 mijë të prekur me virusin HIV janë të moshës 15-27 vjeçare. Ky numër është pothuajse dyfishuar nëse e krahasojmë me të dhënat e vitit 2010. 80% e të prekurve në këtë moshë janë të rinj jashtë shkollës. Çfarë mund të kuptojmë nga këto shifra? Së pari, duhet t'i mësojmë fëmijët dhe të sigurohemi që ata janë të mirëinformuar në masat që duhet të marrin kundër prekjes nga SIDA apo dhe sëmundjet e tjera seksuale. Gjithashtu nuk duhet harruar edhe shtatzënia e padëshiruar, duke siguruar që ata të rriten mirë nga fëmijëria deri në moshë madhore."
Në seminar, kryetari i nderit i Shoqatës Kineze të Arsimit, arsimtari i njohur Gu Mingyuan sugjeroi që edukata seksuale duhet të jetë lëndë e detyrueshme në shkolla. Kjo është metoda më e mirë për të ofruar të rinjve njohuritë e nevojshme si dhe për të ulur rreziqet e prekjes nga SST. (Xu Guang)