"Nuk e dija se im atë mund të këndonte aq shumë këngë," thotë Li Fang, një banore e Pekinit, babai 80-vjeçar i së cilës është trajtuar për goditje në tru. Mjeku i tha Li-së se babai i saj nuk ishte në humor të mirë gjatë trajtimit mjekësor.
Me miratimin e Li-së, mjeku e çoi babanë e saj te Lin Sisi, një muzikoterapiste nga programi i muzikoterapisë në Konservatorin Qendror të Muzikës. Pas një seance të vetme muzikoterapie, gjendja shpirtërore e klientit të saj, që më parë ishte e zymtë, u përmirësua dhe ai u bë më bashkëpunues me këtë trajtim.
"Hapi i parë i terapisë muzikore është njohja egjithanshme e klientëve tanë dhe vendosja e një marrëdhënieje terapeutike me ta," shpjegon doktoreshë Lin. "Pas marrjes së informacionit bazë të pacientëve, bisedojmë për anëtarët e familjes së tyre, për të ditur më shumë mbi përvojat personale të tyre. Pastaj vlerësojmë nevojat dhe aftësitë e tyre fizike, komunikuese, njohëse, emocionale dhe muzikore për të hartuar një plan për terapinë muzikore."
Përvoja muzikore të ndryshme mund të aplikohen gjatë trajtimit, si këndimi, lëvizja, luajtja e një instrumenti dhe kompozimi i këngëve.
Për shembull, nëse një pacient a klient është i acaruar ose në ankth, terapisti muzikor mund ta ftojë që të luajë një vegël muzikore për të shprehur zemërimin, si për shembull t’i bjerë daulles, shpjegon Lin. Më tej ajo shprehet: "Nganjëherë, ne i inkurajojmë klientët tanë t’i shprehin mendimet e tyre nëpërmjet kompozimit të këngëve. Muzika mund të jetë një rrugë e mirë për shkarkimin e emocioneve, si edhe një mjet i dobishëm për të parandaluar veprimet e dëmshme."
Në disa raste, një terapist muzikor luan lloje të ndryshme muzike dhe më pas vëzhgon reagimin e pacientit dhe përpiqet për të zbuluar çfarë lloj muzike ose kënge mund t’i përshtatet më mirë.
Muzika është konsideruar për një kohë të gjatë si një metodë për të përmirësuar kushtet shëndetësore në Kinë. Karakteri kinez për ilaçin 藥 (yao) përbëhet nga radikali i sipërm "艹" për barishte (cao) dhe pjesa e poshtme për muzikën 樂 (yue).
Eksplorimi i përdorimit terapeutik të muzikës daton mbi 2 000 vjet më parë, siç është dokumentuar në tekstin e parë mjekësor të Kinës, “Huangdi Neijing” (Libri Klasik i Mjekësisë i Perandorit të Verdhë), megjithëse terapia muzikore u bë disiplinë zyrtare në Kinë në vitet ‘80 të shekullit të kaluar.
Në vitin 1996, në Konservatorin Qendror të Muzikës u themelua Instituti i Terapisë Muzikore i parë i vendit. Një vit më pas, Gao Tian, ish-drejtori i këtij instituti, krijoi programin e parë akademik të terapisë muzikore në Kinë.
Deri tani, afro 50 universitete në Kinë ofrojnë kurse dhe diploma të terapisë muzikore.
"Terapia muzikore po praktikohet në shumë qytete në Kinë dhe po pranohet nga më shumë profesionistë të shëndetësisë, pacientë dhe familjet e tyre," vuri në dukje Lin.
Terapia muzikore luajti rol edhe për të ndihmuar të mbijetuarit e tërmetit të vitit 2008 në Sichuan, i cili shkaktoi afro 70 000 të vdekur. Një projekt muzikor terapeutik tremujor i udhëhequr nga Gao nisi në qershor të vitit 2009 si pjesë e luftës kundër pasojave të tërmetit.
Gjatë këtij programi, terapistët muzikorë jetuan brenda zonave të banimit me të mbijetuarit. Gjatë çdo seance të terapisë muzikore, ata u ndanë në grupe të vogla, që të ndiheshin të sigurt gjatë terapisë muzikore, sipas revistës "Nordic Journal of Music Therapy".
Si funksionon terapia muzikore?
Terapia muzikore mund të shërbejë si trajtim mjekësor plotësues për çrregullimet patologjike dhe psikologjike. Për shembull, një seancë e terapisë muzikore prej 30 minutash, e kombinuar me kujdesin tradicional pas operacionit të shtyllës kurrizore, ka treguar që mund të lehtësojë dhimbjen.
Funksioni tjetër i terapisë muzikore është "sinkronizimi," në kuptimin e përputhjes së lëvizjes së trupit dhe stimujve dëgjimorë nëpërmjet dëgjimit të muzikës. Sipas një studimi nga Michael Thaut, drejtori i Qendrës për Studimet Biomjekësore në Muzikë në Universitetin e Shtetit të Kolorados, dëgjimi i muzikës me një ritëm të rregullt të përsëritur mund të promovojë kontrollin muskulor të lëvizjeve.
Efekti i "sinkronizimit" është praktikuar shpesh në rehabilitimin e pacientëve me dëmtime neurologjike, si ata me goditje në tru, dëmtim traumatik të trurit dhe Parkinson. Muzika me një ritëm të qëndrueshëm mund t'i ndihmojë atyre në ushtrimin e lëvizjeve.
Për shembull, ajo mund t'i ndihmojë pacientët me goditje në tru për të zgjatur dhe përkulur bërrylin. Terapisti muzikor mund të luajë dy akorde të ndryshme për të zëvendësuar sinjalin verbal "Një-dy, Një-dy", për të dhënë një sinjal të qëndrueshëm muzikor, dhe të shtojë gradualisht muzikën e njohur për pacientin në lëvizje, Lin i tha CGTN-it.
Aplikimi tjetër klinik i terapisë muzikore përfshin ndihmën ndaj fëmijëve autikë që të rilidhen me njerëzit rreth tyre, trajtimin e simptomave për shkak të goditjes në tru ose lëndimeve traumatike të trurit, si dhe çrregullimet neuronjohëse si sëmundja e Alzajmerit.
Kur të sëmurët me Alzajmer përjetojnë humbje të kujtesës afatshkurtër, kujtesa afatgjatë bie me një ritëm më të ngadaltë. Si rrjedhojë, ata mund të kujtojnë më qartësisht këngët e tyre të parapëlqyera të disa dekadave përpara.
Terapistët muzikorë punojnë me klientët e tyre për të rishkruar tekstet e këngëve të njohura, duke e vënë programin ditor në tekste për t'u kujtuar aktivitetet e tyre të përditshme. Pacientët udhëzohen gjithashtu që të kujtojnë ngjarjet e tyre të rëndësishme të jetës të lidhura me melodinë, që mund të aktivizojë kujtesën e tyre afatgjatë.
Në tru, zona e korteksit paraballor mbledh dhe regjistron kujtesën muzikore dhe autobiografike (kujtesën e ngjarjeve personale). Kjo shpjegon përse të sëmurët me Alzajmer mund të identifikojnë përvojat e kaluara të tyre dhe t’i shprehin nëpërmjet këndimit, sipas Petr Janata-s, pedagog në Departamentin e Psikologjisë dhe studiues në Qendrën për Mendjen dhe Trurin në Universitetin e Kalifornisë Davis.
(Në këtë artikull janë përdorur pseudonime për anëtarët e familjeve të klientëve, përveç ekspertes, për të mbrojtur privatësinë e tyre.)