“Rri drejt dhe kryelartë në qendër të Tokës, ndiej pafundësinë pa cak, frymëzohu prej atmosferës së taiji-së dhe lëre energjinë qi të qarkullojë lirshëm.” Kjo është “Rutina e parë e kornizës së vjetër” e stilit chen të sistemit kinez të ushtrimeve taijiquan.
VCG
Si një ndër format më të njohura të kongfusë tradicionale kineze, me fokusin në përmirësimin e karakterit të njerëzve dhe në kalitjen e trupit, taijiquan-i u përfshi në listën e parë të trashëgimisë kulturore kombëtare të Kinës të publikuar në vitin 2006. Taijiquan-i është jo vetëm një simbol i kulturës lindore, por edhe forma më popullore e arteve luftarake në botë. Sot ka mbi 300 milionë praktikues të taijiquan-it në mbarë botën.
Çfarë është saktësisht taijiquan-i?
Taijiquan-i është një stërvitje e posaçme që mishëron teorinë e yin-it e të yang-ut, teknikat e sulmit dhe të mbrojtjes dhe kultivimin e brendshëm e të jashtëm. Ky është shpjegimi i dhënë nga pasardhësi i brezit të 11-të i stilit chen të taijiquan-it, Zhu Tiancai. Zhu, 73 vjeç, është një praktikues i taijiquan-it për më shumë se 60 vjet.
Deri tani, taijiquan-i ka evoluar në shumë stile, por të gjitha e kanë zanafillën e tyre historike në fshatin Chen të kontesë Wenxian në provincën qendrore Henan.
VCG
Para afro 400 vjetësh, themeluesi i këtij fshati, Chen Bu, e solli familjen e vet këtu nga provinca Shanxi. Në brezin e 9-të, Chen Wangting-u e ka kthyer praktikën e dikurshme të stërvitjes të stilit chen në një art të ri luftarak dhe e integroi atë me idetë dialektike të teorisë yin-yang në “Librin e ndryshimeve”, konfucizëm dhe taoizëm. Pas provave të panumërta, ai krijoi taijiquan-in e stilit chen. Në dinastinë Qing (1636-1912), trashëgimtari i brezit të 6-të Chen Changxing i mësoi Yang Luchan-it që të praktikojë taijiquan-in e stilit chen, por ai nuk ishte një banor i fshatit Chen. Kjo çoi në zhvillimin e shkollave të tjera të taijiquan-it.
Nëna e Zhu Tiancai-t ishte banore e Chen-it. Kur ai ishte 5 vjeç, e ëma e solli në këtë fshat, ku ai filloi të magjepsej dalëngadalë nga taijiquan-i. Në moshën 13 vjeçe, Zhu Tiancai filloi ta mësojë taijiquan-in zyrtarisht nga xhaxhai i tij, Chen Zhaopi, një mjeshtër i stilit chen, që është bërë qysh nga ajo kohë një pjesë e pandashme e jetës së tij.
VCG
Stili chen i taijiquan-it karakterizohet nga lëvizja“mbështjellja e mëndafshit”, me alternimin e shpejtësisë dhe ngadalësisë, si edhe shpërthimin e fuqisë, për të formuar një lëvizje të rrjedhës së lirë.
“Ka dy stile të taijiquan-it: njëri është për luftim dhe vetëmbrojtje, tjetri për shëndet dhe jetëgjatësi. Kur të dyja integrohen në një, kjo sjell 'zbutjen e ashpërsisë me butësi',” shpjegon Zhu Tiancai. Ai sugjeron se të rinjtë që mësojnë taijiquan duhet të fokusohen në praktikimin e teknikave dhe fortësisë, ndërsa praktikuesit e vjetër në stërvitjen e trupit dhe të butësisë së tij. Ky është parimi i “shfrytëzimit të fortësisë dhe kultivimit të butësisë.”
Sot, Zhu Xianghua, djali i Zhu Tiancai-t dhe një pasardhës i brezit të 12-të i stilit chen të taijiquan-it, së bashku me babanë e tij, i janë përkushtuar trashëgimit dhe promovimit të formës të artit të kongfusë. Pas mësimit prej vitesh, Zhu Xianghua ka përmbledhur katër format e praktikës të taijiquan-it.
E para është për të kultivuar mendjen dhe stërvitur trupin, që është arsyeja përse shumë njerëz e praktikojnë taijiquan-in.
VCG
E dyta është për shfaqje dhe konkurrencë. Praktikuesit duhet t’ia kushtojnë vëmendjen paraqitjes së trupit, të shpirtit të mendjes dhe të hapave të stërvitjes.
E treta është teknika luftarake reale e taijiquan-it, që është shumë e ndryshme nga dy metodat e mëparshme, duke u fokusuar kryesisht në luftimin dhe vetëmbrojtjen.
E fundit është për njerëzit që duan t'ua mësojnë tajiquan-in të tjerëve. Atyre u nevojitet një kuptim i thellë i taijiquan-it, bashkë me teorinë dhe lëvizjet e arteve luftarake.
VCG
Klasifikimi i qartë i formave të ndryshme të praktikës është pikërisht arsyeja pse taijiquan-i është promovuar anekënd botës. Taijiquan-i u mundëson grupeve të ndryshme të njerëzve që të përfitojnë nga praktikimi i tij, duke e bërë këtë art luftarak të lashtë të qëndrueshëm dhe të freskët.
“Sot, me brezin tonë të ri, ne përqendrohemi në stërvitjen e sa më shumë trashëgimtarëve dhe në përhapjen e tij në tërë vendin, me qëllim që çdokush ta mësojë dhe praktikojë në mënyrë të përshtatshme stilin chen të taijiquan-it,”shprehet Zhu Xianghua. (Xu Guang)
VCG