Në kohën e sotme, i kushtohet vëmendje shumë e madhe shëndetit. Duam të kemi shëndet të fortë dhe të jemi jetëgjatë. Sipas Mjekësisë Tradicionale Kineze, zemra, mëlçia, shpretka, mushkëria dhe veshka janë 5 organet e brendshme të trupit, të cilat luajnë një rol të rëndësishëm në shëndetin e njeriut. Shëndeti i këtyre 5 organeve të brendshme mund të pakësojë problemet e trupit. Prandaj, studiuesit e lashtë kinezë zgjodhën një fjali për shëndetin e 5 organeve të brendshme, që thuhet se "ruani qetësinë përballë nderit ose turpit, mëlçia të qetësohet si pema përballë erës; bashkërendoni veprimet fizike me pushimin, sipas nevojës së trupit, zemra të ofrojë energji si zjarri i kontrolluar; konsumoni ushqimin në rregull dhe në sasi të përshtatshme, shpretka të tretë lehtësisht ushqimet, si toka tret lëndët biologjike; rregulloni frymëmarrjen dhe reduktoni fjalët e panevojshme, mushkëria të mbrojë trupin tonë ndaj sulmit të jashtëm; pakësoni aktivitetin seksual, veshka të rezervojë energjinë e jetës si uji i mjaftushëm për bimët."
Kjo është fjali klasike e mjekësisë tradicionale kineze për ruajtjen e shëndetit, ku theksohen shëndeti psikologjik, dieta e shëndetshme ushqimore dhe aktivitetet jetike. Më poshtë, do t'ju shpjegojmë hollësisht këto 5 parime:
1. Ruani qetësinë përballë nderit ose turpit -mëlçia qetësohet si pema përballë erës
Në jetën tonë, do të përballemi me shumë gëzime e fatkeqësi, si dhe me lavdërime e kritika. Ose e thënë në gjuhën e thjeshtë të popullit, do të dëgjojmë fjalë të mira e të këqija. Kur përballeni me ndere dhe lavdërime, mos u gëzoni shumë, se mund të harroni kush jeni. Kur përballeni me turp dhe kritika, mos u pikëlloni, se do të humbni ambiciet. Mos u zemëroni tepër përballë ngacmimeve. Ndër të gjitha emocionet e njerëzve, zemërimi dëmton mëlçinë. Zemërimi do të shkaktojë marrje mendsh, paqartësinë e shikimit, pagjumësi, si dhe apopleksi. Nëse mund të mbani një qëndrim të qetë përballë nderit ose turpit, mëlçia juaj do të funksionojë në rregull dhe do të keni një gjendje të qëndrueshme psikologjike.
Por nuk duhet të frenoni plotësisht emocionet tuaj përballë ngacmimeve të jashtme. Ju sugjerojmë të kontrolloni emocionet, pasi është shumë e rëndësishme për shëndetin e mëlçisë. Ato personat që ushtrojnë Taiji ose Yoga, mund të ruajnë një gjendje më të qëndrueshme psikologjike. Persona të pushtetshëm si kryeministrat, gjeneralët dhe biznesmenët e suksesshëm duhet të ruajnë qetësinë. Ky është sekreti i shëndetit të tyre.
2. Bashkërendoni veprimet fizike me pushimin, sipas nevojës së trupit, zemra të ofrojë energji si zjarri i kontrolluar;
Aktivitetet fizike nxitin qarkullimin e gjakut, duke favorizuar shëndetin, kurse pushimi sjell qetësi psikologjike, duke favorizuar zemrën. Por në fakt, shëndeti i trupit lidhet ngusht me zemrën dhe trurin. Kur kemi një trup të shëndetshëm, do të gëzojmë humor të mirë. Kur kemi një humor të mirë, do të kemi qarkullim të mire të gjakut. Kur dëshironi qetësi, mund të pushoni. Kur dëshironi aktivitet fizik, mund të stërviteni. Nëse arrini të bashkërendoni aktivitetin fizik me pushimin në kohë të përshtatshme, do të gëzoni shëndet trupor dhe psikologjik. Mos u lodhni tepër në aktivitete fizike ose mendime.
Sipas mjekësisë tradicionale kineze, zemra ofron energji për qarkullimin e gjakut. Ndaj, bashkërendimi i aktiviteteve fizike me pushimin, sipas nevojës së trupit, është shumë i rëndësishëm për shëndetin e zemrës.
3. Konsumoni ushqimin në rregull dhe në sasi të përshtatshme, shpretka të tretë lehtësisht ushqimet, si toka tret lëndët biologjike
Sipas shënimeve në librin mjekësor "Huang Di Nei Jing", dieta e rregullt dhe e përshtatshme është element shumë i rëndësishëm i jetës së gjatë. Stomaku pranon ushqimet dhe shpretka përgjigjet për tretjen e tyre.
Kur ushqimi konsumohet në rregull dhe në sasi të përshtatshme, ai mund të tretet lehtësisht, duke ndihmuar qarkullimin e organeve të brendshme. Mbingopja dëmton stomakun, por edhe uria e madhe e dëmton atë. Kripa e tepërt dëmton kockat, sheqeri i tepërt dëmton gjakun. Parregullsia e të ushqyerit dëmton stomakun dhe shpretkën. Nëse stomaku dhe shpretka nuk funksionojnë mirë, si mund të garantohet shëndeti i organeve të tjera?
Sipas MTK-së, qarkullimi i ushqimeve brenda trupit të njeriut i ngjan qarkullimit në natyrë. Shpretka simbolizon tokën, që pranon dhe tret të gjitha lëndët biologjike dhe krijon të reja.
4. Rregulloni frymëmarrjen dhe reduktoni fjalë të panevojshme-mushkëria mbron trupin tonë ndaj sulmit të jashtëm.
Mushkëria përgjigjet për mbrojtjen e lëkurës nga sulmi i erës, i lagështisë, i të ftohtit dhe të nxehtit. Shumë metoda praktike këshillojnë frymëmarrjen e rregullt, që nxit rolin e mushkërisë për të mbrojtur trupin tonë nga sulmi i jashtëm. Përveç kësaj, mushkëria përgjigjet për të folurën. Fjalët e tepërta dëmtojnë shëndetin e mushkërisë. Prandaj, reduktimi i fjalëve të panevojshme ndihmon shëndetin e mushkërisë.
5. Pakësoni aktivitetin seksual, veshka të rezervojë energjinë e jetës si uji i mjaftueshëm për bimët.
Sipas MTK-së, veshka përgjigjet për aktivitetin seksual dhe riprodhues. Në teorinë mbi lindjen e jetës në kohën e lashtë, origjina e jetës biologjike vjen nga uji. Prandaj energjia e veshkës përfaqëson bazën e jetës. Aktiviteti seksuale krijon jetën e re, por edhe harxhon energjinë e veshkës. MTK-ja propozon të mos abuzoni me aktivitetin seksual, por të mos frenoni dëshirën seksuale, e cila është ndër kërkesat themelore të njeriut. Pas moshës 35-40 vjeç, duhet të pakësoni aktivitetin seksual, për të ruajtur energjinë e veshkës. Sipas kësaj teorie, lindja e foshnjës duhet kryer në moshë të re, kur energjia e veshkës është e madhe.