Gjithnjë e më shumë njerëz jashtë Kinës po e njohin Mjekësinë Tradicionale Kineze (MTK), këtë metodë të lashtë mijëravjeçare. Në Spanjë, për shembull, akupunktura kineze është një urë në rritje që lidh dy vendet.
Spanja është një nga vendet e para në Europë që i hapi dyert MTK-së. Në vitet 1980, mjekësia kineze u fut në disa universitete të vendeve si Francë dhe Gjermani.
Në Spanjë, Universiteti i Sevijës, Universiteti i Granadës dhe Universiteti Complutense i Madrid-it ishin tre universitetet e para që përqafuan akupunkturën dhe krijuan një program pasuniversitar trevjeçar mbi trajtimin e MTK-së. Mbi 10 universitete spanjolle e kanë tani akupunkturën si program studimi.
Në fillim të viteve 1990, Universiteti i Yunnan-it i Mjekësisë Tradicionale Kineze në jugperëndim të Kinës hapi një shkollë MTK-je me autoritetet vendore të Katalonjës për kurse pasuniversitare për akupunkturë dhe masazh kinez. Kjo shkollë ofron dhe një program 5-vjeçar MTK-je.
Sipas të dhënave të vitit 2017 nga Shoqata Mjekësore e Akupunkturës e Madridit, rreth 1,200 specialistë akupunkture kanë fituar praktikë mjekësore në Spanjë dhe rreth 1,500 specialistë janë kualifikuar në Kinë. MTK-ja, me çmim të ulët dhe opsione më të mira trajtimi, po fiton gradualisht popullaritet në shumë rajone dhe vende të botës. Metoda e lashtë e trajtimit po praktikohet në 183 vende dhe rajone të botës dhe deri tani qeveria kineze ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi në MTK me mbi 40 vende dhe rajone dhe organizata ndërkombëtare, sipas Administratës Shtetërore të Mjekësisë Tradicionale Kineze, raportoi Xinhua.
Deri tani, mjekësia tradicionale kineze është përhapur në 183 vende dhe rajone të botës. Në mbi 30 vende dhe rajone janë vendosur qindra universitete dhe institute të Mjekësisë Tradicionale Kineze, për të përgatitur vendësit për praktikimin e kësaj mjekësie të lashtë, por shumë efikase. Çdo vit, mbi 13 mijë studentë të huaj vijnë në Kinë për të mësuar mjekësinë kineze, afro 200 mijë pacientë të huaj kanë ardhur në Kinë për t'u trajtuar në klinikat dhe spitalet kineze me këtë mjekësi.
Në vitin 2016 Spanja hapi spitalin më të madh në Europë të Mjekësisë Tradicionale Kineze, pas nëshkrimit të marrëveshjes së bashkëpunimit midis autoriteteve spanjolle dhe Bashkisë së Pekinit.
Spitali u hap në Barcelonë të rajonit Katalonja dhe ndërtimi i tij kushtoi rreth 80 milionë euro, bën të ditur gazeta spanjolle "Expansion".
Kjo do të jetë e para qendër e këtij lloji jashtë Azisë dhe Katalonja do të bëhet pike referimi për vendet e tjera europiane, thuhet në deklaratën për shtyp të autoriteteve vendore.
Instituti i Tregtisë dhe Investimeve i Katalonjës do të ofrojë përkohësisht hapësirat e tij për krijimin e Qendrës së Promovimit dhe Zhvillimit të Mjekësisë Tradicionale Kineze.
Marrëveshja dypalëshe përfshiu dhe lëshimin e diplomave të Mjekësisë Tradicionale Kineze, në sajë të bashkëpunimit midis Universitetit të Mjekësisë Kineze të Pekinit dhe Universitetit Pompeu Fabra.
Gjithashtu spitali do të zhvillojë dhe studime kërkimore dhe shkencore në bashkëpunim me Institutin e Studimeve Biomjekësore të Barcelonës.
Në kuadër të bashkëpunimit në fushën e praktikës klinike, Universiteti i Mjekësisë Kineze i Pekinit do të dërgojë mjekë pranë Qendrës Spitalore Universitare të Barcelonës për trajtimin e pacientëve në mbikqyrjen e autoriteteve shëndetësore vendëse.
Kina ka shtuar përpjekjet për promovimin e Mjekësisë Tradicionale jashtë vendit, me synim pranimin e kësaj disipline të lashtë në botë.
Xinyue Calduch, zëdhënës i Fondacionit të Mjekësisë Tradicionale Kineze me seli në Spanjë thotë se plani për ndërtimin e spitalit më të madh në Europë të Mjekësisë Tradicionale Kineze në Spanjë pasqyron qëllimin e Kinës për të promovuar këtë mjekësi natyrore. Sipas tij Mjekësia Tradicionale Kineze do të përhapet edhe në vende të tjera europiane, duke shmangur terapitë manipuluese që disa kinezë kanë përdorur deri tani në emër të kësaj mjekësie me moshë mijëvjeçare.
Ndonëse Spanja nuk konsiderohet si një pioniere e Mjekësisë Tradicionale Kineze shumë spanjollë kanë nisur të kombinojnë mjekësinë perëndimore me trajtimet natyrore, kryesisht akupunkturën dhe trajtimet me barna. Sipas një studimi të Fondacionit të Mjekësisë Tradicionale Kineze 23.6 % e spanjollëve përdorin trajtimet mjekësore natyrore dhe janë të interesuar për mjekësinë tradicionale kineze.
Ethet e MTK-së përhapen edhe në Suedi
Ekspertët e mjekësisë në Suedi po sugjerojnë kombinimin e mjekësisë perëndimore me atë tradicionale kineze.
Propozimet erdhën gjatë ceremonisë së diplomimit të grupit të parë të studentëve të Akupunkturës nga Federata Botërore e Akupunkturës dhe Shkencës.
Doktor Yang Chungui, presidenti i Shoqatës së Akupunkturës dhe Shkencës të Suedisë tregon rëndësinë e diplomimit të këtyre studentëve.
"Akupunktura praktikohet në 183 vende të botës sipas praktikës së formuluar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, një udhëzim që ka nevojë për praktikë të vazhdueshme. Kjo është hera e parë që provimet administrohen në Suedi."
Shumica e këtyre studentëve e ushtrojnë akupunkturën prej vitesh dhe drejtojnë disa klinika. Ndërkohë tani ka nisur një fushatë për ta përfshirë trajtimin mjekësor në sistemin e kujdesit shëndetësor të vendit.
Gustaf Foghammare, doktor psikiatër, bën thirrje për kombinimin e mjekësisë tradicionale kineze dhe saj perëndimore.
"Është e shkëlqyer, është hapi i parë për të sjellë diçka të re në sistemin shëndetësor të vendit. Tani kemi grumbulluar plot eksperiencë në mjekësinë tradicionale kineze dhe jemi të gatshëm për të ofruar një shërbim më të mirë."
Foghammare shton se shpesh e përdor mjekësinë tradicionale kineze për të trajtuar dhimbjet, alergjitë dhe lodhjen.
Doktor Asa Haglund thotë se shpreson se mjekësia tradicionale do të përfshihet në sistemin e kujdesit shëndetësor të Suedisë.
"Është shumë e rëndësishme për të ndihmuar njerëzit, kjo do të ndihmojë shumë veta dhe do të jetë mirë sikur të mund t'i kombinonim trajtimet ashtu siç bëhet në Kinë. Tani po kërkojmë që mjekësia tradicionale kineze të përfshihet në sistemin e kujdesit shëndetësor. Kombinimi do të jetë më i mirë."
Një sondazh i fundit tregoi se 70 për qind e suedezëve të mirëshkolluar janë mjaft të hapur për t'iu nënshtruar trajtimeve të mjekësisë tradicionale kineze