Akupunktura, mjeshtëria kineze e shërimit dhe e rregullimit të energjisë chi në trup përmes shpimit me gjilpëra sa vjen e bëhet më e njohur dhe më e preferueshme për qytetarët e Tiranës.
Mijëra persona në Tiranë gjatë gjithë vitit takojnë doktorin kinez Wu Junmin, i cili që nga viti 2006 ka nisur të ushtrojë mjeshtërinë e tij në kryeqytetin shqiptar. Një majë e hollë gjilpëre në dorën e mjeshtrit kinez bëhet gati. Pas tre sekondash, kur mjeshtri kanë duart e tij katër gjilpëra fillon puna. Së pari, mjeshtri gjen pikat e dobëta mbi shpatullat e pacientit, i sheh ngultaz e nis të "sulmojë". Gjilpërat, 6 centimetër të gjata, futen nën lëkurën e pacientit që i nënshtrohet trajtimit, por mjeshtri kinez kujdeset që t'i pjerrtësojë. Wu Junmin është aq i shpejtë, sa edhe bletët që "pickojnë" prenë e tyre dhe lënë pas thumbin djegës. Ndërkohë pacienti reziston mirë, gjilpërat që ndodhen tashmë mbi shpatullat e tij nuk i kanë dhënë asnjë turbullim.
Pacien, i sëmurë me spondiliatrozë, thotë se ky lloj trajtimi e ka përmirësuar dukshëm.
"Më kanë bërë shumë mirë. E ndjej veten më mirë pas kësaj terapie e cila nuk është edhe aq e frikshme sa duket. Gjilpërat janë shumë të vogla, sa një fije floku dhe nuk futen pingul, por pjerrtas. Fillimisht nuk ndjen gjë sepse doktori i ngul shumë shpejt gjilpërat, sa nuk e kupton nëse i ke në trup apo jo. Ndjehem mirë, sikur diçka negative po më çlirohet nga trupi", -rrëfen qytetari nga Tirana.
Pasi doktor Junmin ia heq gjilpërat e ngulura, pas disa minutash, pacienti buzëqesh dhe tregon disa njolla të vogla në ngjyrë të kuqe, shenjë e mbetur nga "sulmi kurues".
"Ja, pasi hiqen gjilpërat fillon të ndihesh pak keq, sepse dhimbjen tani mund ta ndjesh. Por nuk është ndonjë dhimbje e madhe",
Klienti i doktorit Wu është një nga klientët e tij më të shpeshtë. Gjatë një viti mjeshtri kinez, i cili e ka përvetësuar këtë profesion në një shkollë të posaçme në Kinë, ka trajtuar me akupunturë mijëra persona.
"Këta persona kryesisht kanë probleme dhe dhimbje fizike, por edhe shumë të tjerë e kanë bërë këtë terapi thjesht për t'u shlodhur", -thotë doktori kinez Wu Junmin.
Mjeshtri thekson se grupmoshat që e kanë kryer këtë terapi janë të ndryshme.
"Në Tiranë grupmoshat që bëjnë akupunturë nisin nga 20 vjeç deri në 60 vjeç, por më të shpeshtët janë ata të moshës 30 deri në 35 vjeç", vijon të tregojë doktori kinez. Por doktori kinez tregon se në shumë raste akupunktura është realizuar për të forcuar sistemin imunitar të personave që dëshirojnë.
"Kam patur raste kur persona të ndryshëm kanë dashur të bëjnë akupunturë për shlodhje dhe për forcimin e sistemit imunitar. Pastaj akupunktura është ndërthurur edhe me masazhe", -tregon mjeshtri kinez, i cili shton se gjilpërat janë të gjitha të përbëra nga metal kundër infeksioneve. Megjithatë kur e pyet nëse kjo lloj terapie ka lidhje me besimin apo me ndonjë efekt psikologjik që mund të kenë klientët e tij se janë shëruar, pasi kryejnë akupunkturën, ai të përgjigjet se kjo është një metodë terapeutike që nuk ka të bëjë fare me besimin dhe me efektet psikologjike pas kryerjes së saj.
Klientët e "guximshëm"
"Asnjëherë nuk i kemi detyruar klientët tanë që t'i nënshtrohen kësaj metode. Ata e kanë kryer vetëm pasi janë bindur se mund të ketë efekt tek ta dhe mund të jetë dobiprurëse. Prandaj kjo nuk është një çështje guximi",- komenton doktori i akupunturës, një nga të paktët në Tiranë. Sipas tij, edhe pse gjilpërat janë nga 3 centimetër deri në 9 centimetër, asnjëherë nuk ngulen vertikalisht, por gjithnjë pjerrtas. "Unë përdor edhe gjilpërat 9 centimetër të gjata në rastet kur pacienti është shumë i shëndoshë, me qëllim që të arrij pikën e duhur.
Kurse zakonisht përdor gjilpërat 3 deri në 4 centimetër", -rrëfen doktori, i cili shton se kurrsesi nuk e sugjeron këtë metodë tek të sëmurët me zemër apo me tension të lartë. Megjithse kjo lloj terapie zgjat nga 30 deri në 40 minuta, në varësi të llojit të shqetësimit të klientit, fazat janë fare mirë të përcaktuara.
"Kjo lloj terapie ka dy faza, adoptimi dhe konsolidimi. Mund të jetë 10-ditore apo edhe 20 ditore. Pas 10 ditësh, nëse shoh se klienti ka përmirësim të dukshëm nuk e vazhdoj më, nëse jo, vazhdohet edhe me ditët e tjera",- shpjegon doktori.
361 pikat e dobëta të qënies
Sipas kësaj terapie, trupi i njeriut përbëhet nga 361 pika të dobëta, në të cilat ndërhyhet për të rregulluar qarkullimin e gjakut dhe për të hequr dhimbjet.
"Në të gjithë trupin, në 361 pika të dobëta mund të bëhet shpimi me gjilpëra, por ka edhe më shumë pika të dobëta. Këto të tjerat quhen pjesa e gjallë e gjakut, edhe këtu mund të përdoret akupunktura, e cila liron dhimbjen, hap kanalet e gjakut, i cili nis të qarkullojë lirshëm", -tregon sekretet e mjeshtërisë mijëravjeçare doktori kinez. Dhe nëse sheh një trup njeriu në dhomën ku punon doktori, realizuar në kauçuk, duken qartë të gjitha pikat e dobëta, të shenjuara nëpërmjet pikave të zeza.
Ndërsa me vija në ngjyrë të kuqe mund të shohësh fare qartë kanalet ku qarkullon gjaku. Por ajo që duhet patur kujdes në këto raste është se shpimi nuk mund të bëhet nga kushdo, edhe pse mund t'i mësojë këto pika të dobëta. Duket se përvoja në këtë rast është me të vërtetë e rëndësishme. Sepse siç thotë doktor Junmin, përveç trashëgimisë gjenetike, marrë nga prindërit e tij kinezë, duhet edhe një kohë e gjatë sprovimesh për të zotëruar në mënyrën më të pagabueshme këtë pjesë të kulturës mjekësore kineze.